Pushteti mori 'tallin', lejoi ekspansionin serb në tregun kosovar

  • 11 November 2018 - 08:11
Pushteti mori 'tallin', lejoi ekspansionin serb në tregun kosovar

Kelmendi: "ETC"-ja, " Viva-Fresh"-i dhe "Super-Viva" ," Devolli",të gjitha këto kompani po i sjellin mallrat nga Serbia

Që nga pas lufta e deri më sot, të gjitha qeveritë e shtetit të Kosovës e lanë Serbinë që ta pushtojë tregun kosovar dhe ta zhvatë paranë e qytetarëve, duke ia mundësuar që për afro dy dekada të sjellë produktet e prodhuara në linja të posaçme për Kosovën,edhe atë përmes përfaqësuesve të saj, si deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi me kompaninë e tij "ELKOS"-in, por edhe shumë afaristë të tjerë, të cilët ose janë vetë në politikë ose financojnë pothuajse të gjitha partitë politike në pushtet, duke futur mallra në të zezën dhe duke hyrë pa doganë në Kosovë, thonë analistët. Deputetët e opozitës dhe analistët pyesin se përse kompanitë oligarkike kosovare që janë "vëllazëruar" me kompanitë serbe e kanë ekskluzivitetin e importimit të mallrave të tyre, si është ajo e deputetit Ramiz Kelmendi me " ELKOS"-in e tij, por edhe shumë të tjerë. Qindra miliona euro i ka humbur Kosova vetëm e vetëm që mafio-oligarkët, përfaqësues të këtyre kompanive dhe produkteve nga Serbia t'i palojnë miliardat, ndërkaq pushtetarët të marrin "tallin" prej tyre. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të kompanisë "ELKOS" , për Ramiz Kelmendin, që të japin përgjigje ndaj akuzave që po bëhen nga specialistët në adresë të tyre, zyrtarët e kësaj kompanie dhe deputeti Ramiz Kelmendi nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën. Masat e vonuara Kurse bankieri Milazim Abazi, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Serbisë nuk duhet t'i besohet për asgjë, e as për produktet e saj që i eksporton në Kosovë. "Organet e kontrollit të cilësisë dhe sasisë duhet që të jenë vazhdimisht aktive dhe vigjilente t'i kontrollojnë me detaje produktet serbe, në mënyrë që të mbrohet konsumatori kosovar", u shpreh ai. "Serbia e kupton vetëm gjuhën e forcës, në dialog ajo vazhdimisht na ka mashtruar dhe fatkeqësisht po vazhdon të na mashtrojë. Kursi ndaj Serbisë duhet që të ashpërsohet shkajshmërisht duke ndërprerë çdo dialog me të", ka sugjeruar Abazi. Ndërsa, analisti Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Kosova ka humbur shumë investime dhe shumë prodhues, shkaku i produkteve serbe që kanë hyrë në Kosovë, në mënyre ilegale dhe përmes kompanive të ndryshme, siç është "ELKOS"-i. "Qeveria e atëhershme e Kosovës, në vitin 2000-2001, është dashur ta bllokojë Serbinë dhe rrugën e importimit të mallrave ushqimore dhe mallrave te tjera që u importonin nga Serbia në Kosovë. Kjo, ngase përmes Kosovës, Serbia ka fituar me miliarda euro përmes shitjes së produkteve të tyre në Kosovë, kurse Kosova ka humbur shumë përmes blerjes së këtyre mallrave nga Serbia", theksoi ai. Tregtia me Serbinë, burim financash për partitë kosovare Analisti Bislim Aliu, për gazetën " Kosova Sot", tha se me të vërtetë shteti i Kosovës u tregua i dobët, joparimor dhe jonjerëzor, që e la Serbinë që ta "shkelë" në fyt dhe ta zhvatë për afro dy dekada, që të sjellë produktet serbe, të prodhuara në linja të posaçme për Kosovën dhe atë, përmes përfaqësuesve të saj në Kosovë, të tipit si është deputeti Ramiz Kelmendi me kompaninë "ELKOS", por edhe shumë të tjerë, të cilët ose janë vetë në pushtet ose financojnë pothuajse të gjitha partitë politike në pushtet, dhe fusin mallrat e tyre pa dogana. "Aq më tepër, kur dihet se ky shtet prodhon në linja 'speciale' vetëm për Kosovën, gjë që e bëjnë në pikëpyetje të madhe cilësinë e produkteve të tilla", u shpreh ai. "Kjo tregon se kompanitë oligarkike kosovare, që janë 'vëllazëruar' me kompanitë serbe, si është ajo e Ramiz Kelmendit me " ELKOS"-in, por edhe shumë kompani të tjera, së bashku me pushtetarët e deritanishëm e kanë dëmtuar rëndë buxhetin, por edhe qytetarët, duke mos ia doganuar produktet nga Serbia", vijoi më tej Aliu . Sipas tij, pikërisht këto parregullsi totale janë edhe arsyet se përse qytetarët e Kosovës i kanë humbur me miliona euro, vetëm e vetëm që mafio-oligarkët, përfaqësues të këtyre kompanive dhe produkteve nga Serbia, t'i palojnë miliardat, ndërkaq pushtetarët të marrin "tallin" prej tyre. 

SALIHU: SERBIA EKSPORTON MALLRA NË KOSOVË NË VLERË PREJ RRETH 400 MILIONË EURO Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitarë, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot', thotë se, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, brenda një viti, Serbia eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 400 milionë euro, derisa eksportet e Kosovës në Serbi në vit nuk e kalojnë vlerën prej 40 milionë euro. "Se në Kosovë që nga pas lufta po dominojnë produkte serbe e tregoi edhe fakti se në panairin e sivjetmë ndërkombëtar "Prishtina 2018", nga 174 kompani pjesëmarrëse më shumë se 50 për qind kanë qenë nga Serbia, e cila për fatin tonë të keq po mbetet partneri kryesor në tregun e Kosovës", u shpreh ai. "Nuk ka asnjë dyshim se që nga pas lufta e deri më sot, të gjitha qeveritë e shtetit të Kosovës e lanë Serbinë që ta 'shkelë' në fyt dhe ta zhvatë paranë e qytetarëve. Dhe, që e keqja të jetë edhe më e madhe, të gjitha qeveritë tona ia kanë mundësuar Serbisë që për afro dy dekada të sjellë produktet serbe, që janë të prodhuara në linja të posaçme për Kosovën. Ndërkaq, të gjitha këto punë të pista, Qeveria e Serbisë i ka bërë përmes përfaqësuesve të saj në Kosovë, të tipit të afaristëve,si është deputeti i Kuvendit të Kosovës, afaristi, Ramiz Kelmendi me kompaninë e tij"ELKOS"-in, por edhe shumë afaristë të tjerë", u shpreh ai. Sipas Salihut, këta pronarë të kompanive, të cilët ose janë vetë në politikë ose financojnë pothuajse të gjitha partitë politike në pushtet, ka dyshime të mëdha se janë duke futur mallra në të zezën dhe duke hyrë pa doganë në Kosovë. "Me qindra miliona euro i ka humbur Kosova vetëm e vetëm që mafio-oligarkët,përfaqësues të këtyre kompanive dhe produkteve nga Serbia t'i palojnë miliardat, ndërkaq pushtetarët të marrin 'tallin' prej tyre. I tërë ky biznes i pistë ka nisur që nga viti 2000 e deri më sot. Kosova në mënyra të ndryshme ka qenë dhe mbetet 'parajsë' për ndërmarrjet e caktuara nga Serbia, qoftë për të tentuar që të zvogëlojnë ngarkesat e tyre tatimore, qoftë për t'i ikur tërësisht tatimeve ose pagesës së borxheve që kanë, sikurse për mallin, të cilin e paguajnë me këste", u shpreh Salih Salihu për "Kosova Sot". PARA VITIT 2005, NUK KA TË DHËNA Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, për gazetën "Kosova Sot', tha se që nga vitit 2005 e lart posedojnë shënimet elektronike dhe vlera e importit nga Serbia është afër 4 miliardë euro. Ndërsa, drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, për "Kosova Sot", tha se Doganat posedojnë të dhënat e sakta të importeve të mallrave nga Serbia vetëm që nga viti 2005, kurse më herët nuk i kanë këto të dhëna.

KELMENDI: NË KOSOVË SËMUNDJA E KANCERIT ËSHTË RRITUR MADJE PËR 600 PËR QIND! Ndërsa, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, juristi Muhamet Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot ", tha se një taksë e tillë prej 10 për qind është e qëlluar, sepse kemi të bëjmë me shumë mallra që importohen nga Serbia dhe kjo rritje e taksës duhet që të shtrohet edhe për 20 për qind. "Që e keqja të jetë më e madhe, këto mallra po prodhohen në linja të veçanta nga Serbia, që u dedikohen tregut të Kosovës dhe për fatin e keq këto mallra janë me kualitet shumë më të dobët dhe me një kualitet e cilësi të dobët. Për këto mallra ka të tjera çmime në Kosovë e të tjera çmime në Serbi, ku kualiteti i tyre është dukshëm më i lartë", u shpreh ai. "Në këto linja të dedikuara prodhimi për tregun e Kosovës dhe Shqipërisë këto prodhime nuk kanë kualitetet dhe elementet e duhura dhe pikërisht nga këto linja po lënë dyshime se nga këto prodhime serbe edhe po lindim shumë sëmundje, sepse në Kosovë vlerësohet se sëmundja e kancerit është rritur madje për 600 për qind. Prandaj, edhe një nga faktorët kryesorë është ushqimi që vjen nga Serbia. Pra, kemi të bëjmë me dy veprime të njëkohshme të autoriteteve serbe. E para, është përfitimi parasë në Kosovë që po e bëjnë kompanitë "ETC"-ja, " Viva-Fresh"-i dhe "Super-Viva" ," Devolli", të gjitha këto kompani që po i sjellin këto mallrat nga Serbia", vijoi më tej Kelmendi. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet që të shtojë dhe të marrë edhe masa penale ndaj tërë pronarëve të atyre kompanive në mënyrë që t'i kontrollojnë mallrat serbe në institutet e BE-së dhe të gjitha ato biznes dhe pronarët e tyre që i kanë bërë këto shkelje duhet që t'u ndalohet veprimtaria. TAKSA TË RËNDOHET "Me këtë taksë prej 10 për qind,që ia ka vënë Qeveria e Kosovës produkteve dhe bizneseve serbe,duhet që të mos ndalet,por në të ardhmen ta rritë këtë taksë deri në 30 për qind.Andaj,i bëj apel Qeverisë 'Haradinaj',që tani të stimulojë bizneset kosovare që të prodhojnë sa më shumë produkte vendore me cilësi të larta,për shkak që Serbia mos të ketë hapësirë të mjaftueshme për produktet e tyre nëpër marketet kosovare",u shpreh Dardan Grapci për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)