Ministri Matoshi: Sulmi fizik ndaj rojeve të natyrës në Suharekë akt i shëmtuar dhe qyqar

  • 19 October 2018 - 13:09
Ministri Matoshi: Sulmi fizik ndaj rojeve të natyrës në Suharekë akt i shëmtuar dhe qyqar

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka reaguar për rastin e sulmit fizik ndaj dy rojeve të natyrës në qytetin e Suharekës.
Matoshi ka thënë se një lajm i tillë është shqetësues dhe u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të jenë të angazhuar maksimalisht në këtë sezon kur bëhen prerje masive ilegale të pyjeve.

Matoshi në fund ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të mos i prejnë ilegalisht pyjet dhe t’i ruajnë ato.

Të dy rojet janë sulmuar nga disa persona, dhe kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

Reagimi i plotë:

Sulmet ndaj rojeve të natyrës në PK Sharri janë vepër e shëmtuar dhe qyqare

Me shqetësim kam marrë lajmin për sulmin ndaj rojtarëve të natyrës të PK “Sharri”, J. SH dhe A. D të cilët janë sulmuar fizikisht dhe kanë marrë lëndime trupore.

Duke marrë parasysh faktin që këto ditë është intensifikuar prerja ilegale e pyjeve në Parqe Kombëtare, rojet e natyrës së këtyre zonave të mbrojtura janë angazhuar maksimalisht për kontrollin e gjendjes dhe parandalimin e prerjeve dhe dëmtimit të vlerave natyrore të parqeve.

Mirëpo gjatë punës në terren rojet po përballen me probleme të natyrave të ndryshme përfshirë edhe sulmet fizike dhe gjuajtjet me armë zjarri nga grupet e dëmtuesve të pyjeve që prerjen ilegale të pyjeve dhe tregtimin e drurit e kanë shndërruar në biznes.

Në lidhje me këto raste kërkoj nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit që me prioritet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për sjelljen e këtyre personave para drejtësisë.

Gjithashtu shprehim përkushtimin tonë që në një të ardhme sa ma të afërt të arrijmë që të kemi kujdes më të madh ndaj parqeve nacionale dhe punëtorët të jenë të sigurtë në punë.

Në fund, i bëjë apel të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të mos bëjnë prerjen ilegale të pyjeve pasi që pyjet janë identiteti dhe pasuria jonë shtetërore, kujdesi ndaj tyre është kujdes për ne dhe gjeneratat e ardhme.

(Kosova Sot)