Opozita po tallet me ZGJEDHJET E PARAKOHSHME

  • 15 November 2018 - 07:40
Opozita po tallet me ZGJEDHJET E PARAKOHSHME

"Është rast i rrallë, kur Qeveria nuk e ka shumicën në Parlament dhe opozita s'ka interes ta rrëzojë atë, sepse të gjitha subjektet politike në brendësinë e tyre nuk qëndrojnë mirë në strukturim, dhe kjo situatë atyre u jep kohë dhe mundësi që deputetët e qeveritarët fitojnë të drejtën e gëzimit të privilegjeve dhe ta shijojnë luksin e tyre të pacenuar nga askush", thotë analisti politik Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot".

E dhe pse përditë dalin me deklarata ku kërkojnë rënien e Qeverisë dhe zgjedhje të reja, në fakt, asnjëra nga partitë kosovare nuk është fare e interesuar që të shkojnë në zgjedhje të reja nacionale para pranverës së vitit të ardhshëm. Në këtë kohë bëhen dy vjet mandat nga qeverisja e tyre dhe që deputetët e qeveritarët fitojnë të drejtën e gëzimit të privilegjeve sipas ligjit. Analistët politikë dhe qytetarët vlerësojnë se kjo klasë politike, vazhdimisht e kanë hallin tek interesat e tyre meskine si dhe te interesat e mafio-oligarkëve, që po ua lagin fytin, e jo që të mbrojnë interesat e qytetarëve për çfarë edhe janë votuar nga lidershipi i tyre. Analisti i politikës Shefik Shkodra, për gazetën "Kosova Sot', thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ishin të mirëseardhura, nëse do të ndërroheshin vërtet pjesa më e madhe e kësaj garniture politike, siç po quhen kështu. "Interesi i të gjitha partive është që kjo gjendje të vijojë, pa u hamendur për zgjedhje të jashtëzakonshme, edhe pse ndonjëri e përmend këtë. Pra, interesi i tyre që të ruajnë mafio-oligarkët dhe vetveten pranë tyre, edhe më vogli politikan do të shpresonte që edhe më tutje të mbetet në 'jetën e qetë politike', në jetën e begatshme. Ngjitja e një pjese të madhe të këtyre delegatëve nga partitë e ndryshme janë të dëgjueshmit dhe të zellshmit e fjalës së shefave në partitë e tyre", vlerësoi ai. 

Qeveria e pakicës mbijeton në Kuvend

Analisti politik Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot', thotë se asnjë nga partitë opozitare nuk janë të interesuara që të shkojnë në zgjedhje të reja para pranverës që ta rrëzojnë Qeverinë "Haradinaj" edhe nëse largohet Lista Serbe nga koalicioni. "Është rast i rrallë, kur Qeveria nuk e ka shumicën në Parlament dhe opozita s'ka interes ta rrëzojë atë, sepse të gjitha subjektet politike në brendësinë e tyre nuk qëndrojnë mirë në strukturim dhe kjo situatë atyre u jep kohë dhe mundësi që deputetët e qeveritarët fitojnë të drejtën e gëzimit të privilegjeve dhe ta shijojnë luksin e tyre të pacenuar nga askush", vlerësoi ai. "Partitë opozitare si duket kanë vendosur që të mos e kërkojnë rrëzimin e Qeverisë 'Haradinaj', pa marrë parasysh faktin që kjo nuk e ka më shumicën në Kuvend, pasi u munduan që të bashkëpunonin mes vete për mocionin e Qeverisë dhe ta fusin edhe Listën Srpska. Por, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje dhe dorëheqjen e tij nuk e kanë ndërmend ta kërkojnë as partitë opozitare. Deputetë të partisë më të madhe opozitare, të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së) nuk do ta rrëzojnë Qeverinë, sepse ata i kanë hallet e tyre brenda subjektit të tyre politik, ngase veçse kanë filluar edhe të pakënaqurit të largohen, ndonëse kjo duhet vetë të largohet nga interesimi për zgjedhje", vijoi më tej Hertica. 

Hipokrizi lidershipi

Eksperti Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot", tha se po rriten kërkesat për zgjedhje të parakohshme tani. "Kjo po bëhet kur agjenda e përmbylljes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë është shtruar nga përkrahësit e pavarësisë së Kosovës dhe kjo agjendë është shumë e qartë. Sigurisht, pengesa më e madhe për të mos u realizuar kjo agjendë janë mbajtja e zgjedhjeve tani. Aktorët që po kërkojnë zgjedhje tani janë dëshmuar si lojtarë të fortë të bllokadave dhe ndërskamcave në formimin e institucioneve të reja, kuptohet së bashku me këta të tjerët. Ia kanë marrë dorën, këtë e bëjnë më së miri. Kjo është në dëm të interesave të Kosovës", shprehet ai. Sipas Mehës,lideri i LDK-së,Isa Mustafa, prejse ka mbetur pa karrigen e pushtetarit, vetëm kur ka kërkuar zgjedhje të parakohshme i ka nxjerrë duart nga xhepat. "Për cilëndo punë tjetër opozitare që krijon alternativa për interesat e Kosovës i ka mbajtur duart në xhepa. Njëjtë ka vepruar edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti. Nuk ka karrige pushteti pa ofruar alternativë në të mirë të interesave të Kosovës. Sepse, edhe Isa Mustafa, edhe Albin Kurti, që nga fillimi i punës së kësaj Qeverie, kanë dështuar që të ofrojnë alternativa në përputhje me interesat e Kosovës", potencoi ai.  

PARTITË E PAPËRGJEGJSHME

"Opozita nuk është e interesuar që ta rrëzojë Qeverinë në këtë moment ideal, pasi presidenti po tenton të realizojë planin e tij fatkeq për korrigjim të kufijve me armikun shekullor, Serbinë. Dhe, e gjithë kjo që sot po reflekton tek shumë subjekte politike jep një pasqyrim se nuk e kanë interesimin për të shtyrë proceset përpara dhe zhvillim të vendit dhe të interesave të qytetarëve, por vetëm që të mbesin në pushtet, që t'u lagin fytin oligarkëve dhe mafisë politike për interesa të tyre individuale dhe klanore", tha Ali Hertica për "Kosova Sot".

FRIKA PËR LISTAT

Njëri nga analistët politikë Ibrahim Kelmendi, në një përgjigje të shkurtër për gazetën " Kosova Sot", thotë se arsyeja kryesore se përse spektri politik i Kosovës nuk është i interesuar për zgjedhje të reja para pranverës qëndron në faktin se pse gjysma e deputetëve e kanë shqetësimin egoist, se më nuk do të jenë kandidatë për deputetë, meqë listat partiake të kandidatëve i bëjnë bosët e partive.

"Cilido që bën kërkesa për një punë të përgjithshme qytetare do të dënonte vetveten dhe gjithë të tjerët në postin e tyre. Prandaj, sot për sot, s'është interesi për zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk ka askund më mirë se në politikën kosovare, të rrijë kot dhe të ketë të ardhura pa mund dhe djersë", u shpreh Shefik Shkodra për "Kosova Sot".

Qytetarët, të zhgënjyer

Krahas analistëve politikë, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer tej mase me neglizhencën e subjekteve politike kosovare. Ata me të drejtë hidhërohen, pasi, sipas tyre, asnjë nga partitë politike të Kosovës nuk janë të interesuara që të shkojnë në zgjedhje të reja para pranverës, ndonëse edhe po bëhen dy vjet mandat dhe që deputetët e qeveritarët fitojnë të drejtën e gëzimit të privilegjeve. Qytetari nga Prishtina, Alajdin Alishani, për gazetën "Kosova Sot", thotë se asnjëra nga partitë politike nuk po brengoset për interesat e qytetarëve, por për interesat e tyre në radhë të parë. Prandaj, edhe deputetët e tashëm të Kuvendit të Kosovës nuk janë të interesuar që të largohen nga këto poste, në mënyrë që sa më gjatë të gëzojnë benefitet dhe luksin që e ofron posti i deputetit", theksoi ai. "Prandaj, edhe nuk duhet që të çuditemi se përse ata nuk duan zgjedhje të reja nacionale në Kosovë, sepse do të humbnin privilegjet e tyre nëse nuk bëhen sërish deputetë. Ndërsa sa për popullin deputetët e të gjitha partive politike as që e qajnë fare hallin e tyre", theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Jetullahu Krasniqi, për gazetën " Kosova Sot ", thotë se përgjigjja është shumë e thjeshtë, se sa më shumë që të zgjatë jeta e kësaj Qeverie, privilegjet e deputetëve do të zgjasin më shumë. "Pra, gati po bëhen dy vjet në pushtet dhe më mirë për deputetët e opozitës është mos të ketë zgjedhje sesa të ketë zgjedhje të reja në pranverë, ngase atëherë ata rrezikojnë të humbasin privilegjet që i ofron posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës", vlerësoi ai. Sipas Krasniqit, koha po dëshmon se kësaj klase politike nuk po i interesojnë fare problemet e qytetarëve, ngase ata i kanë prioritet interesat e tyre dhe të grupeve mafioze që ua lagin fytin dhe të njëjtët nuk mërziten fare për interesat e popullit.

 

(Kosova Sot)