Palmer: SHBA ende s'ka parë ndonjë plan për marrëveshjen Kosovë-Serbi

  • 19 October 2018 - 12:48
Palmer: SHBA ende s'ka parë ndonjë plan për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Zëvendës sekretari i shtetit, Mattheë Palmer, po qëndron për një vizitë në Beograd. Ai në një konferencë për media ka folur rreth dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai u ka bërë thirrje të dy palëve që të shfrytëzojnë mundësinë historike për arritjen e një marrëveshje e cila do të jetë e pranueshme për të dy palët.

“Marrëveshja duhet të jetë ‘win-win’ për të dy palët”, ka thënë Palmer në Forumin e Sigurisë i cili po mbahet në Beograd.

Ai ka thënë se nëse njëra palë humb dhe nëse tjetra fiton, atëherë nuk mund të ketë marrëveshje.

Sipas tij vazhdimi i konfliktit të ngrirë ndërmjet dy vendeve mund të sjellë pasoja të tjera në Ballkan.

I pyetur rreth kundërshtimit që Gjermania po i bënë idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, Palmer ka thënë se SHBA-ja nuk dëshiron që të pozicionohet fare në këtë çështje.

‘Është e rëndësishme që SHBA të mos i jep përparësi asnjë ideje. Ne nuk jemi përcaktuar për asnjë zgjidhje të veçantë. Ne nuk jemi pjesë e bisedimeve dhe nuk shtyjmë përpara idetë. Megjithatë ne po bëjmë përpjekje që të inkurajojmë të dy palët për të ecur përpara me dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që do të jetë e pranueshme për të dy palët”, është shprehur ai.

Palmer thotë se nuk mund të flasin për çështje specifike rreth kësaj çështje përderisa ende nuk e kanë parë planin konkret.

“Përderisa nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete është e vështirë të flitet në mënyrë abstrakte”, ka vazhduar Palmer. .

Palmer ka thënë se i kupton gjithashtu edhe shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar sa i përket idesë për shkëmbim të territoreve si pjesë të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, megjithatë Palmer shtron pyetjen se çfarë nëse nuk ndodh një marrëveshje fare?

“Ne duam të shohim se si duket marrëveshja, dhe pastaj mund të diskutojmë për të gjitha specifikat dhe rreziqet që mund të paraqesë marrëveshja”, ka përfunduar Palmer.

Dje ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, ka thënë se është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe krijimit të shteteve etnikisht të pastër.

Kundër idesë për prekje të territoreve është edhe i gjithë faktori politik në Kosovë.

(Kosova Sot)