Ndarja e Kosovës nga Thaçi i zhyt edhe Haradinajn e Veselin

  • 15 November 2018 - 07:35
Ndarja e Kosovës nga Thaçi i zhyt edhe Haradinajn e Veselin

"Në këtë lojë shumë të rrezikshme janë të kyçur edhe Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli. Ata e dinë deri në hollësi planin serb, dinë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë fshehur. Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë marrëveshje për realizimin e planit serb për ndarjen e Kosovës. Kjo marrëveshje është bërë pas kërcënimit të Thaçit se do ta rrëzojë Ramushin nga pozita e kryeministrit nëse ai përzihet në bisedimet me Serbinë. Pas kësaj, Ramushi e shpalli veten të paaftë që të negociojë me Serbinë , ndërsa Thaçin e shpalli të aftë për ta bërë këtë. Pas këtij kërcënimi këta dy kanë bërë pazar: Thaçi do të negociojë dhe do të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë për ndarjen e Kosovës, ndërsa Ramushi do të mbetet ende në pozitën e kryeministrit", thotë ish-deputeti Adem Salihaj për gazetën "Kosova Sot".

Askush nuk mund ta kuptojë nëse ishte rastësi apo moment i ruajtur enkas si kohë e duhur për ta thënë, por kryeministri Ramush Haradinaj zgjodhi momentin që në një intervistë ta dekonspirojë presidentin Hashim Thaçi për idenë e korrigjimit të kufijve, që e shet si të tijën, derisa ai thotë se ky është plan i Aleksandar Vuçiqit dhe nuk është korrigjim, por ndarje e Kosovës. Sidoqoftë, një e vërtetë lakuriqe u tha, por tani analistët politikë dhe qytetarët kërkojnë nga i pari i Qeverisë së Kosovës që të mobilizojë edhe Kuvendin dhe ta ndërpresë këtë projekt serbo-rus për copëtimin e territorit të Kosovës. Përndryshe, sipas analistëve, përgjegjësia për tradhti ndaj shtetit, për mosveprim, bie edhe tek vetë Haradinaj, edhe pse ai nuk e merr të udhëheqë dialogun si kryeministër, por e lë Hashim Thaçin të tallet me popullin dhe shtetin e Kosovës.

Bislimi: Presidenti po mundohet të ndikojë në punën dhe vendimet e Qeverisë dhe Kuvendit

Sipas politologes Liridona Bislimi, përderisa presidenti Thaçi vazhdon të mos tërhiqet nga ideja e tij se marrëveshja përfundimtare e paqes midis Kosovës dhe Serbisë mund të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit, në anën tjetër po aq stoik vazhdon të jetë në kundërshtimin e kësaj ideje kryeministri Haradinaj, duke konstatuar se prekja e kufijve mund të sjellë, siç është shprehur ai, "tragjedi të reja në Ballkan", prandaj është koha për të ndërmarrë veprime për të mos u thelluar kriza dhe rreziku akoma më shumë."Dhe tani ky mospajtim vetëm sa thellohet,deri në masën që deklaratat e ndërsjella vijnë deri edhe në kufij të fyerjeve dhe kjo nëse vazhdon në këtë trend, atëherë do të paralizojë raportet mes dy institucioneve, Presidencës dhe Qeverisë. Se sa mund të ndikojë kjo në stabilitetin e vetë qeverisë, mbetet të shihet, sepse as presidenti dhe as Qeveria, por as opozita nuk e kanë një shumicë të mjaftueshme për të imponuar vullnetin dhe jemi në një lloj bllokade, kur bëhet fjalë për atë se si duhet ecur përpara në çështjen e dialogut me Serbinë. Kjo po e konfirmon që presidenti po mundohet të ndikojë në punën dhe vendimet Qeverisë dhe Kuvendit. Kjo është edhe si pasojë e asaj që vetë partitë, të cilat janë në pushtet, vetë kryeministri Haradinaj, kanë zgjedhur që të mos i ushtrojnë kompetencat e veta në politikën e jashtme sa i takon dialogut, duke ia lënë këtë çështje në mirëbesim presidentit Thaçi", u shpreh ai. "Si rezultat i gjendjes faktike, pa një shumicë në Kuvend, së fundi partitë në pushtet dështuan ta formojnë ekipin negociator për dialog me Serbinë. Ndërkohë që opozita dështoi të miratonte rezolutën për t'i sanksionuar presidentit të Kosovës mundësinë që në dialog me Serbinë të hapë temën e ndryshimit të kufirit. Institucionet e Kosovës janë duke u zhytur në një krizë të thellë institucionale, nga e cila vështirë se mund të dalin për një kohë të gjatë, e gjitha kjo falë politikanëve tanë, duke filluar nga presidenti, kryeministri e deri tek partitë politike me numër më të vogël në Kuvend", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot". 

Plani për ndarjen

Analisti politik Bislim Aliu thotë se, derisakryeministri Ramush Haradinaj tani e dekonspiroi presidentin Hashim Thaçi, për idenë e korrigjimit të kufijve, e ai tani e shet si të tijën dhe tek tani Haradinaj thotë se ky është plani i Aleksandar Vuçiqit dhe nuk është korrigjim, por ndarje e Kosovës, ai duhet edhe të veprojë kundër realizimit të këtij plani."Për ndryshe, për këtë është faji edhe i vetë Haradinajt, meqë ai nuk po e merr të udhëheqë vetë dialogun, si kryeministër, por e lë Hashim Thaçin të tallet me popullin dhe shtetin e Kosovës. Ndaj, Haradinaj duhet të tregojë pse deri tash nuk ka treguar se ky plan për ndarjen e Kosovës i është paraqitur edhe atij dhe, sipas tij, miniera e 'Trepçës' i mbetet Serbisë. Ky plan sipas Haradinajt është plan i Beogradit, i cili është që edhe miniera e 'Trepçës' t'i takojë Serbisë, ndërsa Kosovës i mbetet vetëm pjesa hyrëse, por jo edhe xehet, që i bie se Kosovës i mbetet vetëm vrima e 'Trepçës', ndërsa eksplorimi i xeheve Serbisë.Kryeministri duhet të veprojë dhe jo të heshtë me këtë Qeveri dhe këtë Parlament, që i kontrollon dhe i dirigjon Hashim Thaçi", theksoi Aliu për "Kosova Sot".

BADALLAJ: HARADINAJ, LAKMITAR I ZHYTUR DERI NË FYT

Analisti politik Reshat Badallaj thotë se as kryeministri nuk mund të amnistohet tani nga përgjegjësia, nëse ai nuk vepron kundër Thaçit. "Në grupin e politikanëve të PABESË, lakmitarë, hajna, bërrylaxhinj dhe karrieristë, pa më të voglin dyshim, bën pjesë edhe Ramush Haradinaj, që kurrë nuk i rrah sakica me një vend, po i luan pykat kah të fryjë era. Pra, këtij personi mos i besoni pa i marrë ilaçet. Është me dy fytyra dhe ha me dy lugë, vetëm të qëndrojë në atë shkëmb pa meritë, por me pazare", theksoi ai. Sipas tij, pastaj ia kthen patkonjtë prapë kuislingut Thaçi. "Edhe ky (Haradinaj) është shumë i zhytur në baltën e këtij pazari dhe pa më të voglin dyshim, nesër, populli do t'ia zërë bishtin me derë", vlerësoi Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

QARRI: HARADINAJ DEKONSPIROI PUBLIKISHT TENDENCËN E PRESIDENTIN KUISLING HASHIM THAÇI PËR SHITJEN E TOKËS SË KOSOVËS

Analisti politik Gani Qarri thotë se kur sheh se si edhe deputetët e opozitës ikin nga mbledhjet e Kuvendit, në të cilat nuk kërkohet asgjë më tepër sesa një votim i thjeshtë, të cilin ata edhe e kanë obligim ligjor, si përfaqësues të popullit, për një rezolutë të vetme të paraqitur nga vetë partitë e tyre, kundër bisedimeve të Thaçit për kufijtë e Kosovës me Serbinë, duhet ta konsiderojmë fat të madh, qoftë ky edhe me vonesë, dekonspirimin nga kryeministri Ramush Haradinaj, të planeve të presidentit kuisling Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës."Paramendojeni sikur të ishin Isa Mustafa, Behgjet Pacolli apo edhe Fatmir Limaj kryeministër, në këto momente të vështira për vendin, se si mund të silleshin ata me një Qeveri dhe Parlament si ky, që i kontrollon dhe dirigjon vetë Hashim Thaçi, se me çfarë lehtësie do t`i bënte pazar ai tokat dhe pasuritë e Kosovës.Përkundër të gjitha dobësive, të cilat mund t'i ketë ai vetë dhe atyre që i vishen edhe nga të tjerët, në situatën nëpër të cilën po kalojmë është vetëm Ramushi ai që i lodhur me aventurat e Hashim Thaçit, që tash e sa kohë, pa të drejtë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha ligjet dhe Kushtetutën e vendit, po i bie në qafë jo vetëm kryeministrit, por gjithë popullit të Kosovës, me qëllim të realizimit të planeve të Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit, për ndarjen e shtetit tonë të brishtë, përfundimisht tregoi guximin që me gjithë vonesën, i pari nga të gjithë politikanët e vendit të dekonspirojë publikisht tendencën e presidentin kuisling Hashim Thaçi për shitjen e tokës së Kosovës si të tijën.Ai sqaroi publikisht qytetarët e Kosovës dhe opinionin ndërkombëtar se këtu nuk mund të flitet më për kurrfarë korrigjimi siç po mundohet ta kamuflojë Hashim Thaçi, por për plan të detajuar të Aleksandar Vuçiqit, duke bërë të ditur për herë të parë se i njëjti i është paraqitur edhe vetë atij dhe ka mundur të shohë se aty nuk ka të bëjë fare me korrigjim dhe as me shkëmbim të territoreve, por me ndarjen puro të Kosovës, në bazë të të cilit edhe miniera e 'Trepçës' do t'i kalonte Serbisë", potencoi ai."Serbia nuk do ta marrë vetëm Leshakun, siç po mundohet të gënjejë Hashim Thaçi, por pikësëpari do të aneksojë 'Trepçën', përfshirë fshatrat Zhazhë, Kelmend e Vllahi, e sipas ideve të sëmura të Aleksandar Vuçiqit edhe vetë Boletinin, vendlindjen e njërit prej heronjve tanë më të njohur të viteve të Pavarësisë, Isa Boletinit, në mënyrë që shqiptarëve në veri, përveç tokës t'ua marrë edhe krenarinë, shuaj traditën autoktone dhe themelet e heroizmave kombëtare, për t'i lënë ata edhe pa histori, në këtë pjesë të atdheut.Megjithëse me të drejtë konsiderohet se faji është edhe i z.Haradinaj, që nuk e merr ai vetë të udhëheqë dialogun me Serbinë si kryeministër i vendit, por lejon Hashim Thaçin që të tallet edhe më tej me popullin dhe shtetin e Kosovës", shtoi më tej Qarri për "Kosova Sot"."Këtu ekziston një problem më i thellë dhe shumë më i madh sesa që duket nga jashtë dhe nuk e kuptoj se si asnjëherë deri më tani nuk u tha se Hashim Thaçi, për asnjë çmim, nuk lejon që dialogun me Serbinë ta udhëheqin të tjerët dhe në krye të vihet tjetërkush.Vetë ekzistenca e Thaçit është e lidhur kryekëput me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilën ai i ka varë të gjitha shpresat për shpëtim, ndaj dhe nuk lejoi asnjëherë që në krye të tij të emërohet dikush tjetër.Dhe nuk duhet harruar se në gjendjen nëpër të cilën po kalon Hashim Thaçi, e që ndoshta janë momentet e fundit të jetës së tij në liri, para se të ndodhë edhe me të, ajo që po ndodh aktualisht me Gruevskin, ai është bërë aq i rrezikshëm për të gjithë, për qytetarët, për territoret e shtetit, për ekzistencën e Kosovës dhe për vetë kryeministrin aktual, saqë ta çojë vendin edhe në një luftë civile, përderisa kohët e fundit, jo vetëm përflitet, se pas taktizimit me Aleksandar Vuçiqin për rrëzimin e kryeministrit aktual nga qeverisja e vendit, përmes tërheqjes së Listës Serbe, Hashim Thaçi ka filluar ta kërcënojë edhe fizikisht Ramush Haradinajn, nëse ai vijon t'i bëhet pengesë në planin e tij monstruoz për ndarjen e Kosovës dhe faljen e 1/3-s së territorit të saj Serbisë", tha analisti Gani Qarri për "Kosova Sot". 

ZEQA: ËSHTË E PAFALSHME PËR RAMUSH HARADINAJN, MBASI E PASKA DITUR KËTË PLAN OGURZI, PSE KA HESHTUR DERI MË TANI!?

Sipas analistit politik Florim Zeqa, deklaratat e kryeministrit Haradinaj jo vetëm që nuk janë bindëse dhe konsistente, por nuk janë as të qëndrueshme."Një herë thotë nuk e di se çfarë bisedon Thaçi në Bruksel, ndërsa herën tjetër thotë se e di, për të shkuar aq larg, duke treguar se nuk bëhet fjalë për korrigjim të kufijve e as shkëmbim i territorit, por për ndarje të Kosovës dhe, sipas tij, miniera e 'Trepçës' i mbetet Serbisë, por pa e bërë të ditur se çfarë do të ndodhë me Ujmanin", u shpreh ai. Sipas Zeqës, është e pafalshme për Ramush Haradinajn mbasi e paska ditur këtë plan ogurzi, pse ka heshtur deri më tani! "Mbasi i paska ditur të gjitha, pse zoti Haradinaj u struk i heshtur, duke zgjedhur injorancën si mbrojtje para së keqes së madhe për vendin, po citoj: "Unë nuk jam për tavolinë të bisedimeve në Bruksel", duke ia lënë duart e lira Hashim Thaçit që të tallet me popullin dhe miqtë e Kosovës! Vetëm tani, kur ka filluar t'i lëkundët pushteti, ka filluar të hapë gojën e të tregojë për marrëzitë e Thaçit në bisedime! Nuk mjafton zoti kryeministër të na tregosh tani se si ka rënë Hashim Thaçi në "grepin" e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pasi tani kemi të drejtë të kërkojmë edhe ne nga ju llogari për heshtjen e gjatë rreth agjendës së bisedimeve të Brukselit, si dhe për të na treguar se në "grepin" e kujt keni rënë ju, që hoqët dorë aq lehtësisht nga Çakorri, Kulla e Bjelluha, duke mashtruar qytetarët kinse për korrigjimin e kufijve me Malin e Zi, i cili nuk ndodhi deri më tani dhe as që do të ndodhë ndonjëherë. Ndoshta ngjashëm sikur ju, edhe Hashimi, në emrin e korrigjimit të kufijve do t'ia falë veriun Serbisë! Dhe ju zoti kryeministër, përsëri do të thoni; e kam parë, nuk e kam parë, e kam ditur, nuk e kam ditur e kështu më radhë, derisa t'ju durojë ky popull i mjerë! Me këtë qeveri dhe këtë Parlament, që i kontrollon dhe dirigjon Hashim Thaçi, e të cilët vetëm heshtin, e nuk punojnë për interesat e qytetarëve dhe shtetit, Thaçi me shumë lehtësi do t`i bëjë pazar tokat dhe pasuritë e Kosovës, ndërsa Ramushi do të çirret që nuk di gjë!", tha Zeqa për "Kosova Sot".

SALIHAJ: SIPAS PLANIT PËR NDARJEN E KOSOVËS, SERBIA PARASHEH TË MARRË SË PAKU 30 % TË TERRITORIT TË KOSOVËS!

Ndërsa Adem Salihaj, ish- deputet nga LDK-ja, thotë se plani për ndarjen e Kosovës, sipas të gjitha informatave që po qarkullojnë, parasheh që Serbia të marrë së paku 30 për qind të territorit të Kosovës, përfshirë minierën e 'Trepçës', minierën në Leposaviqit dhe Ujmanin, kurse pohimet e Thaçit se do ta marrë Luginën e Preshevës janë vetëm mashtrim, për të neutralizuar reagimet dhe revoltën që mund të paraqiten para se Thaçi ta kryejë punën e tij djallëzore. Mirëpo, tani po del që këtë njohuri e kanë pasur dhe e kanë edhe Haradinaj e Veseli. "Në të njëjtën kohë, Kadri Veseli vazhdimisht pohon se askush s'po bisedon për ndarjen e Kosovës dhe për ndryshimin e kufijve. Madje, ai para deputetëve të parlamentit thotë se Thaçi është patriot. Është tepër e dukshme se të tre këta po bëjnë lojëra për ta mashtruar popullin e Kosovës, pra për ta larguar vëmendjen nga zhvillimet e vërteta, derisa Thaçi ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë për copëtimin e Kosovës. Ky është konkluzioni im, duke marrë parasysh zhvillimet e deritashme të të gjitha këtyre ngjarjeve. Mendoj se e gjithë kjo është plotësisht e qartë dhe nuk do koment. Fatkeqësia e madhe është se të gjithë po flenë, derisa këta po e kryejnë punën e djallit", tha Salihaj për "Kosova Sot".

Qytetarët akuzojnë liderët mashtrues

Qytetarët e anketuar rreth kësaj çështje kërkojnë që tani, pasi janë hequr maskat, kryeministri ta marrë situatën në dorë, ta ndalojë presidentin Thaçi në këtë projekt të zhbërjes së shtetit të Kosovës, madje duke përdorë edhe votën e Kuvendit për t'ia marrë mandatin presidentit Thaçi. Një opsion të tillë e sheh si zgjidhje të vetme dhe shpëtim të shtetit qytetari Hetem Maqedonci. "Unë me sa e di dhe kam kuptuar, jo vetëm në rastin e Kosovës, por në të gjitha praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare, kryeministri i një shteti i ka të gjitha autorizimet kushtetuese, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, për ta përfaqësuar shtetin në të gjitha agjendat diplomatike ndërkombëtare. Në këtë rast gjithsesi që kryeministri duhet të reagojë për të parandaluar rrezikun që i kanoste shtetit të Kosovës, sepse nganjëherë thuhet që fjala në vesh del në shesh, sepse pa dalë në sheh nuk ka qare. Kjo u pa tani edhe tek takimi i Thaçit me Putinin, sepse edhe këtu është një thinje që edhe nëse më fyen apo më shan nuk bëhet nami, vetëm le të më sheh dikush që fola me dikë... Unë mendoj që tani kryeministri duhet t'i marr frenat në dorë së bashku me Parlamentin dhe të veprojnë. Për 45 ditë e patën shkarkuar Behgjet Pacollin, prandaj nuk bëhet kiameti edhe nëse veprohet dhe shkarkohet tani një Hashim Thaçi", theksoi Maqedonci për "Kosova Sot". Një reagim të tillë nga ana e kryeministrit dhe nga ana e Kuvendit e kërkon edhe qytetari Islam Hajdari. "Normal që ky proces i dëmshëm, për të cilin foli tanimë edhe kryeministri Haradinaj, duke e zbardhur sipas tij një të vërtetë të madhe, e cila deri më tani nuk është ditur, duhet të ndalohet. Nëse vërtet qenka ky plan, sipas të cilit do të bisedohet për kufi, vazhdimi i këtyre bisedimeve nga ana e presidentit duhet të ndërpritet, jo duke reaguar kryeministri, por duhet të reagojnë të gjithë, të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Duhet të reagojnë edhe kryeministri, edhe kryetari i Kuvendit së bashku me deputetët e Kuvendit dhe ta pamundësojnë këtë lloj projekti të bisedimeve sipas planit për copëtimin e territorit të Kosovës, i cili po kamuflohet kinse me demarkimin e kufirit mes Serbisë dhe Kosovës", potencoi Hajdari për "Kosova Sot". Sipas tij, nëse kryeministri tani nuk vepron, ai po ashtu mbetet përgjegjës për aq sa presidenti.

 

(Kosova Sot)