Grapci:Bosët e monopolit ekonomik mund t'i lëkundë Specialja

  • 23 October 2018 - 18:37
Grapci:Bosët e monopolit ekonomik mund t'i lëkundë Specialja

Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për "Kosova Sot", theksoi se problemin e kanë qytetarët e Kosovës, sepse janë ata që me votat e tyre u kanë dhënë leje në njëfarë mënyre liderëve të Kosovës dhe të afërmve të tyre që ta kontrollojnë krejt shtetin dhe pushtetin. "Sektorët privatë janë ata ku më së shumti janë të përzier politikanët dhe të afërmit e tyre, ku po e kontrollojnë pronarin legjitim se a mos po bën dallavere në shitje dhe në numërimin e fitimit ditor apo mujor", theksoi ai. "Kjo po ndodh për shkak se askush nga Prokuroria dhe Gjykata nuk po guxojnë që ta drejtojnë gishtin tek këta mafio-oligarkë, të cilët u kënaqën duke u pasuruar në krahë të qytetarëve të mjerë dhe të cilët gjithashtu janë në haraç", tha më tej Grapci. Sipas tij, kjo po ndodh sepse askush nuk po del në mbrojtje të pronarëve të këtyre bizneseve të mëdha, që janë viktima të haraçit. "Andaj, e vetmja mënyrë për ta luftuar këtë dukuri është fuqizimi i ligjit dhe arrestimi i atyre që po pasurohen përmes kërcënimeve dhe haraçit", ka potencuar ai. Sipas Grapcit mund të themi lirshëm se mbrapa këtyre kompanive të mëdha dhe monopolit ekonomik qëndrojnë figurat më të larta të shtetit, që e kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës. "Prandaj, jam i mendimit se qytetarët tanë e kanë shpresën vetëm te Gjykata Speciale, sepse vetëm ajo mundet të lëkundë 'bosët' kryesorë të monopolit politik, ekonomik, që kanë shkatërruar Kosovën", ka thënë Grapci.

 

(Kosova Sot)