KAPITI: SI MUND T'I JUSTIFIKOJNË PAGAT KËTA PROKURORË E GJYQTARË?!

  • 09 November 2018 - 14:42
KAPITI: SI MUND T'I JUSTIFIKOJNË PAGAT KËTA PROKURORË E GJYQTARË?!

Sipas ekspertit Skënder Kapiti, fakti i pabesueshëm se ka rreth gjysmë milioni lëndësh apo dosjesh të pashqyrtuara nga gjyqësori në Kosovë, ku Kosova si shtet ka 2 milionë banore ndoshta kjo përbën rast unik global papërgjegjshmërie, mosfunksionimi dhe dështimi të sistemit të drejtësisë. "Si ka mundësi kjo papërgjegjshmëri dhe kjo mungesë etike, mungesë morale dhe kjo antiligjshmëri dhe nëpërkëmbje e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët e prokurorët, dhe si ka mundësi një guxim kaq i madh i këtij gjyqësori? Si e justifikojnë ata postin dhe paranë që marrin nga taksapaguesit? Ku e gjejnë ata këtë të drejtë veprimi e mosveprimi vetëgjyqësie apriori që bëjnë me drejtësinë . Atëherë duhet të rezultojë se këta gjyqtarë e prokurorë i shqyrtojnë lëndët e seleksionuara për në shërbim të politikanëve, për mbrojtjen dhe dhënien e pafajësive për ta; i shqyrtojnë ato lëndë prej të cilave ata përfitojnë personalisht nga shitblerja e të drejtave dhe të ligjit, nga korrupsioni dhe matrapazllëqet e tjera", vlerësoi Kapiti. Sipas tij, kjo neglizhencë kriminale indiferentizmi dhe papërgjegjshmërie ndoshta e ka burimin edhe te urdhrat e politikës dhe të korrupsionit me qëllim të zvarritjes e të skadimit të afateve ligjore të padive të qytetarëve, ndoshta edhe ajo se në shumicën e këtyre lëndëve që duhen gjykuar janë personazhet VIP-a të politikës, pushtetit dhe e të fortëve të krimit e korrupsionit të lidhur me ta. "Gjyqtarët e prokurorët kosovarë nuk duan dhe janë kundërshtarët më të mëdhenj, së bashku me politikanët e kriminalizuar e të korruptuar, kundër VETTING-ut, pasi një hetim i bërë ndaj tyre do ta shembte korporatën mafio-oligarkike fitimprurëse të politikës e gjyqësorit", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)