Djali akuzohet se babait i vodhi zinxhir ari dhe unazën me gur diamanti

  • 13 November 2018 - 23:35
Djali akuzohet se babait i vodhi zinxhir ari dhe unazën me gur diamanti

Shpat Bokshi dhe Sylejman Zatriqi, të akuzuar për vjedhje të stolive, dëshirojnë marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Teki Bokshi, avokati i Shpat Bokshit, të akuzuarit për vjedhje të rëndë, kërkoi nga Gjykata e Gjakovës që t’i jepet mundësia në emër të klientit të tij të negociojë me Prokurorinë pranimin e fajësisë.

“Në konsultim me të mbrojturin tim dëshirojmë që të bëjmë kërkesë pranë Prokurorisë, që të negociojmë një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin e shtetit, andaj i propozojmë Gjykatës që seanca e sotme të shtyhet në mënyrë që të na jepet kohë për arritjen e një marrëveshjeje”, tha në seancën e sotme avokati Teki Bokshi.

Propozimit të avokatit Bokshi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme mbi pranimin e fajësisë, duke e mbështetur iu bashkëngjit edhe avokati Genc Juniku, mbrojtësi i të akuzuarit Sylejman Zatriqi.

Prokurori Enis Gashi nuk e kundërshtoi propozimin për negocim për pranim fajësie.

“Pajtohem me propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve, për negocimin e një marrëveshje për pranimin e fajësisë”, tha prokurori Enis Gashi.

Ndërsa gjyqtari Mentor Bajraktari iu dha një muaj kohë për negociata, duke e shtyrë seancën për datën 14 dhjetor, raporton kallxo.com.

Ndërkaq Prokuroria u obligua që ta njoftojë Gjykatën për ecurinë e nogocimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Në sallë të gjykimit ishte i pranishëm edhe i dëmtuari, babai i të pandehurit Shpat, i cili deklaroi se pajtohet nëse arrihet marrëveshja mes të akuzuarve dhe Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Shpat dhe Sylejman, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Ethem Bokshi – babait të Shpatit dhe kanë marrë një zinxhir ari në vlerë 700 euro dhe një unazë me gur diamanti në vlerë prej 300 euro.

 

(Kosova Sot)