20 miliardë nga Kosova në xhepin e Serbisë - Lajme - Kosova Sot
20 miliardë nga Kosova në xhepin e Serbisë

20 miliardë nga Kosova në xhepin e Serbisë

Tarifa 10 për qind mund ta pësojë si herën e kaluar

P avarësisht politikës destruktive e armiqësore në raport me vendin tonë nga Beogradi zyrtar, për gati dy dekada Kosova ka qenë e vërshuar, e bile edhe e nënshtruar, nga importet prej Serbisë. Për gati dy dekada, afro 20 miliardë euro të kosovarëve kanë përfunduar në xhepat e tregtarëve dhe shtetit serb, pa harruar këtu edhe hisen e pushtetarëve tanë të inkriminuar, që përfitonin qindra miliona euro nga ky biznes edhe kriminal, shpesh ose gati gjysma informale dhe përmes kontrabandës së pashembullt e kriminale për vendin. Prandaj jo rastësisht veriu i Kosovës ka mbetur një oazë e krimit të organizuar, ku serbë e shqiptarë mercenarë kanë vepruar në partneritet të plotë, me dijeninë dhe miratimin e qeverive respektive të tejinkriminuara. Ndërkaq, sipas specialistëve, e tëra kjo po ndodh ngase kompani të mafio-oligarkëve që ua 'lagin fytin' të gjitha pushteteve po importojnë grurë për kafshë, ndërkaq kosovarëve ua shesin më pas si miell human për njerëz. Prandaj, vlerësohet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën në importe për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në vlerën 10 për qind për të gjitha produktet që vijnë nga këto shtete është i drejtë, por i vonuar dhe njëkohësisht ekziston frika se mund të jetë i përkohshëm. Kjo ngase, sipas tyre, edhe tentativat e mëhershme për të taksuar importet nga shtetet që nuk e njohin Kosovën kishin dështuar pas presioneve që kanë ardhur nga vendet e prekura tek qeveritarët tanë të nënshtruar e marioneta të Serbisë. Prandaj, analistët vlerësojnë se pas këtij vendimi pritet që kontrabanda dhe informaliteti të shtohen dukshëm dhe vetë autoritetet tona do ta lejojnë një gjë të tillë për përfitime kriminale. Sipas deputetëve të opozitës, edhe kjo është një arsye shtesë se përse investitorët vendorë, që nuk janë pjesë e klaneve kriminale në këtë ambient të përkeqësuar biznesor, po i shikojnë mundësitë për ta zhvendosur kapitalin e të mos rrezikojnë më asnjë cent në Kosovën e kapur kriminalisht nga mafio-oligarkët kosovarë të lidhur me Serbinë fqinje. Investitorët duan të largohen Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën "Kosova Sot", thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën në importe për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në vlerën 10 për qind për të gjitha produktet që vijnë nga këto shtete, është i drejtë, por i vonuar. "Kam frikën se edhe ky vendim mund të jetë i përkohshëm, ngase edhe tentativat e mëhershme për të taksuar importet nga shtetet që nuk e njohin Kosovën kishin dështuar pas presioneve që kanë ardhur nga vendet e prekura tek qeveritarët tanë të nënshtruar e marioneta të Serbisë", theksoi ai. "Kjo është edhe një arsye shtesë se përse investitorët vendorë, që nuk janë pjesë e klaneve kriminale, në këtë ambient të përkeqësuar biznesor po i shikojnë mundësitë për ta zhvendosur kapitalin e të mos rrezikojnë më asnjë cent në Kosovën e kapur kriminalisht nga mafio-oligarkët kosovarë të lidhur me Serbinë fqinje", potencoi Salihu. Ndërsa, Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot", thotë se vërtet këto shifra na tregojnë se kjo është një tragjedi kombëtare, ngase për gati dy dekada afro 20 miliardë euro të kosovarëve kanë përfunduar në xhepat e tregtarëve dhe shtetit serb."Nuk duhet harruar këtu edhe hisen e pushtetarëve tanë të inkriminuar që përfitonin qindra miliona euro nga ky biznes edhe kriminal, shpesh gati gjysma informale dhe përmes kontrabandës së pashembullt e kriminale për vendin", vijoi më tej ai. Serbia, eksportuesja kryesore e informalitetit Bankieri Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se shteti serb në 19 vitet e shtetndërtimit të Kosovës ka qenë pengesa kryesore drejt zhvillimit politik, demokratik dhe ekonomik të Kosovës."Serbia është jo vetëm eksportuesja kryesore e mallrave në Kosovë, por edhe eksportuesja kryesore e krimit ekonomik, kontrabandës dhe informalitetit. Edhe pse SHBA-ja dhe NATO-ja na kanë ndihmuar gjatë luftës për ta shporrë Serbinë nga Kosova, pas luftës ajo po rikthehet fuqishëm, edhe me bekimin e BE-së, në të gjitha poret e jetës në Kosovë", potencon ai. "BE-ja e di fare mirë se Serbia me strukturat e saja shtetërore është e shtrirë jo vetëm në veriun e Kosovës dhe këto struktura pa përjashtim janë kriminale, ndërsa hesht. Disa vende të BEsë, faktikisht, janë bërë tellall i Serbisë në Kosovë dhe shqetësohen shumë kur shteti i Kosovës u thotë stop shantazheve të Serbisë", vlerësoi më tej Abazi."Në dialogun e deritashëm me Serbinë, të zhvilluar në Bruksel, faktikisht Kosova s'ka fituar asgjë, vetëm se e ka përligjur rikthimin e Serbisë në Kosovë. Fajet këtu janë të përbashkëta, të Kosovës me BE-në, por natyrisht barrën kryesore të fajësisë duhet ta bartin përfaqësuesit e Kosovës në dialog, të cilët vazhdimisht kanë lëshuar pe në dëm të Kosovës dhe për interesat personale", ka thënë ai. Kosova të tërhiqet nga CEFTA Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se me vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës prej 10 për qind për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, Kosova bie ndesh me parimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. "Me marrëveshjen CEFTA është e paraparë që të gjitha produktet dhe mallrat në mes shteteve që janë anëtare të CEFTA-s të lëvizin në mënyrë të lirë, pa vendosjen e taksave të ndryshme. Kosova është aktualisht kryesuese e CEFTA-s, siç dihet CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor", u shpreh ai. Sipas Beqirit, janë rreth 20 miliardë euro të kosovarëve që kanë përfunduar në xhepat e tregtarëve dhe shtetit serb në këto vitet e fundit dhe asnjë veprim nga Qeveria e Kosovës."Tashmë ka marrë vendim për tarifën prej 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjës, duke përjashtuar produktet ndërkombëtare, por gabimi është se Kosova ka lejuar në këtë tarifë edhe prodhuesit shqiptarë të Luginës, që mendoj se është padrejtësi", vlerësoi ai. Sipas Beqirit, Kosova duhet që të mbështesë prodhuesit vendorë, jo të vendosë tarifa që e dëmtojnë imazhin në arenën ndërkombëtare. Ai shprehet se mënyra e vetme e Kosovës për të mos tërhequr vendimin për taksen prej 10 për qind për produktet serbe është largimi i Kosovës nga marrëveshja e CEFTA-s. Edhe Hasani vendosi taksë, por ia shfuqizuan shpejt Eksperti i ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se taksa të tilla pati vendosur edhe ministri Bajram Hasani i MTI-së për importin e miellit nga Serbia, por e keqja është se ato taksa nuk u respektuan dhe nuk ishin jetëgjata. "Ky vendim i Qeverisë për taksat për 10 për qind për mallrat serbe dhe ato nga BeH është vendim shumë i mirë dhe i qëlluar, ngase importe vjetore nga Serbia janë 800 milionë euro, kurse po eksportojmë në Serbi vetëm 5-20 milionë. Madje as me Rusinë si aleat kryesor i Serbisë nuk është aq i volitshëm dhe i favorshëm këmbimi tregtar i Serbisë. Ndaj është një vendim i mirë i Qeverisë sonë për këto taksa të mallrave nga Serbia, në veçanti, prandaj nëse këto vendime zbatohen do të jenë të mirëseardhura, sepse është vërtet tragjike që për 20 vjet të paspavarësisë bizneset kosovare kanë importuar 20 miliardë euro mallra nga Serbia", potencoi Halimi. "Qeveria e Kosovës në të ardhmen duhet që të bëjnë shumë më shumë që të përkrahet prodhimtaria vendore. Sepse pa prodhim nuk ka rritje ekonomike, ngase në vitin e kaluar eksportet tona ishin vetëm 340 milionë euro kurse importe mbi 3 miliardë e 500 milionë euro. Prandaj, nëse edhe në të ardhmen vazhdon ky import në këtë trend, kjo do të jetë fatale për ekonominë tonë", vlerësoi ai."Kam frikën se me këto masa do të rritet edhe informaliteti në veri të vendit, që është bërë që nga paslufta e deri më sot, ngase sipas Bankës Botërore informaliteti në Kosovë sillet për afro 40 për qind. Prandaj, lokomotiva kryesore e zhvillimit të shtetit të Kosovës do të mbetet prodhimi, sepse në drejtim të varjes nga importi kontribuoi edhe procesi fatal i privatizimi,t ku 95 për qind të aseteve u shitën për 650 milionë euro, kurse në Serbi vetëm Fabrika e Duhanit në Nish është shitur aq", ka theksuar Halimi.

RECIPROCITET NDAJ INVAZIONIT "Procesi i privatizimit ishte një veprim dhe strategji fatale shkatërrimtare e ndërkombëtarëve, e ndihmuar nga sahanlëpirësit tanë pushtetarë që i shkatërruan qëllimshëm fabrikat që i kishte dikur Kosova. Prandaj Kosova duhet të vendosë masa reciprociteti ndaj invazionit të mallrave serbe", tha Sejdi Halimi për "Kosova Sot" VERIU, OAZË KONTRABANDE "Nuk është e rastësishme asgjë, sepse që nga paslufta veriu i Kosovës ka mbetur një oazë e krimit të organizuar, sepse serbët e shqiptarë mercenarë kanë vepruar në partneritet të plotë, me dijeninë dhe miratimin e qeverive respektive të zhytura në krim e kontrabandë. Andaj, Qeverisë 'Haradinaj' i mbetet një barrë e madhe, e trashëguar që nga paslufta, që të vendosë rendin dhe ligjin në Kosovë, përfshirë këtu edhe veriun e rebeluar", u shpreh Ramadan Maloku për 'Kosova Sot

TË ANULOHEN MARRËVESHJET E DËMSHME "Qeveria e Kosovës tash ka bërë mirë që ka vendosur taksë prej 10 për qind në mallrat me origjinë serbe dhe duhet të vazhdojë me këmbëngulje të ndërrojë kursin e deritanishëm në dialog me Serbinë. Unë mendoj se Kosova duhet t'i shpallë nul të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash në Bruksel, pa marrë parasysh presion e BE-së", tha Milazim Abazi për "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)

2 orë e 18 minuta më parë
15/11/18