Thaçi përpiqet të arsyetohet në gazetën britanike për ndarjen e Kosovës

  • 14 November 2018 - 23:13
Thaçi përpiqet të arsyetohet në gazetën britanike për ndarjen e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Francë, ka folur për gazetën britanike 'The Telegraph', rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Thaçi ka mohuar një marrëveshje të mundshme paqeje me Serbinë që do të përfshinte riorganizimin e kufirit përgjatë vijave etnike, me frikën se një marrëveshje e tillë mund të ndezë konfliktin midis dy shteteve fqinjë, shkruan The Telegraph.

Gati dy dekada pas përfundimit të Luftës së Kosovës tensionet ekzistojnë ende. Vendimi i fundit i Kosovës për të formuar ushtrinë ka zemëruar Serbinë dhe ka alarmuar pakicën serbe të Kosovës, ndërkohë që shteti i ri ende mbështetet në një forcë të mbrojtur nga NATO.

Hashim Thaçi mbajti një takim të tensionuar javën e kaluar me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, të ndërmjetësuar nga BE, që po përpiqet të nisin negociatat e zvarritura. Pa një marrëveshje, asnjëri nga dy shtetet nuk mund të arrijë qëllimin e anëtarësimit në BE.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por ende nuk është njohur nga Serbia, Rusia dhe disa fuqi evropiane, duke përfshirë Greqinë e Spanjën.

Mundësia e shkëmbimit të territoreve ka alarmuar disa udhëheqës të BE, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilët kanë frikë se kjo gjë mund të ringjallë armiqësinë. Kjo vjen 20 vjet pasi një fushatë bombarduese e NATO-s përfundoi konfliktin në Kosovë, duke i hapur rrugën për pavarësinë e saj nga Serbia.

Thaçi, i cili ishte në Paris për të marrë pjesë në përkujtimet e njëqindvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, për ‘The Telegrap’ theksoi nevojën për një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme që siguron paqen në Ballkan.

Por, derisa ai fliste, Serbia shënon njëqindvjetorin duke mbajtur stërvitje ushtarake dhe një shfaqje të dukshme të forcës mes tensioneve në rritje me Kosovën. Këto manovra përfshinë mbi 8,000 ushtarë, 100 tanke beteje dhe avionë luftarakë MiG-29 të marrë nga Rusia, aleati i Serbisë.

Serbia gjithashtu ka kërkuar shfuqizimin e një tatimi prej 10 përqind të vendosur nga Kosova për produktet që importohen nga shteti serb.

Thaçi këmbënguli se shkëmbimi i territoreve nuk do të përbënte pastrimin etnik, pavarësisht frikës që ekziston në të dy shtetet.

“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë kufij të bazuar në linja etnike. Kosova dhe Serbia do të mbeten shumë etnike,” tha ai.

Lufta e Parë Botërore u shkaktua nga një krizë në Ballkan, pas vrasjes së Archduke Franz Ferdinand të Austrisë në vitin 1914 nga një nacionalist serb në Sarajevë, tani kryeqyteti i Bosnjes dhe Hercegovinës.

“Marrëveshjet e këqija të paqës pas Luftës së Parë Botërore çuan në konflikte të mëtejshme dhe luftra të mëtejshme e për këtë arsye ne jemi të vendosur të kemi një marrëveshje të mirë mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Presidenti, Hashim Thaçi për ‘The Telegraph’.

Presidenti kosovar u kërkoi krerëve europianë të ndihmojnë në finalizimin e një marrëveshje me Serbinë përpara zgjedhjeve të BE në maj, gjë që mund të japë më shumë fuqi ndaj partive kundër emigracionit që është në kundërshtim me zgjerimin e BE.

Nëse jo, tha ai, Evropa do të humbasë një “mundësi historike”.

Megjithatë, Macron, presidenti francez, ka thënë se nuk ka dëshirë të zgjerojë bllokun në të ardhmën e afërt.

Thaçi përsëriti qëndrimin e Kosovës se asnjë marrëveshje paqje nuk është e mundur nëse Serbia dhe Rusia nuk e njohin Kosovën si shtet sovran.

Ai tha se kufiri do të përcaktohej nga komisionet shtetërore nga Kosova dhe Serbia.

Thaçi gjithashtu paralajmëroi se pa një marrëveshje paqeje, islamistët mund të bëheshin më të fuqishëm në Kosovën me shumicë myslimane.

“Nëse nuk ka marrëveshje, atëherë do të ketë një vakum që do të përdoret nga ideologjitë që nuk janë perëndimore”, ka thënë Thaçi për ‘The Telegraph’.

 

(Kosova Sot)