Nxehet Trump, sulmon ashpër Macronin dhe tallet me historinë e Francës

  • 13 November 2018 - 21:06
Nxehet Trump, sulmon ashpër Macronin dhe tallet me historinë e Francës

“Ata filluan të mësonin gjermanishten në Paris, para se SHBA t’i vinte në ndihmë”. Kjo ishte ironia më e ashpër që Donald Trump i dedikoi të martën në Twitter, homologut të tij francez Emmanuel Macron, duke konfirmuar edhe njëherë se krisja në marrëdhëniet SHBA-Francë është më e madhe seç mendohej.

Pasi e kundërshtoi për krijimin e një ushtrie të vërtetë Europiane që do të nxirrte jashtë loje nevojën për mbrojtje nga Uashingtoni dhe automatikisht pagesat e vendeve të BE ndaj SHBA-ve, Trump i ka kujtuar Macron historinë dhe kohën kur Gjermania e kishte pushtuar Francën gjatë dy Luftërave Botërore.

Dhe këtë e ka bërë hapur në rrjetet sociale menjëherë pas sulmit të parë që erdhi pas zbritjes në Uashington, pasi kishte marr pjesë në ceremoninë për përkujtimin e Ditës së Armistikës në Paris gjatë fundjavës.

Trump i kujton liderit francez se Europa nuk mund t’ia dalë e vetme dhe se ka nevojë për SHBA-të si një shpëtimtar.

“Emmanuel Macron sugjeron ndërtimin e ushtrisë së vet për të mbrojtur Evropën kundër SHBA, Kinës dhe Rusisë. Por ishte Gjermania në Luftërat Botërore Një dhe Dy – Çfarë ndodhi atëherë me Francën? Ata filluan të mësonin gjuhën gjermane në Paris, para se SHBA të ndërhynte. Paguani për NATO-n ose ndal!”, shpërtheu Trump me frustrim në Twitter.

Por Trump nuk e ndali me kaq sulmin personal ndaj Macron, duke thënë se Presidenti i Francës po e shfrytëzon temën e një ushtrie europiane për të bërë propagandë në favor të tij, pasi ka humbur popullaritetin në mesin e francezëve.

“Problemi është se Emmanuel vuan nga një vlerësim shumë i ulët i miratimit në Francë, 26%, dhe një normë papunësie prej pothuajse 10%. Ai po përpiqet të kalojë vëmendjen në një temë tjetër. Nga rruga, nuk ka asnjë vend më nacionalist se Franca, njerëz shumë krenarë – dhe me të drejtë kështu! ……..”, nënvizon Trump.

Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto deklarata kundër ish-mikut të tij, Trump e mbylli sagën e sulmeve ndaj Macron me një postim ku thuhej: “Ta bëjmë Francën të parën përsëri”.

Ndërkohë kjo “luftë” e hapur nga Trump vjen, pasi në një intervistë një javë përpara përkujtimeve në Paris, Macron bëri thirrje për krijimin e një ushtrie të BE-së që mund të mbrojë kontinentin “pa u mbështetur vetëm në Shtetet e Bashkuara”.

Ndërkohë që Macron dikur kishte një lidhje të ngushtë me presidentin Trump, marrëdhëniet e udhëheqësve janë krisur. Në një fjalim të dielën, Macron denoncoi fuqishëm markën e nacionalizmit të Trump, duke e krahasuar atë me forcat që zhytën Evropën në konflikt në shekullin e 20-të.

“Demonët e vjetër po rishfaqen”, paralajmëroi presidenti francez. “Historia nganjëherë kërcënon të marrë përsëri kursin e saj tragjik dhe të bëjë kompromis shpresën tonë për paqe. Le të premtojmë se do t’i japim përparësi paqes mbi gjithçka”, theksoi Macron.

Ai madje e qortoi në sy homologun e tij amerikan duke i thënë se mesazhi i tij i fushatës “Amerika e Para” është thjeshtë një markë nacionaliste, përcjell Shqip.

Macron gjithashtu qëndroi në çdo moment pranë kancelares gjermane Angela Merkel, një kritike e njohur e Trump, me “çiftin” që u përqafua në zbulimin e një memoriali pranë Compiegne, ku Gjermania u dorëzua zyrtarisht 100 vjet më parë.

 

(Kosova Sot)