Mbetet pa njërin sy, për faj të mjekëve

  • 18 October 2018 - 16:40
Mbetet pa njërin sy, për faj të mjekëve

Një grua ka mbetur e verbër në njërin sy, pasi që mjekët vazhdimisht kishin dështuar t'ia diagnostikonin tumorin në tru, ku bile njëri nga ata kishte filluar të qeshte kur ajo ishte ankuar nga migrena. Abbie Trinder, 24 vjeçe, nga Uednesbjuri, filloi që të kishte dhembje të hatashme të kokës në vitin 2015, por mjekët i thanë se kjo ishte vetëm shenjë e humbjes së lëngjeve. Pasi që shikimi filloi t'i turbullohej në mars të vitit 2016, gruaja caktoi një termin te oftalmologu, i cili urgjentisht i tha të shkonte në spital. Atje ajo mori lajmin e hidhur se kishte një tumor jokanceroz, i cili ishte duke u rritur në nervin e saj optik dhe ishte zgjeruar edhe në hipofizë.  

"Mjekët më hiqnin qafe shpejt e shpejt"

Në gusht të atij viti Trinder iu nënshtrua një operacioni për heqjen e një pjese të tumorit, meqë mjekët kishin frikë se heqja e plotë e tumorit do t'ia dëmtonte trurin. Edhe pse operacioni mbaroi me sukses, ishte tepër vonë që t'i shpëtohej syri, gjë që e mundoi së tepërmi zonjushën Trinder. Si pasojë e kësaj situate, ajo u nda nga i fejuari. Duke kujtuar kohën e mëparshme, ajo thotë: "Mjekët më hiqnin qafe shpejt e shpejt, duke më thënë se dhembja e kokës do të më kalojë pasi që të hidratohesha", transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

"Problemi nuk qëndronte te sytë, por te truri"

Duke qenë e bindur se kishte nevojë për syze, ajo caktoi një vizitë te oftalmologu, i cili i tha që menjëherë të shkonte në spitalin "New Cross" në Uolverhampton. Ajo u ndie me të vërtetë e frikësuar, kur mjekët i thanë se problemi nuk qëndronte te sytë, por te truri. "Është e çuditshme, por, pas stresit fillestar, fillova ta ndjeja një lehtësim, pasi që, përfundimisht, dija çka kisha", thotë ajo. Pas operacionit, asaj ia vunë 30 penj në kokë. Edhe pse gjendja e saj aktuale nuk është aq e keqe, mjekët kanë parë se pjesa e mbetur e tumorit vazhdon që të rritet, kështu që asaj i duhet që të bëjë vizita të rregullta te mjeku, në mënyrë që, kur të ketë nevojë, të intervenohet me kohë. 

 

(Kosova Sot)