Dhunë në Lindjen e Mesme, 6 palestinezë të vrarë në përleshje me izraelitët

  • 09 October 2015 - 22:39
Dhunë në Lindjen e Mesme, 6 palestinezë të vrarë në përleshje me izraelitët

Akte të reja dhune të verifikuara mes izraelitëve dhe palestinezëve kanë shkaktuar 6 të vdekur nga radhët e këtyre të fundit, të cilët janë qëlluar për vdekje në Gaza.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, të cilat raportojnë edhe për një përhapje të sulmeve me thika në ambjente publike.

Autoritetet izraelite deklaruan se, trupat e saj qëlluan drejt Gazës, në afërsi të barrierës mbrojtëse në Nahal Oz, pasi u ndodhën nën sulmin e palestinezëve.

Më herët, policia izraelite deklaroi se katër arabë mbetën të plagosur në një sulm me thikë nga një izraelit, që supozohet se ka marrë hak për një sulm të ngjashëm të kryer pak ditë më parë ndaj izraelitëve në një objekt kulti.

Tensionet mes Izraelit dhe Palestinës janë rikthyer së fundmi për shkak të një seri përplasjesh mes dy popullsive.

Që prej fundjavës së kaluar, sulme me armë zjarri dhe thika të kryera nga palestinezët kanë lënë 4 izraelitë të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur.

Ndërkohë, të paktën 3 palestinezë të tjerë janë vrarë në përleshjet me forcat e sigurisë në Bregun Perëndimor dhe Lindje të Jeruzalemit.

Ndërkohë, lideri i lëvizjes së Hamasit në Gaza, Ismail Haniyeh ka bërë thirrje për një intifadë, si rruga e vetme që mund të çojë drejt çlirimit të Jeruzalemit.

“Gaza do të bashkohet në një intifadë për Jeruzalemin”, ka thënë Haniyeh në një fjalim gjatë lutjes së të premtes në xhaminë e Qytetit të Gazës, transmeton Top Channel.