Syla: Opozita po sillet si "kikirikët" e Pejës

  • 10 October 2015 - 15:20
Syla: Opozita po sillet si

Këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Thaçi, Ismail Syla, edhe sot është marrur me sjelljen e opozitës në Kuvendin e Kosovës. Ai në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se opozita e sotme me nismat e saj po mbjell një kulturë dhune, që më së paku ka të bëjë me kuptimin themelor të fjalës Kuvend ose Parlament.

Madje, sjelljet e opozitës, Syla thotë se ia kanë kujtuar edhe “kikirikat” e Pejës, ata fëmijë të lazdruar, me të cilët nuk di si t’ia bëj as policia as gjyqtarët.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Sylës:

“Shija e hidhur e tymit të gazit lotsjellës i vuri në hije mjetet logjistike të opozitës së Kosovës (vezët, bilbilat, ujin, gjuha e trupit e disave me duar të gatshme për t’u përleshur) duke bërë që edhe mediet ndërkombëtare të publikojnë pamje nga Kuvendi i Kosovës.

Kosova ka një demokraci parlamentare së paku 15 vjeçare, ku edhe opozita është sjellë në përputhje me rregullat e pakicës dhe shumicës.

Por, opozita e sotme me nismat e saj po mbjell një kulturë dhune që më së paku ka të bëjë me kuptimin themelor të fjalës Kuvend ose Parlament. Vend ku tubohen të zgjedhurit për të folur, për t’i shprehur mendimet e p ër t’i marrë vendimet racionale.

Kushdo që ka kaluar para parlamentit austriak, ka vënë re statujën e Athinasë, perëndeshës së mençurisë, dijeve dhe drejtësisë. Është shaka e hollë ajo, sipas së cilës thuhet se të mençurit rrinë jashtë parlamentit. Përkundrazi, Athinaja që pa hyrë brenda sikur u thërret parlamentarëve: Mençurohuni, mençurohuni, mençurohuni.

Po të pyetej berberi i Prishtinës, sipas anekdotës së Nolit (fyelli dhe çengitë) se si i ka punët Kosova, ai do të përgjigjej tym e gaz në parlament nga opozita, alivanosje dhe kujdes nga pozita.

Këto sjellje të opozitës, nuk e di pse m’i kujtuan “kikirikët” e Pejës, ata fëmijë të lazdruar me të cilët nuk di si t’ia bëj as policia as gjyqtarët”, ka shkruar Ismail Syla.