Triumf i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët mbajnë Senatin - Lajme - Kosova Sot
Triumf i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët mbajnë Senatin

Triumf i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët mbajnë Senatin

Presidenti Donald Trump përshëndeti 'fitoren e madhe' të tij në fund të ditës së zgjedhjeve, duke kritikuar mediet dhe republikanët se e kishin shmangur atë në momentin kur demokratët e fuqizuar të Dhomës së përfaqësuesve ishin përkushtuar për të hetuar administratën dhe financat e tij. Trump shpalli fitoren pasi që republikanët mposhtën disa demokratë të Senatit, të cilët me dëshpërim mundoheshin që të mbaheshin në shtetet republikane. Por, ishte marrja e Dhomës së Përfaqësuesve ajo që prishi balancën e fuqisë në Uashington. Pritej që Trump të mbante një konferencë për shtyp të mërkurën në mëngjes, për t'iu adresuar botës së re politike. Edhe derisa ai postonte në internet, votat vazhdonin që të numëroheshin në një garë në Montana, ku Trump kishte shprehur përkushtimin për ta mposhtur demokratin Jon Tester. Votat vazhdonin që të vinin edhe në Arizona, në luftë e sipër për një ulëse në Senat. Votat në Florida pritej të rinumëroheshin derisa guvernatori Rick Scott, i cili kishte bërë kampanjë të ngushtë me presidentin Trump, gëzon një përparësi, por as demokrati Bill Nelson ende nuk është dorëzuar. Ligji shtetëror parasheh një rinumërim automatik nëse dallimi në vota është 0.5%, apo më pak. 'Ata që kanë punuar me mua në këto zgjedhje afatmesme, duke përqafuar ca politika dhe parime, kanë bërë punë të mirë. Ata që nuk e kanë bërë këtë, le t'iu themi lamtumirë! Dita e votimeve ishte ditë e fitores së madhe, përkundër presionit të madh të medieve", shkroi Trump të mërkurën, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në Senat këndohet një këngë tjetër

Në Arizona, republikania Martha McSally mori 49.3% të votave, derisa demokratja Kyrsten Sinema 48.4%, por ende nuk është shpallur fitorja. Një ulëse republikane në Senat u humb në Nevada, ku Jacky Rosen mundi senatorin Dean Heller, në një shtet i cili është bërë më i ndryshëm. Ai ishte senatori i vetëm që përfaqësonte një shtet që kishte qenë pro Hillary Clinton-it. 

Bazuar në votat e numëruara deri të mërkurën në mëngjes, demokratët pritet të marrin 229 ulëse në Dhomën e përfaqësuesve, duke tejkaluar kështu numrin prej 218 ulëseve që nevojiten për ta pasur një shumicë. Por, në Senat këndohej një këngë tjetër. Me vetëm një të tretën nga gjithsej 100 ulëse në votim, republikanët pritej ta rrisnin shumicën e tyre aktuale prej 51 ulëseve, me një shumicë prej 54 ulëseve, derisa demokratët do të kishin vetëm 46 ulëse. Në zgjedhjet e së martës u nxorën në votim edhe 36 nga gjithsej 50 postet e guvernatorëve, ku edhe këtu pati rezultate të përziera. Disa nga caqet kryesore demokrate, sikur Florida dhe Merilend, ranë në duart e republikanëve, por ata korrën fitore edhe në Miçigan, Kansas, Uiskonsin dhe Ilinoi. Në Gjeorgji, kandidati demokrat Stacey Abrams refuzoi të mërkurën në mëngjes ta pranonte humbjen. Në ulësen e Senatit për shtetin Montana, ish menaxheri i kampanjës së Obamas, Jim Messina, që jeton në këtë shtet, tha se, bazuar në rezultatet preliminare, pritet që të fitojë Tester. 

Demokratët janë duke u përgatitur për të vepruar

Në garën e vështirë për postin e guvernatorit të Gjeorgjisë, republikani Brian Kemp mori 50.5% të votave, pas numërimit të plotë të tyre. Edhe pse pritej që të kishte rinumërim të votave, duket se ka dështuar ëndrra e Stacey Abramsit që të bëhej guvernatori i parë femër zezake në SHBA. Trump postoi të martën, duke thënë se ditën e zgjedhjeve e konsideron 'sukses të jashtëzakonshëm', pak orë pasi u bë e qartë se Partia demokratike do ta kontrollojë Dhomën e përfaqësuesve gjatë dy viteve të ardhshme. Në ndërkohë, demokratët janë duke u përgatitur për të vepruar. 'Me gjasë do të kërkojmë kthimet tatimore të Trumpit", thanë përfaqësuesit Elijah Cummings dhe Jerrold Nadler. Në anën tjetër, këshilltarja e presidentit, Kellyanne Conway, iu tha gazetarëve se demokratët 'mund të provojnë ta bëjnë një gjë të tillë'. 'Mos është kjo një kafshatë tepër e madhe për ta... ndoshta është e tepërt që ata ta shpenzojnë tërë kohën duke tentuar që të akuzojnë njerëzit', tha Conway. Nadler tha se ishte tepër herët të thuhet diçka konkrete për "impeachment"-in e Trumpit, por se nuk mund ta përjashtojë atë mundësi. 

 

(Kosova Sot)

17 orë e 30 minuta më parë
15/11/18