Sistemi i drejtësisë heziton të ndëshkojë pushtetarët e inkriminuar

  • 15 November 2018 - 07:44
Sistemi i drejtësisë heziton të ndëshkojë pushtetarët e inkriminuar

"Dështimi i qëllimshëm i lëndëve gjyqësore kundër nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional, të nivelit të lartë, është i qëllimshëm dhe i pritshëm, pasi vetë prokurorët janë vetëm një hallk në zinxhirin e lartë të mafisë politike dhe krimit të organizuar, pasi bëhet fjalë për njerëz të njëjtë, që natën janë bosët e krimit dhe mafisë dhe të njëjtit gjatë ditës janë kryetarë, ministra, hetues prokurorë, drejtorë etj. Prandaj, them që prokurorët dhe gjyqtarët edhe në punë kur pranohen, pranohen me kushte, që t'i shërbejnë grupit të bosëve politikë, që në fakt janë edhe bosët e nëntokës në Kosovë", thotë analisti Naim Miftari për "Kosova Sot".

Njohësit e fushës së të drejtës, analistët dhe ekspertët e pavarur, konsiderojnë se shtylla më e dobët e sistemit të drejtësisë në Kosovë, e lidhur me politikën dhe krimin e organizuar, është te prokuroria, ku prokurorët qëllimisht po i neglizhojnë rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar, të lidhur me mafio-politikanë me pozita të larta të pushtetit, në Komuna, në ministri, qeveri e nëpër borde, përkundër faktit se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t'i hetuar apo edhe ngritur aktakuza penale për krim të organizuar menjëherë. Prandaj, sipas analistëve, në këtë situatë nuk mund të pritet për drejtësi në kuptimin e plotë të fjalës, sidomos kur prokurorët shantazhohen dhe bien pre e ndikimeve kriminale, duke u bërë për interesa të tyre pjesë e krimit të organizuar.

Politikës i intereson vetëm zhvatja

Prof. i së drejtës, Blerim Burjani, po ashtu thotë se kjo kastë politike as nuk është angazhuar në të kaluarën e as nuk angazhohet tani, që t'ua lë duart e lira institucioneve të drejtësisë për të luftuar dukuritë negative."Nuk ka interesim për të luftuar krimin e organizuar nga politika apo njerëz që pretendojnë të merren me politikën, me krim ekonomik, shpëlarje parash, nepotizëm, po sikurse me një fenomen të shëmtuar që i bëhet dëmtimit të buxhetit përmes zhvatjes së parasë publike kinse edhe legalisht, me rritje pagash në mënyrë individuale të organizatave buxhetore, siç janë Trusti Pensional, që zhvat parat e popullit me pagat më të larta dhe këtë nuk e shohin e nuk e ndalin", u shpreh ai."Janë pastaj bordet e shumta dhe në vend që të reduktohen plotësisht bordet që zhvatin kot paranë publike, janë komisionet e shumta të pavarura, në vend që të ketë vetëm mëditje për ditë pune marrin paga sikur të ishin të punësuar me kontratë në shërbim civil. Ky është krim i pafalshëm. Pastaj janë edhe deputetët që marrin paga si në kohën e komunizmit, me pagë mujore, në vend të mëditjeve për ditë pune. Pra, ka një zhvatje marramendëse të buxhetit dhe kjo është e patolerueshme", vijoi më tej Burjani për "Kosova Sot". Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, pa u zbatuar edhe në Kosovë një vetting substancial, askush mos të presë që do të ketë sundim efektiv të ligjit, drejtësi të pavarur dhe profesionale. "Në fakt sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë imanente për një vetting të fuqishëm e përmbajtjesor, e jo për reforma sipërfaqësore, sa për sy e faqe. Ndryshe edhe nisma e ministrit Tahiri për të rritur buxhetin për KGJK e PKP do të duhej të jetë një motiv më shumë për kupolat aktuale të drejtësisë për të qenë më të suksesshëm dhe më të përgjegjshëm në luftë kundër krimit e korrupsionit", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

Mafio-oligarkët nuk ka kush t'i hetojë

Edhe analisti politik Ragip Guraziu thotë se është fakt që mafiooligarkët nuk ka kush t'i hetojë e aq më pak edhe t'i gjykojë e t'i dënojë."Dhe kjo do ishte arsyeja që prokurorët qëllimisht po i neglizhojnë rastet e caktuara kundër mafiooligarkëve të inkriminuar. Po edhe nëse hetohet dikush, rasti mbyllet në favor të të inkriminuarve", u shpreh ai."Ky virus i prokurorëve qëllimisht po i neglizhon rastet e caktuara kundër mafio-oligarkëve të inkriminuar, të lidhur me mafio-politikanë me pozita të larta të pushtetit, në komuna, në ministri, qeveri e nëpër borde, përkundër faktit se ka prova dhe argumente të mjaftueshme për t'i hetuar apo edhe ngritur aktakuza penale për krim të organizuar menjëherë", theksoi më tej Guraziu. "Prandaj nuk mund të flitet për kurrfarë drejtësie në shtetin tonë kur prokurorët shantazhohen dhe bien pre e ndikimeve kriminale, duke u bërë për interesa të tyre pjesë e krimit të organizuar, sepse ndaj tyre nuk po zbatohen as ashpërsohen masat ndëshkimore, por edhe ato suspenduese e përjashtuese, qoftë edhe me largim krejtësisht nga puna të prokurorëve të nënshtruar ndaj krimit dhe të dëgjueshëm përmes blerjes nga mafio- politikanët dhe mafio-oligarkët, në mënyrë që të njëjtit të zëvendësohen sa më parë me kuadro (prokurorë) punojnë vetëm sipas ligjit dhe jo në bazë të interferimeve të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale", tha Guraziu për "Kosova Sot".

INKRIMINIMI I SISTEMIT

"Zor se mund të priten ndryshime cilësore në këtë drejtim, pasi që sistemi i drejtësisë në Kosovë ka degraduar dhe është katandisur në masë tepër të madhe dhe ky degradim nuk ka ndodhur sot, por është rezultat i sa viteve më parë, krejt kjo si rezultat i pushteteve të papërgjegjshme të pasluftës, duke mbajtur kontrollin politik dhe ndikimin e vet në drejtësi me njerëzit e inkriminuar në krim të organizuar e korrupsion. Prandaj këtë sistem të tërin e pastron dhe e vendos në binarët e duhur vetëm pastrimi përmes VETTINGut", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot.

MIFTARI: PROKURORËT JANË VETËM NJË HALLK NË ZINXHIRIN E LARTË TË MAFISË POLITIKE DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Sipas njohësit të fushës së sigurisë, Naim Miftari, dështimi i qëllimshëm i lëndëve gjyqësore kundër nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional, të nivelit të lartë, është i qëllimshëm dhe i pritshëm, pasi vetë prokurorët janë vetëm një hallk në zinxhirin e lartë të mafisë politike dhe krimit të organizuar, pasi bëhet fjalë për njerëz të njëjtë, që natën janë bosët e krimit dhe mafisë dhe të njëjtit gjatë ditës janë kryetarë, ministra, hetues prokurorë, drejtorë etj. "Prandaj, them që prokurorët dhe gjyqtarët edhe në punë kur pranohen, pranohen me kushte, që t'i shërbejnë grupit të bosëve politikë, që në fakt janë edhe bosët e nëntokës në Kosovë", theksoi ai. Sipas Miftarit, krimi i organizuar nuk ia ka frikën askujt, pasi janë të paprekshëm nga ligji, kurse hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët janë vetëm lodra të tyre, janë në dorë të mafisë. "Edhe gjërat janë larg normalitetit dhe Kosovën e kanë sjellë në strajcë të lypsarit, në vendin më të varfër, të etiketuar për krim e korrupsion dhe të izoluar në Evropë si të vetmin, ndoshta edhe top model për të keq në tërë botën. Kosovën e presin ditë edhe më të vështira dhe sprova, pasi dështimi i ligjit, kapja e shtetit nga dora e mafisë dhe para sistemeve politike është duke sjellë këtë shtet deri në kufijtë e rrezikimit total ekzistencial si shtet", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

PRETENI: NUK KA SUNDIM TË LIGJIT ME KËTA POLITIKANË

Njohësi i fushës së drejtësisë, Hasan Preteni, tha për "Kosova Sot" se kjo gjendje tregon më së miri se nuk ka sundim të ligjit me këta politikanë. Ai madje porosit që edhe Kosova të këndellet dhe të marrë pak model nga fqinji i afërt, Maqedonia. "Ja tani në afërsi tw fqinjit jugor - Maqedoni, ku po fillon të veprojë Gjyqësori, e që u vërtetua se kur në pushtet vjen një nomenklaturë politike e pastër dhe e pandikuar, kur identifikohen dhe përzgjidhen prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur, profesionalë dhe patriotë, situata kthehet për 180 shkallë. Dënohet ish-kryeministri, arrestohet një ishministër dhe disa zyrtarë të tjerë.Vetëm e vetëm pse ndërroi politika dhe iu lanë duart e lira prokurorëve dhe gjyqtarëve, nuk pati as vetting klasik në "gjyqësor". Por një Prokurori Speciale e dominuar nga femrat (në mesin e tyre edhe shqiptare), por pati vetting në politikë dhe këtu u pa rezultati në drejtësi. Në të gjitha vendet e botës, duke filluar nga Singapori e Hong Kongu, në vitet e 80-ta u dëshmua një. Kur nomenklatura e pastër dhe jo e korruptuar e politikanëve vijnë në pushtet, ka dhe rezultate, ato nuk do të mungojnë", u shpreh ai për "Kosova Sot". "Tirana po lëviz me vetting kurse Prishtina merret me ndryshime kozmetike ligjore, vetëm "sa për sy e faqe", se ndryshojnë ligjet vetëm e vetëm pasi letra nuk po flet dhe po duron gjithçka. Kanë ndryshuar ligjet vetëm për atë, kinse për të përmirësuar raportet për Brukselin. Edhe sot jemi dëshmitarë të një Cirku. Ligjin për Konfiskim të Pasurisë. Nuk kaloj në një komision. E si të kalojë një ligj kur, përveç emrit të ligjit, nuk ndryshon asgjë, terma boshe", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)