Përfaqësuesi i OSBE-së shuplakë Ramës: Shteti nuk mund të imponojë median online

  • 18 October 2018 - 17:06
Përfaqësuesi i OSBE-së shuplakë Ramës: Shteti nuk mund të imponojë median online

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias i ka dhënë një shuplakë qeverisë së Edi Ramës në lidhje me ultimatumin që kryeministri i bëri mediave online për regjistrimin dhe formalizimin e tyre.

Harlem Desir u shpreh i shqetësuar për sjelljen imponuese të qeverisë shqiptare kundrejt medias online, një akt që sipas tij sjell efekte negative në lirinë e medias.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.

Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir. Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

(Kosova Sot)