"Hallakaten" ata që i pengon puna e Ramadan Zejnullahut

  • 10 October 2015 - 15:42

Profesorë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, studentë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe njohës të çështjeve të arsimit, po përkrahin rektorin Ramadan Zejnullahu, duke vlerësuar se janë të nxitur dhe të manipuluar studentët, të cilët me anë të protestave po kundërshtojnë reformat që rektori i ka nisur për ndryshimin e gjendjes në këtë institucion të lartë të arsimit.

Thuhet se përballë presionit të studentëve protestues, prapa të cilëve qëndrojnë klane të caktuara politike dhe parapolitike, të cilat pas luftës e kanë degraduar skajshmërish këtë universitet, janë të gjithë ata që duan që cilësia e arsimit në UP të jetë në nivelin e duhur.

Në këtë anë janë rreshtuar edhe disa ambasadorë të akredituar në vendin tonë, të cilët i kanë dhënë përkrahje rektorit Zejnullahu, duke e inkurajuar për punën e tij edhe përballë kundërshtarëve të rendit dhe rregullit që hallakatën kurdo që rektori ndërmerr diçka që është në funksion të disiplinës e përgjegjësisë në punë.

Derisa para disa ditësh disa studentë të UP-së kërkuan nga rektori Zejnullahu që të kthehen afatet e absolventëve në të gjitha njësitë akademike; të ketë afat të tetorit, ku studentët do të kenë të drejtë të paraqesin nga dy provime dhe i njëjti të vlejë për arritjen e kushtit për vitin vijues; kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/2015, niveli baçelor të jetë me 70% të kredive ose të provimeve; dhe kriteri i arritjes së kushtit për gjeneratën 2014/2015, niveli master të jetë me 50% të kredive ose të provimeve, këto kërkesa nuk po vlerësohen të arsyeshme nga profesorët dhe një pjesë tjetër e studentëve të UP-së, të cilët janë shprehur në mbështetje të rektorit.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC) dhe njohës i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka vlerësuar se në mesin e kërkesave të studentëve që protestuan para Rektoratit të UP-së, nuk kishte të tilla që mund të quhen të paarsyeshme edhe pse kishte kërkesa që bien ndesh me Statutin që për mjedisin, nuk është e çuditshme.

Ai ka thënë se i mirëkupton plotësisht kërkesat për afat shtesë të provimeve, pasi që sipas tij, kështu është punuar në 10 vjetët e fundit dhe njerëzit llogarisin në këtë afat. Pupovci ka theksuar se problemi kryesor i këtyre protestave qëndron në faktin se ato ishin në funksion të realizimit të kërkesës së senatorëve për shkarkimin e rektorit Zejnullahu.

“Mendoj se studentët nuk duhet të bëhen pjesë e agjendave të grupeve që, përmes universitetit, dëshirojnë t’i realizojnë qëllimet e tyre. Për fat të keq, më 6 tetor nuk ka mundësi të plotësohet kërkesa për afat të tetorit, sepse logjikisht ky afat do të duhej të fillonte më 1 tetor dhe të përfundonte sa më shpejtë. Prandaj edhe po e them se qëllimi primar i protestës ka qenë tjetër nga ai i proklamuar”, ka thënë ai.

Pupovci ka vlerësuar se ekziston një përkrahje qytetare për rektorin Zejnullahu, sepse njerëzit po e shohin se, pas shumë vitesh dikush po përpiqet të vë rregull në punën e Universitetit, andaj siç ka thënë ai, në përkrahje të rektorit janë edhe pjesa më e madhe e studentëve, jo për shkak të Ramadan Zejnullahut, por për shkak se e kuptojnë se ngritja e cilësisë është në interesin e drejtpërdrejtë të tyre.

“Zejnullahu ka bërë disa hapa të vegjël drejt vënies së rendit dhe rregullit në Universitet dhe nuk ka mundur të bëj më shumë nga që, nga dita e parë e mandatit, ka qenë i atakuar nga të gjitha anët.

Secili veprim i tij është përcjell me reagimin e atyre që i humbnin privilegjet, duke filluar nga bllokimi i dyerve të Rektoratit e deri te vendimet e çuditshme të disa organeve shtetërore në raport me veprimet e rektorit.

Pastaj, ka ardhur ajo çështja famoze e avancimeve akademike, e cila ka shkaktuar bllokadë totale në Senatin e UP-së. Këto rrethana janë shumë penguese për dikë që dëshiron të bëj një reformë të mirëfilltë”, ka potencuar ai.

I pyetur se a është Zejnullahu rektori i duhur, ai ka thënë se për këtë duhet të reflektojnë të gjithë mësimdhënësit dhe studentët e UP-së, të cilët duhet të rreshtohen pas dëshirës dhe kërkesës për një universitet ku ka kriter dhe që mund të jetë i krahasueshëm me universitetet tjera të rajonit, e jo për një fabrikë diplomash, vlera e të cilave kontestohet vazhdimisht.

“Nëse njerëzit duan përmirësim, atëherë Zejnullahu është i duhuri; ndërsa nëse qëllimi i profesorëve është të fitojnë sa më shumë duke punuar sa më pak, ndërsa i studentëve të kalojnë sa më lehtë në provime, atëherë ka shumë njerëz të tjerë që mund ta udhëheqin këtë universitetit në këtë udhë të pakrye”, ka përfunduar ai.

Me reformat e Zejnullahut janë pajtuar shumë studentë të UP-së dhe pjesëtarë nga shoqëria civile, të cilët kanë marshuar të premten në mbështetje të rektorit dhe zhvillimeve për të mirë që kanë ndodhur në UP, që nga marrja e pozitës nga Zejnullahu.

Mbështetje për rektorin ka shprehur edhe profesori Qëndrim Gashi, i cili ka thënë se nëse angazhohen seriozisht, rezultatet konkrete pozitive do të vërehen vetëm pas disa vitesh.

“Me rektorin aktual mund të mos pajtohesh, por nuk mund të mos e respektosh. Deri tash ai ka treguar kurajë dhe vizion që nuk e kemi parë në UP qe një kohë. I bashkohem vlerësimeve të ministrit të MASHT-it, Arsim Bajrami dhe mbështetjen që ai e ka dhënë për UP.

Kuptohet, ka aq shumë probleme në UP, që lidhen edhe me kornizën ligjore, strukturën menaxhuese interne, me sistemin e drejtësisë, etj., sa duhet angazhim i tërë komunitetit për ta shpjerë përpara UP-në. Nëse angazhohemi seriozisht, rezultatet konkrete do t’i shohim vetëm pas disa viteve”, ka theksuar ai.

Duke folur për protestat e organizuara para disa ditësh kundër rektorit Zejnullahu, Gashi tha se studentët janë të lirë t’i shprehin mendimet e tyre.

Sipas tij, afati i tetorit, pikërisht kur fillon viti i ri akademik, është absurd dhe pengesë për procesin mësimor dhe planifikim adekuat të vitit akademik.

“Në vend të afateve suplementare, duhet kërkuar proces objektiv dhe sistematik vlerësimi. Nëse diçka ka defekte, nuk ndreqet duke i shtrembëruar edhe pjesët që nuk janë me defekt. Nëse UP ka probleme, ato nuk zgjidhen duke i dhuruar asaj probleme me afate të reja.

Do të ishte shumë lehtë të bëja sikur solidarizohem me këto kërkesa, por detyra e profesorit është që të tregojë udhën e drejtë edhe kur ajo duket se do të jetë më e vështirë.

Imagjinoni nëse mësuesi në klasën e parë u thotë nxënësve se si shkëmbim për respektin e tyre (ose të prindërve) ose për ndonjë arsye tjetër ai do t’ua mësoj atyre vetëm 20 shkronja nga 36 e kështu ata do të lodhen më pak”, ka vlerësuar ai, trnsmeton KosovaL.

Sipas Gashit, diversiteti është i shëndetshëm në demokraci, andaj siç ka thënë ai, nuk janë vetëm dy grupe të ndara pro e kundër rektorit, por edhe shumë më shumë tjera, emëruesi i përbashkët i të cilave duhet të jetë avancimi i universitetit dhe dijes, pasi që Universiteti i Prishtinës është publik dhe taksapaguesit me të drejtë interesohen për atë që ndodh në të.