Kuislingu Thaçi dhe marioneta Pacolli rrezikojnë territorin dhe njohjet

  • 08 November 2018 - 07:52
Kuislingu Thaçi dhe marioneta Pacolli rrezikojnë territorin dhe njohjet

Qarri: Përderisa Thaçi flet për shkëmbim të territoreve, ndërsa Pacolli edhe për heqjen e kufijve me këtë shtet okupues, Serbia ka bllokuar njohjet

"Defensiva e Kosovës në politikën e jashtme i ka hapur rrugën Serbisë për lobim kundër shtetit të Kosovës, gjë që më nuk po flitet për njohje, por për tërheqjen e tyre. Për këtë situatë inferiore të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duhet të thirret sa më parë një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, për të kërkuar llogari ndaj shefit të shtetit dhe shefit të diplomacisë së jashtme, për një katandisje të tillë të shtetit, e pse jo të kërkohet edhe shkarkimi imediat i tyre", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Analistët politikë, përfaqësues të partive politike në opozitë, por edhe qytetarët e anketuar nga gazeta, po e shohin të ardhmen e Kosovës, në këtë mandat qeverisës, të rrezikuar më shumë se kurrë ndonjëherë, që nga paslufta e deri më sot, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, pasi, sipas tyre, diplomacia kosovare po vendnumëron në pikën zero, derisa Serbia tani ka filluar edhe të tallet me politikanët e nënshtruar ndaj saj, sikur që janë Hashim Thaçi dhe klika e tij, i cili kinse po flet për shkëmbim të territoreve, e në anën tjetër Serbia po lobon intensivisht dhe publikisht, që shtete të ndryshme të tërheqin njohjet dhe pavarësisht faktit se Ministria e Jashtme nuk po e pranon, derisa janë së pakut 10 njohje të cilat deri më tash, sipas deklarimeve të vetë shteteve dhe zyrtarëve serbë, janë tërhequr. Analistët, por edhe qytetarët, theksojnë se diplomacia e dobët e Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit e ka përforcuar dukshëm pozitën diplomatike të Serbisë armike për çështjen e Kosovës, ndërkaq që e ka dobësuar shtetin tonë karshi Serbisë në arenën ndërkombëtare, pasi prioritetet e politikës së jashtme, në vend se të jenë afatgjata, po ndryshohen përditë për teke dhe qejfe personale të shefit të shtetit dhe shefit të diplomacisë, duke krijuar kështu konfuzion dhe situata të papëlqyera para partnerëve ndërkombëtarë, ku stopimi i procesit të njohjeve është vetëm një nga pasojat e kësaj politike të jashtme të çakorduar, të papërgatitur dhe tepër të dëmshme për shtetin e Kosovës. Diplomacia sharlatane injoroi kërcënimet serbe Sipas Adem Salihajt, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, ish-kryetar komune në Ferizaj dhe ishzv.kryeministër i  Kosovës, tanimë me këtë qeverisje aktuale, Kosova jo vetëm që ka stagnuar në procesin e njohjeve, por ka stagnuar në të gjitha proceset e tjera, si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve antikombëtare e antishtetërore të Hashim Thaçit. "Rrota e Kosovës tashmë është duke ecur mbrapsht, ka rrezik të madh që të humbim edhe atë që kemi arritur deri më tash. Krejt kjo po ndodh, sepse vetë Hashim Thaçi,ne cilësinë e presidentit të Kosovës, e vuri në pyetje shtetësinë dhe pavarësinë e saj,duke e bërë objekt negociatash me Serbinë. Thaçi u pajtua plotësisht me konceptin serb se çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur dhe se ajo mund të zgjidhet vetëm me pajtimin e Serbisë", u shpreh ai. "Duke marrë parasysh se edhe presidenti i Kosovës po flet botërisht se çështja e Kosovës nuk është e zgjidhur dhe e definuar dhe se ajo mund të zgjidhet vetëm me pajtimin e Serbisë,atëherë shtetet e ndryshme nuk po duan ta njohin një vend që s'e ka të zgjidhur statusin e shtetit. Madje, tash është paraqitur rreziku i ri i tërheqjes së njohjeve, sepse po e shohin se as vetë presidenti i Kosovës nuk e njeh shtetin e tij", theksoi më tutje Salihaj."Ne i kemi marrë me tallje kërcënimet e Serbisë, madje as tash askush s'po i merr seriozisht, e ky është një gabim shumë i madh e politikës kosovare. Serbia po synon që numrin e njohjeve ta reduktojë në 96, gjë që nuk duhet nënçmuar aspak një rrezik të tillë. Serbia, me ndihmën e Hashim Thaçit, ka rrezik ta arrijë këtë. Një diplomaci e hendikepuar me njerëz të shitur e sharlatanë, nuk ka asnjë gjasë serioze që ta mbrojë shtetin e Kosovës. Fakti se nuk kemi asnjë njohje të re që më tepër se një vit tregon dështimin e plotë të diplomacisë së Kosovës. Fakti se, si pasojë e veprimeve të rrezikshme të Thaçit, Kosova mund ta humbë një pjesë të madhe te territorit të saj, mund ta çojë Kosovën drejt shpërbërjes si shtet. Tashmë shtete të mëdha kanë filluar ta pranojnë këtë realitet dhe kanë filluar pazaret për interesat e tyre, duke e përdorur Kosovën si monedhë për kusuritje. Për fatin tonë të keq, historia jonë po përsëritet si pasojë e tradhtive të mëdha", tha Salihaj për "Kosova Sot". Qytetarët vënë alarmin Edhe qytetarët e rastit, të pyetur nga gazeta, janë tepër të shqetësuar për faktin se tani Kosova ka një diplomaci të dobët e kurrëfare, që e drejtojnë Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli. Qytetari Salih Salihi mendon se që të dy, edhe Thaçi edhe Pacolli, janë këmbë e krye në shërbim të Serbisë edhe aspak në shërbim të shtetit të Kosovës. "Kjo politika jonë jashtme me të vërtetë është në defensivë, sepse që të dy këta po më duket se janë në shërbim të Serbisë, edhe Thaçi edhe Pacolli, që të dytë. Këta mendoj që jo se i bëjnë këto gjëra pa qëllim, por i bëjnë edhe me qëllim këto, dhe mund të ndodhë që këta vetë u kanë dërguar sinjale disa shteteve të vogla që ato të ritërheqin njohjet për të na mashtruar dhe për të na alarmuar neve si qytetarë të Kosovës, neve si popullatë, duke na e tërhequr vërejtjes se ja çka po ndodh me tërheqjen e njohjeve nga ndikimi i Serbisë, e mund të ndodhë edhe më keq, si për liberalizim vizash edhe tash për njohje, në mënyrë që këta t'i bëjnë pazaret e tyre me Serbinë", u shpreh ai. Sipas tij, po del që edhe vetë Pacolli është në shërbim të rusëve dhe të serbëve. "Sa për Hashim Thaçin, kjo po shihet hapur derisa tha para zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian se ata duhet të na lënë neve që vetë t'i zgjidhim problemet me Serbinë, sepse jemi fqinjë dhe bisedojmë. E, ne e dimë se si i ndreq punët Serbia, derisa çdo ditë po lobon kundër pavarësisë sonë", tha Salih Salihi për "Kosova Sot". Një gjë të tillë e pohon për "Kosova Sot" edhe qytetari Islam Visoka. "Kjo për mendimin tim është edhe më tepër se tallje me popullatën, por edhe me shtetin e Kosovës jo vetëm nga Serbia, por edhe nga ana e presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, por edhe nga ana e ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacollit. Realisht, tani duke i njohur me rrënjë këto dy figura në këto 20 vjet, por edhe duke ua njohur të kaluarën dhe të bëmat e tyre, unë personalisht si person nuk pres mrekulli të tyre të mira, por vetëm dëme dhe kë këqija të vazhdueshme që këta mund t'i sjellin shtetit, vendit dhe kësaj popullate. Edhe në këtë rast jam më se i sigurt që presidenti Thaçi, duke qenë njëri nga të dyshuarit prej Gjykatës Speciale, është në gjendje që të pranojë çdo gjë që ofron Serbia vetëm e vetëm që të shpëtojë nga më e keqja. Mirëpo, është pak për t'u habitur me popullatën e Kosovës që vetëm po i vëzhgon këto zhvillime", u shpreh ai. Sipas Visokës, bisedimet do të vazhdojnë prapë me Serbinë, por ndërkohë po vazhdojnë edhe tërheqjet e njohjeve dhe kurrë situatë më e keqe nuk ka qenë për Kosovën prej formimit të shtetit se në këto dy vitet e fundit.

PRESIDENTI I NËNSHTRUAR Veprimtari Ibrahim Kelmendi tha për "Kosova Sot" se ai kaherë ka qenë një nga kritikët e mëdhenj të "martesës" Thaçi- Pacolli dhe bashkëjetesë së tyre në politikë e në diplomaci. " Moti i kam shprehur mendimin, marionetat, kolaboracionistët, kuislingët, nuk kanë autonomi për të pasur ide e iniciativa të tyre, ata janë të detyruar të zbatojnë urdhrat e eprorëve të tyre! Gjithashtu, kam shpreh mendimin se Serbia e ka komanduar kuislingun Thaçi të zhurmojë për 'idenë' e 'korrigjimit të kufijve' (ndoshta nuk e di se me Serbinë kemi vetëm një kufi, nuk kemi shumë) dhe 'bashkimit të Luginës...' Kjo i duhet për disa arsye Serbisë. Më kryesorja është, për të anashkaluar kushtëzimin që përmban kapitulli 35 i BE-së: 'marrëveshje për mirëkuptim me Kosovën'. Serbia, në fakt, nuk do të anëtarësohet në BE, por do t'i grabitë rreth 900 milionë euro në vit nga BE-ja, si subvencione për zhvillim të shpejtuar ekonomik, të bëhet në gjendje për anëtarësim në BE. Prandaj, do ta anashkalojë atë kushtëzim, por tani me arsyetimi, se nuk mund të bëjmë marrëveshje me Kosovën, meqë ka pretendime territoriale ndaj Serbisë. Ky 'zhurmim' i 'Hashimit' mund të ketë edhe pasoja të tjera, si anulimi i njohjeve të deritanishme, sepse dikur humbin durimin edhe përkrahësit e pavarësisë nga kjo 'aventurë' e 'presidentit' Thaçi. Dëshmi për komplot të radhës, tepër goditës, është edhe emërimi i Pacollit zv/kryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm.", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

BANDA NË PUSHTET Sipas analistit Gani Qarri, pa rrëzimin e kësaj bande politike nga pushteti, nuk do të shënohet më kurrë zhvillim, arritje as prosperitet. "Skandalet dhe aventurat e njëpasnjëshme të udhëheqësve kontrovers e mercenarë, Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit, bënë që Serbia jo vetëm të tallet me politikanët e nënshtruar ndaj saj si kolaboracionisti Hashim Thaçi dhe klika e tij,por edhe të shënojë avantazh aq të theksuar ndërkombëtar në raport me Kosovën, saqë Serbia të ndikojë me shumë sukses si dhe të lobojë publikisht dhe në mënyrë intensive që shtetet e ndryshme të tërheqin njohjet. Përderisa Thaçi flet për shkëmbim të territoreve, ndërsa Pacolli edhe për heqjen e kufijve me këtë shtet okupues të Kosovës, Serbia në anën tjetër, duke shfrytëzuar me mjeshtri naivitetin e tandemit më tragjikomik që ka pasur ndonjëherë Kosova, si Thaçi e Pacolli, jo vetëm se ka bllokuar tërësisht njohjet, por pavarësisht faktit që Ministria e Jashtme ende nuk e pranon publikisht, ndonjë nga njohjet ndoshta edhe vërtet mund të jetë tërhequr. Për fatin e keq të Kosovës, diplomacia tepër e dobët dhe kurrfarë e Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit ka përforcuar dukshëm pozitën diplomatike të Serbisë armike për çështjen e Kosovës, ndërkaq e ka dobësuar aq shumë shtetin tonë karshi Serbisë në arenën ndërkombëtare, sikur Serbia të ishte viktimë dhe jo Kosova, ani pse Kosova iu nënshtrua për vite me radhe agresionit të Milosheviqit dhe jo vetëm të atij, të përkrahur dhe mbështetur hapur edhe nga vetë Aleksandër Vuçiqi, siç dëshmoi së fundmi ai vetë gjatë vizitës në Mitrovicë dhe në Kosovë", tha Qarri për "Kosova Sot". Gani Qarri

ZEQA: HASHIM THAÇI ME IDETË E TIJ TË ÇMENDURA PËR KORRIGJIM TË KUFIJVE PO E DËMTON KOSOVËN Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se diplomacia e dobët dhe pa vizion e Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit ka përforcuar dukshëm pozitën diplomatike të Serbisë armike për çështjen e Kosovës, ndërkaq që e ka dobësuar shtetin tonë karshi Serbisë në arenën ndërkombëtare."Madje, Serbia ka filluar të tallet me politikanët e nënshtruar asaj, si Hashim Thaçi dhe klika e tij, i cili kinse po flet për shkëmbim të territoreve, e në anën tjetër Serbia po lobon intensivisht dhe publikisht, që shtete të ndryshme të tërheqin njohjet dhe pavarësisht faktit se Ministria e Jashtme nuk po e pranon, disa njohje tashmë janë tërhequr. Dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme janë duke e shkatërruar imazhin Republikës së Kosovës në botë, siç po e dëmtojnë deri në nënshtrim të pashembullt deklaratat prej kuislingu të Hashim Thaçit për pazare dhe ndarje të Kosovës, për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Si pasojë e diplomacisë së dobët, pozita ndërkombëtare e Kosovës në botë është në pozitën më të dobët që ka qenë ndonjëherë dhe kësaj i ka kontribuar më së shumti Hashim Thaçi me idetë e tij të çmendura për korrigjim të kufijve që s'janë gjë tjetër, pos ndarje e territorit të Kosovës për Serbinë armike", theksoi ai. "Deri te kjo ka ardhur shkaku i dy bartësve të politikës së jashtme, Thaçit e Pacollit pa vizion dhe pa strategji si dhe me prioritete të gabuara dhe afatshkurtra në politikën e jashtme! Në vend se prioritetet të jenë afatgjata, ato ndryshohen për ditë për teke dhe qejfe personale të shefit të shtetit dhe shefit të diplomacisë, duke krijuar kështu konfuzion dhe situata të papëlqyera para partnerëve ndërkombëtarë, ku stopimi i procesit të njohjeve është vetëm një nga pasojat e kësaj politike të jashtme të çakorduar, të papërgatitur dhe tepër të dëmshme për shtetin e Kosovës në të ardhmen e afërt", vijoi më tej Zeqa.

BISLIMI: DEKLARATAT PREJ KUISLINGU TË HASHIM THAÇIT PËR PAZARE DHE NDARJE TË KOSOVËS PO E SHKATËRROJNË SHTETIN E KOSOVËS Edhe sipas politologes Liridona Bislimi, Serbia tani ka shumë arsye që po tallet me politikanët e saj të nënshtruar, si Hashim Thaçi dhe klika e tij, derisa ky i fundit kinse po flet për shkëmbim të territoreve, e në anën tjetër Serbia po lobon intensivisht dhe publikisht, që shtete të ndryshme të tërheqin njohjet dhe pavarësisht faktit se Ministria e Jashtme nuk po e pranon, disa njohje tani veç janë tërhequr, raportohet deri tani për 10 njohjet të tërhequra si pasojë e kundërlobimit serb për pavarësinë e Kosovës. Ajo thotë se duhet rikujtuar edhe njëherë që në fillimin e këtij viti, më saktësisht më 10 janar 2018, u paraqit raportimi i medieve serbe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shteti i Guinea-s, ku tashmë ata kishin publikuar edhe një dokument siç thuhej se është dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Guinea-s dhe aty doli informata zyrtare e saktë. "Në dokument shkruante se është vendosur që ky shtet të revokojë njohjen e Kosovës, si një shtet të pavarur dhe sovran. Në maj të këtij viti mediet serbe njoftojnë se Gana do ta shqyrtojë vendimin për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke raportuar edhe rreth një takimi të kryetares së Parlamentit të Serbisë, Maja Gojkoviq dhe kryetarit të Parlamentit të Ganës, Aron Michael Oquaje. Pastaj në muajin qershor 2018, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Liberisë, Gbezongar Milton Findley, të cilin ai e kishte falënderuar për, siç tha ai, vendimin e vendit të tij për të anuluar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më 20 korrik 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka falënderuar ministren e Jashtme të Surinamit,Yldiz Pollack-Beighle, për, siç tha, vendimin e këtij vendi për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës", vijoi më tej ajo. "Pas këtyre ngjarjeve që u cekën më lart, nëse bëhet një analizë, vërehet shumë lehtë që pozita ndërkombëtare e Kosovës në botë është në pozitën më të dobët që ka qenë ndonjëherë dhe kësaj i ka kontribuar më së shumti Hashim Thaçi me idetë e tij të çmendura për korrigjim të kufijve që s'janë gjë tjetër, pos ndarje e territorit të Kosovës për Serbinë. Dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës dalëngadalë po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës, siç po e dëmtojnë deri në nënshtrim të pashembullt deklaratat prej kuislingu të Hashim Thaçit për pazare dhe ndarje të Kosovës, për të shpëtuar ai vetë nga Gjykata", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot". 

PASUESIT E ALI SHUKRIUT E SINAN HASANIT Sipas analistit Reshat Badallaj, në këtë rrafsh nuk mund të pritet diçka më mirë derisa në pozita akoma janë ish- shërbëtorët e regjimit të kaluar me trung e me rrënjë. "Qentë e Titos dikur të sojit të Ali Shukriut, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës, Azem Vllasit, Rrahman Morinës, tani Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli, proserbi dhe prorusi, janë të nënshtruarit më të mëdhenj të Serbisë fashiste që njeh historia shqiptare. Hashim zeza, më herët nënshtrues tinëzar, tani hapur është në gjendje t'i shesë çdo gjë Serbisë, për ta shpëtuar lëkurën e tij kriminale e hajdute deri në fyt nga Gjykata Speciale, kurse xhambazi dhe gjysmë-analfabeti e ka vetëm për përfitime të tij personale për të mbushur xhepat. Ky xhambaz nga goja e tij e ka thënë se Kosova nuk mundet pa Serbinë dhe ky hajvan edhe sot po i mbetet besnik Serbisë fashiste. Pra, merreni me mend se deri në çfarë derexhe të vdekjes ka ardhur Kosova, në dorën e këtyre mangupëve dhe pazarxhinjve. Kjo është ajo kur thosha se këta vagabondë nuk dolën nga vota e lirë e popullit, por dolën me anë të pazareve të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale dhe nuk ishte çudi që do të bëhen nënshtrues dhe puthadorë të kumbarëve të vjetër të Serbisë gjakatare e kriminele", tha Badallaj për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)