Zjarrfikësit në protestë më 15 nëntor

  • 13 November 2018 - 23:21
Zjarrfikësit në protestë më 15 nëntor

Të enjten e javë së kaluar, Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës mbajti një konferencë për media, përmes së cilës paralajmëroi protestë më 15 nëntor.

Kryetari i Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka thënë se u bënë tre muaj që nga protesta e 12 korrikut dhe ende asgjë nuk është ndërmarrë lidhur me kërkesat që i kanë si sindikatë.

Por sot, Qeveria e Kosovës ka diskutuar për zgjidhjen e statusit të zjarrfikësve në vend.

Kabineti qeveritar tha se për Zjarrfikësit dhe shërbimet tjera të veçanta, “lajm i mirë është miratimi i Koncept Dokumentit për Financat e Pushtetit Lokal”, i cili tha i hap rrugë ligjit të ri që do e bartë buxhetin e tyre në nivel qendror.

“Deri tani zjarrfikësit janë menaxhuar nga niveli qendror, por janë paguar nga buxheti lokal. Tani me ligjin e ri që do të pasojë nga ky koncept dokument, do të zgjidhet njëherë e mirë statusi i zjarrfikësve dhe do të hapet rrugë për vende të reja të punës, kushte më të mira pune dhe pagë më të mirë”, u tha në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, është shprehur i pakënaqur me këtë vendim të Qeverisë.

Ai ka thënë se kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me ministrin e Financave, Bedri Hamza, por nga të gjitha kërkesat që kanë pasur, vetëm çështja e koeficientëve është zgjidhur që, siç thotë ai, “do të jetë 6-të, minimumi për zjarrfikësit dhe kjo vetëm në vitin 2019”.

“Sot patëm takim me ministrin e Financave ku diskutuam për kërkesat e parashtruara nga Këshilli Protestues dhe mundësitë që të dilet nga kjo gjendje e krijuar, mirëpo nga të gjitha kërkesat dhe premtimet që dhanë në protestën e 12 korrikut, vetëm çështja e koeficientëve është zgjidhur që do të jetë 6-të, minimumi për zjarrfikësit dhe kjo në vitin 2019”, ka thënë Beka në një postim në Facebook.

Thotë të kenë shprehur pakënaqësitë dhe shqetësimet e shërbimit të zjarrfikësve dhe kanë kërkuar që këto kërkesa, “të drejta dhe legjitime”, duhet të trajtohen me seriozitet dhe sipas ligjeve dhe harmonizimit në raport me shërbimet tjera emergjente.

Por, edhe përkundër kërkesave, Beka thotë se nuk pati ndonjë zgjidhje, prandaj thotë ta kenë paralajmëruar ministrin Hamza për riaktivizim të protestës.

“E njoftuam edhe për paralajmërimin e riaktivizimit të protestës dhe shqetësimet e zjarrfikësve, por ministri ishte kategorik se nuk ka mjete buxhetore. E njëjta përgjigje që nga viti 2008 dhe kjo përgjigje vetëm për këtë kategori të të punësuarve, sepse kjo dëshmon se zjarrfikësit asnjëherë nuk patën përkujdesje institucionale dhe askush nuk avokoi për të drejtat tona të cilat shkelen në mënyrë drastike”, ka shtuar më tej Beka.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në emër të Kryesisë së Sindikatës dhe Këshillit protestues, ka bërë thirrje që “në protestën e radhës, më 15 nëntor, të përgjigjeni masivisht të shfrytëzoni të drejtën për të shprehur pakënaqësitë dhe ngritur zërin për padrejtësitë dhe diskriminimet që në vazhdimësi ju behën Zjarrfikësve”.

“Protesta të jetë dinjitoze siç është edhe misioni dhe etika profesionale e zjarrfikësve”, ka përfunduar Beka.

 

(Kosova Sot)