Veseli (a) po e rrëzon Mustafën nga froni?

  • 03 October 2015 - 08:05
Veseli (a) po e rrëzon Mustafën nga froni?

Kriza parlamentare, produkt i luftës për pushtet

Kryeparlamentari në aksion kundër Qeverisë 

"Në horizont po duket një koalicion shumë i fortë në mes të strukturave të SHIK-ut dhe lëvizjes "Vetëvendosje"... Fraksioni i Kadri Veselit brenda PDK-së është shumë i fuqishëm dhe besoj se, me veprimet që i përmenda, mund ta shkatërrojë me lehtësi këtë koalicion", tha deputeti Adem Salihaj për "Kosova Sot" 

Përmasat serioze që po merr kriza politike në vend, me bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës nga opozita dhe mosveprimin e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, i cili duhet ta zbatojë rregulloren dhe të sigurojë mbarëvajtje të punës së shumicës së deputetëve, nga shumica e analistëve politikë konsiderohet si shenjë e plasaritjes së koalicionit PDK-LDK. Sipas analistëve, rënia e Qeverisë do të shkonte në interes të shpëtimit të vendit nga kriminalizimi, pasi që dëmet që po i sjell vendit ky koalicion i paqëndrueshëm janë të shumta. "Ky koalicion është dashur të formohej që të konsolidojë institucionet, të ndalë paligjshmërinë dhe korrupsionin, të ndalë keqpërdorimin e institucioneve për interesa partiake dhe të oligarkisë kriminale, me emërime nëpër borde, emërim të ambasadorëve politikë, reduktimin e shpenzimeve përmes reduktimit të ministrive, pastaj reformën në administratën publike e shumë gjëra të tjera, që do të ishin në interes të zhvillimit të një shteti me perspektivë të qartë për shpresat e qytetarëve të vet, por këto nuk kanë ndodhur deri më tani. Pra, në të gjitha këto pritje të qytetarëve koalicioni ka dështuar, dhe fare nuk i kanë bërë përshtypje ato, me gjithë reagimet e mëdha që vijnë nga faktori ndërkombëtar dhe pjesa intelektuale e shtetit", tha analisti politik Blerim Burjani.

Koalicioni e injoron qytetarin

Sipas Burjanit, vetë fakti që ky koalicion nuk po merret fare me problemet e qytetarëve, por vetëm me vetveten, është një tregues i mjaftueshëm për krizën politike që e ka kapluar. "Deri tash e kanë injoruar plotësisht qytetarin dhe kapacitetin e njerëzve intelektualë, dhe as nuk janë treguar bashkëpunues me shtresat intelektuale, nuk kanë bërë asgjë në të mirë të interesit të përgjithshëm. Kjo që shihet është vetëm një stabilitet i rrejshëm, ngase i kanë vetëm numrat, që edhe për disa kohë të përfitojnë për veti", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot". Edhe analisti Nexhmedin Spahiu thotë se sa më shpejt që shkon ky koalicion i dëmshëm për vendin, aq më shpejt do ringjallen shpresat e qytetarëve të Kosovës me një formacion të ri politik, që shpresohet se do ta marrë fatin e këtij shteti në duar të pastra për të qeverisur me alternativë krejt tjetër programore e reformatore. "Çdo gjë që është e kundërnatyrshme, është e gjykuar të dështojë. Edhe koalicioni i panatyrshëm mes PDK-së e LDK-së është i panatyrshëm dhe i gjykuar që në fillim me dështim", tha Spahiu.

Prapaskenat e shtyrjes së seancave

Sidoqoftë, për analistin politik, Ilir Fetahu, kalkulimi politik i Kadri Veselit, me mënyrën se si ai e po e menaxhon këtë krizë parlamentare, tregon se ky koalicion i madh nuk e ka në mend të dorëzohet me aq lehtësi. "Vendimi i kryetarit të Kuvendit, për të mos e mbajtur seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës dhe për ta shtyrë atë të caktuar për sot, ditë e premte, është një kalkulim i pastër politik dhe ai ka dashur që të përfitojë në kohë me këtë mënyrë veprimi, për ta shtensionuar situatën, për të pritur derisa të vijnë aleatët e tij, zotërinjtë Thaçi e Mustafa, që edhe ata të jenë prezent këtu", tha Fetahu për "Kosova Sot". Faktin e fillimit të thellimit të krizës dhe mosbesimit në koalicion, e sheh si zhvillim real edhe deputeti i LDK-së Adem Salihaj. "Të gjitha shenjat janë se ne po hyjmë në një krizë serioze politike. Nuk është opozita ajo që po e shkakton këtë krizë, sepse fuqia e saj nuk është e asaj mase që të mund ta shkaktojë këtë. Krizën politike po e shkaktojnë bashkërisht, me një koordinim dhe bashkëpunim të plotë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe lëvizja 'Vetëvendosje', bashkë me dy partitë e tjera opozitare", ka thënë ai.

Krahu i Veselit synon rrëzimin e Qeverisë

"Pas Kadri Veselit qëndrojnë ndoshta pjesa më e madhe e deputetëve të PDK-së", tha deputeti Salihaj për "Kosova Sot". Duke numëruar disa qëllime të interesit për këtë krizë që ka PDK-ja më pjesën tjetër të opozitës, ai tha se këto lojëra janë shumëdimensionale dhe të thella. "Së pari, opozita dhe shumica e deputetëve të PDK-së, që janë në krahun e Kadri Veselit, synojnë ta rrezojnë Qeverinë. Me këtë rast arrihen tri qëllime të përbashkëta fundamentale të krahut të Kadri Veselit dhe opozitës: Rrëzohet Qeveria e Isa Mustafës dhe dëmtohet shumë LDK-ja, bashkë me Isa Mustafën rrezohet edhe Hashim Thaçi, i cili është tash për tash pengesa kryesore e Kadri Veselit për ta marrë partinë, e më vone edhe pozitën e kryeministrit, dhe ngec seriozisht procesi i formimit të Gjykatës Speciale, krijohen rrethana që formimi i saj të shtyhet gjatë , duke u vënë në pyetje edhe vetë formimi i saj", tha Adem Salihaj. Ai ka pohuar se po të analizohen me kujdes këto tri zhvillime dhe qëllime, ato përputhen njëqind për qind, pra qëllimet e strukturave kriminale të SHIK-ut dhe ato të Lëvizjes 'Vetëvendosje'. "Në horizont po duket një koalicion shumë i fortë në mes Të strukturave të SHIK-ut dhe Lëvizjes "Vetëvendosje". Se a mund të shkaktojë e gjithë kjo probleme serioze në koalicionin qeverisës, besoj se po. Fraksioni i Kadri Veselit brenda PDKsë është shumë i fuqishëm dhe besoj se, me veprimet që i përmenda, mund ta shkatërroje me lehtësi këtë koalicion", tha Adem Salihaj për "Kosova Sot".  

(KOSOVA SOT)