Veterania e luftës së UÇK-së nga Çekia ka mbetur pa strehë mbi kokë

  • 21 October 2018 - 15:50
Veterania e luftës së UÇK-së nga Çekia ka mbetur pa strehë mbi kokë

"Kam punuar punë të shumëllojshme, gjithnjë me shpresën se do të bëhet më mirë"

Në fillim të vitit 1999, Zdenka Vijola, atëbotë një vajzë 30- vjeçare, me të dëgjuar për luftën në Kosovë vendosi të vijë e të bëhet luftëtare e lirisë në Kosovë.

"Fillimisht jam kyçur si ushtare varëse në operacionin "Shigjeta" tek komandanti Rrahim Bekteshi. Unë kur u desh t'i jap Kosovës ndihmën time i ofrova edhe jetën time. Mirëpo, pas përfundimit të luftës tashmë mund të them se u vendosa në Prizren dhe kam punuar punë të shumëllojshme, gjithnjë me shpresën se do të bëhet më mirë. Kam marrë shumë premtime se do të kem një banesë të mirë. Mirëpo,vetëm unë e di se si ia kam dalë", thekson Zdenka për "Kosova Sot". Ajo shton se së fundi me një person u martua për t'u stabilizuar sadopak, por, edhe ai i lodhur nga gjendja këtu ka shkuar tek familja e tij në Gjermani. "Unë në fillim kisha shumë shpresë, bile kam pasur edhe probleme të shumta sepse nuk kisha as dokumente identifikimi, prandaj edhe kam humbur shtetësinë çeke", është shprehur ajo. Ka edhe një vajzë në Çeki që dëshiron t'i bashkohet Në fillim ishte pjesëtare e TMK-së, por pasi nuk kishte shtetësinë e Kosovës e larguan atë dhe një shtetas gjerman.

"Jeta më shtrëngoi tej mase, edhe pse pata marrë premtim se do të ndihmohem me një banesë, por u bënë plot 20 vjet, unë jam të thuash rrugëve të botës. Tani kam pensionin e veteranit, por ato mjete tashmë nuk më mjaftojnë as për të jetuar e as për të paguar banesë. Kam trokitur në secilën derë nga institucionet e Qeverisë deri tek këto komunale. Në Komunë kam kërkuar disa herë ndihmë dhe nuk më kanë bërë asnjë zgjedhje. Në këtë gjendje që jam e kam shumë të vështirë", tregon ajo. Shton se tash nuk ka të drejtë rikthimi as në Çeki dhe këtu është tërësisht e vetme. "Kam edhe një vajzë në Çeki, e cila po më thotë se dëshiron tani të vijë pranë meje.

Por, unë s'kam ku e pranoj, s'kam asnjë kusht elementar për të jetuar. Unë, Kosovës ia fala jetën time kur duhej, kurse Kosova tani nuk po më ofron asgjë, madje as një banesë të vogël e solide", është shprehur ajo për gazetën. Komuna duhet t'ia dalë në ndihmë Ish- komandanti i ZOP-it, Sadik Haltijaha për gazetë pohon se është një luftëtare e paepur për lirinë e Kosovës dhe tani ajo ka mbetur me shumë probleme e shumë halle. "Ne pos statusit tepër meritor s'patëm mundësi t'i ofrojmë tjetër gjë, ndoshta organet komunale do ta kenë mundësinë ta ndihmojnë", theksoi ai për gazetë. Ai shton se pjesëmarrja e tyre në luftën për lirinë e Kosovës është shumë domethënëse, por ja që ligjet tona nuk kanë tjetër përparësi pos atij pensioni.

"Komuna po ta kishte mundësinë ta ndihmojë këtë veterane mirë do të ishte, sepse duke ndihmuar atë, ndihmohet ideali i lirisë që kishin edhe të huajt për luftën tonë çlirimtare", pohon Halitjaha për "Kosova Sot". Kurse ajo e pikëlluar përtej mase shpreson se do të gjendet ndoshta mundësia që në këtë moshë mos të mbetet rrugëve të botës. Fati i saj është se ajo nuk gjendet tek lista e veteranëve të publikuar si veteranë të rrejshëm.

Por, ajo shpreson shumë se së fundi edhe asaj do t'i dalin në ndihmë nga Komuna e Prizrenit për një strehim të mundshëm. Të këtij mendimi ishte dhe Halitjaha duke menduar se asaj ndoshta do t'i dalë në ndihmë Komuna , sepse ajo vërtet ishte një luftëtare që kishte lënë vendin e saj dhe nga Çekia erdhi për t'iu bashkangjitur çlirimtarëve të Kosovë për lirinë e këtij vendi.

(Kosova Sot)