Kanadasë po i harxhohen rezervat e marihuanës

  • 18 November 2018 - 17:25
Kanadasë po i harxhohen rezervat e marihuanës

Shitësit me pakicë të marihuanës në Kanada kanë filluar të shesin sasi më të vogël të këtij narkotiku, që nga dita kur ai u legalizua para një muaji. Në ditët e para të legalizimit, një pronar i një kompanie që merret me shitjen e marihuanës besonte se kompania e tij kishte sasi të mjaftueshme për shitje. Tash, ai po kërkon nga punëtorët që ta rifreskojnë sa më shpesh faqen e internetit të furnizuesit qeveritar, në mënyrë që t’i porosisë sasitë e reja sa më herët që është e mundur.

“Përderisa kishte sasi të mjaftueshme që mund të porositej, ne kishim mundësi që të porosisim sasi të mëdha, por kur depoja qeveritare është e zbrazur, nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha James Burns, shef i kompanisë “Alcanna”. Kufizimet e sasisë së shitjeve kanë filluar të vërehen që nga dita e parë e legalizimit të marihuanës. Në rajonin e Kuebekut, dyqanet ku shitet marihuana po punojnë vetëm nga e enjtja deri të dielën për shkak të zvogëlimit të sasisë që e kanë në dispozicion.

Përmes një deklarate, agjencia lokale që është përgjegjëse për shitjen e kanabisit, deklaroi se kanë pranuar vetëm rreth 20% deri 30% të sasisë që e kanë porositur dhe se të gjithë shitësit me pakicë në vend po përballen me një situatë të ngjashme. Shitësit që kryejnë shitje “online” në Ontario kanë mbetur shpejt pa rezerva sepse kishte shumë blerës që ishin duke pritur për një kohë të gjatë.

Qeveria federale ka deklaruar se problemet me furnizim në mënyrë ligjore pritet që t’i shtyejnë blerësit që të kërkojnë rrugë joligjore për ta blerë produktin. Kjo mbështetet edhe në përvojën e disa shteteve të SHBA-së, të cilat e kanë lekalizuar atë. Është raportuar se do të ketë mungesë edhe të kanabisit mjekësor, përdorimi i të cilit është i lejuar në Kanada që nga viti 2001.

Organizata shëndetësore “Health Canada” ka raportuar se prodhuesit e kanabisit kanë shitur më shumë se 14 tonë e gjysmë kanabis të tharë dhe 370 litra vaj kanabisi, ndërsa i kanë të raportuara si sasi rezervë më shumë se 90 tonë kanabis të tharë dhe 40 mijë litra vaj kanabisi, shkruan “BBC”.

 

(Kosova Sot)