Mirë se vini në "shehrin" e qofteve

  • 16 November 2018 - 17:33
Mirë se vini në

Qoftexhinjtë e Prizrenit po e shtrijnë këtë zeje edhe në qytete të tjera të Kosovës

S a herë përmendet qyteti i Prizrenit, përveç bukurisë së këtij qyteti, trashëgimisë dhe monumenteve interesante, njihet për qoftet që kanë një traditë të lashtë. Në këtë qytet jo vetëm nga Kosova, por tani edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e edhe nga shtetet evropiane, si Gjermania, Franca e Zvicra, kanë shijuar së paku një herë këto ushqime të këndshme dhe të shijshme, rikthehen përsëri në këtë qytet. Besim Shkreli, tani pronar i restorantit familjar të njohur 'Te Besimi', shpjegon se ai i takon brezit të katërt që po e përcjellë zejen e qoftëxhiut. Por në familjen e tij tashmë edhe Islami, i biri i tij, dhe tjerët e përcjellin këtë zeje të lashtë. Besimi shpjegon për "Kosova Sot" se ai i takon brezit të katërt të kësaj familje dhe me përkushtim e kanë përcjellë këtë zeje."Tani edhe unë e vëllai im, Mërgimi, e përsosëm pak më shumë këtë zeje. Por, edhe fëmijët tanë po këtë zeje e ushtrojnë. Biri im e mban emrin e babait tim, Islam, ky është i treti, Islami i radhës që kultivon këtë traditë edhe pse ne jemi shkolluar dhe kemi edhe fakultete të kryera. Megjithatë, këtë zeje dot nuk e ndërrojmë", shprehet Besimi. 

Tradita e ardhur nga Jemeni

Besimi bën të ditur se vikendeve më së shumti kanë mysafirë nga Shqipëria, por nuk mungojnë as turistë nga shtetet tjera."Bile ata pas drekimit, kur paguajnë jo shumë para, befasohen këndshëm dhe kërkojnë nga ne edhe vizitkarta". Njëri ndër ata që me përkushtim ka ruajtur traditën e qofteve katrore është familja Smani. Besnik Smani është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se kjo zeje jo vetëm që përcillet në familjen Smani, por ende shumë qytetarë vazhdojnë të ruajnë këtë traditë. "Jemi më të njohur për prizrenasit, ngase lokalet tona kanë arritur që këtë lloj qebapi ta afirmojë edhe më shumë". Por, për kosovarët ende vazhdon të jetë vend i preferuar restoranti "Te Syla", por që i ka dy emra, edhe "Allambara". Suljeman Dapko është i kënaqur me arritjet që ka bërë Prizreni me qofte e qebapë. Por, ai shpjegon se tani këtë zeje po e shpërndan edhe në vende tjera. "Qoftexhinj dikur ishin vetëm familjet qytetare dhe të një tradite të tillë po e kultivojnë edhe të tjerët. Tani këtë zeje e ushtrojnë edhe familjet nga Opoja", është shprehur ai. Njëra nga ato është familja Polloni. Këtë zeje tani pas kryefamiljarit të kësaj familje e ushtrojnë edhe tre breza. 

Brumë i veçantë i specialiteteve

Njëra ndër qebaptoret e traditës së vjetër është edhe ajo 'Sheherzade". Këtë traditë pronarët shpjegojnë se e kanë sjellë fillimisht nga Jemeni e pastaj nga Sarajeva. Duke parë llogaritë përfituese të mira dhe duke parë interesimin e shumë qytetarëve që dëshirojnë të ushqehen me këto prodhime, këtë zeje të suksesshme e ushtrojnë edhe qebaptoret "Hyska" dhe "Muhamedi", që janë të njohura për pleskavica dhe për suxhuk të shtëpisë". Por, interesimi i prizrenasve u shtua kur këtë zeje në një formë apo tjetër e përfitonin edhe "shegertët" që punonin nëpër qebaptore dhe ata pastaj e merrnin këtë zeje. Kështu qebaptoret e njohura u bënë edhe ato si "Beshi" etj. Numri aktual me mbi 110 qebaptore Prizrenin po vazhdon ta mbajë qytetin më tradicional të këtyre ushqimeve. Prizrenasit vazhdojnë të pohojnë se njihen për këto prodhime. Këtu bëhet një brumë i veçantë i specialiteteve. Kështu pohojnë edhe vëllezërit Kryeziu nga Atmaxha dhe ata Sallauka nga Prizreni, të cilët e kultivojnë traditën e qofteve në Prizren. Besim Shkrelin konsiderohet si harxhuesi më i madh i mishit. Ai shpjegon faktin se deri më tani gjithmonë përdor mish të freskët, bile edhe atë vetëm nga bagëtia e Kosovës."Sepse ai mish ka më shumë butësi dhe ka më shumë kripë që e përmban vetvetiu", është shprehur ai. 

 

 

(Kosova Sot)