Zjarrfikësit protestojnë para Qeverisë

  • 15 November 2018 - 09:06
Zjarrfikësit protestojnë para Qeverisë

Sindikata e Zjarrfikësve organizon sot para ndërtesës se Qeverisë protestën në shenjë revolte dhe pakënaqësie lidhur me pozitën e vështirë që e ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve në vend, posaçërisht me mospërmbushjen e premtimeve nga institucionet që premtuan në protestën e korrikut.

Përmes protestës ata kërkojnë që të rregullohet statusi i tyre juridik, të sigurohet vija buxhetore dhe të nivelizohen pagat me shërbimet tjera emergjente, të kompensohen për punën jashtë orarit, ndërrimin e natës, punën e vikendeve dhe ditëve të festave, të kompensohen shërbimet mjekësore nga lëndimet në vendin e punës dhe të kenë pajisje të duhura për ta kryer punën e tyre ngase pajisjet momentale janë tejet minimale dhe çdo ditë rrezikohet siguria dhe shëndeti i tyre në punë etj.

Protesta fillon nga parkingu i Pallatit të Rinisë duke defiluar këmbë sheshit “Zahir Pajaziti” deri te objekti i Qeverisë ku edhe do të mbahet protesta.

Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shprehur përkrahje për Sindikatën e Zjarrfikësve lidhur me protestën e paralajmëruar.

BSPK-ja shpreh keqardhje për zvarritjet e tilla që i janë bërë kësaj kategorie të punëtorëve në zgjedhjen e çështjeve shumë esenciale që lidhet më të drejtat e tyre nga marrëdhënia e punës, si dhe me diskriminimin e deritanishëm që u është bërë zjarrfikësve, ndaj kërkon nga institucionet relevante që sa më shpejt të reflektojnë në përmbushjen e kërkesave të kësaj kategorie të punëtorëve.

 

(Kosova Sot)