Gruevski do të gjykohet në mungesë, mbrojtja thotë se është i kapshëm për organet e ndjekjes

  • 16 November 2018 - 17:12
Gruevski do të gjykohet në mungesë, mbrojtja thotë se është i kapshëm për organet e ndjekjes

Gjykata Penale e Shkupit në fillim të seancës së sotme për rastin “Dhuna në Qendër” ka marrë vendim për të akuzuarin Nikolla Gruevski, ish-kryeministrin e Maqedonisë, i cili u arratis në Hungari, që të gjykohet në mungesë.

Gjykatësi Dushan Josifov ka thënë se i akuzuari Gruevski nuk është i pranishëm, si dhe se ka marrë informacion se nuk është i kapshëm për policinë.

Prokurorja Fatime Fetai tha se ekzistojnë arsye të rëndësishme që i akuzuari Gruevski tëgjykohet në mungesë.

“Bëhet fjalë për propozim-akuzë të ngritur para dy vitesh për vepra dhe lëndë me më shumë dëshmitarë. Po ashtu, nuk është aspak e sigurt se kur Gruevski do të jetë i kapshëm që të gjykohet në prezencë. Propozoj që të gjykohet në mungesë”, ka thënë Fetai.

Fetai ka kërkuar që Gruevskit t’i caktohet masë paraburgimi edhe për këtë procedurë.

Avokati Dimitar Dangov, propozimin e ka hedhur poshtë si të pabazë.

“MPB-ja jonë në kontakt me MPB-në e Hungarisë mund të bëjë përpjekjet për thirrje, me qëllim që të jetë i kapshëm për këtë procedurë. E pakontestueshme është se Gruevski është në Hungari ku kërkon azil politik. Mbrojtja mendon se Gruevski është i kapshëm për organet e përndjekjes, pra është e njohur adresa e tij e vendbanimit dhe në kuptim më të gjerë të fjalës, ai është i kapshëm edhe për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar kundër tij. Nuk janë përmbushur kushtet për gjykim në mungesë dhe kërkojmë ndarjen e procedurës”, ka thënë Dangov.

Gjykata pas kërkesës për paraburgim të Gruevskit, me faktin se është deputet, tha se do të vendosë pas marrjes së mendimit rreth kësaj.

Gruevski dhe Janakievski, bashkë me më shumë persona akuzohen për dhunë në komunën Qendër në vitin 2013.

Seanca e sotme ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, i cili në vitin 2013 ka qenë i punësuar si sigurim në komunën Qendër.

 

(Kosova Sot)