Isa Mustafa flet pë rritje ekonomike, përsëri premton vende të reja të punës

  • 10 October 2015 - 18:42
Isa Mustafa flet pë rritje ekonomike, përsëri premton vende të reja të punës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova këtë vit ka shënuar rritje në sektorin ekonomik krahasuar me vitin e kaluar.

 “Të dhënat e fundit që po marrim nga Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se për dallim nga viti i kaluar, kemi një përmirësim të parametrave ekonomikë dhe financiarë. Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, rritja ekonomike gjatë vitit 2015 do të jetë rreth 3%, por ne po punojmë intensivisht që kjo rritje të jetë më e madhe”, ka shkruar Mustafa.

Lexoni postimin e plotë:

Të dhënat e fundit që po marrim nga Ministria e Financave, Banka Qendrore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, tregojnë se për dallim nga viti i kaluar, kemi një përmirësim të parametrave ekonomikë dhe financiarë. Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, rritja ekonomike gjatë vitit 2015 do të jetë rreth 3%, por ne po punojmë intensivisht që kjo rritje të jetë më e madhe.

Programi i Qeverisë që unë drejtoj e ka përcaktuar qartë zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, luftimin e varfërisë dhe luftën kundër kontrabandës, evazionit fiskal, krimit të organizuar dhe korrupsionit, si prioritete nacionale. Pavarësisht një agjende shumë të ngjeshur dhe dinamike politike, për asnjë moment nuk jemi lëkundur nga prioriteti ynë kryesor, zhvillimi dhe punësimi. Për këtë synim tonin kam konsensusin e plotë të partnerëve të koalicionit, por kemi mbështetje të fuqishme edhe nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, unë dhe Qeveria që drejtoj, këtë program zhvillimor e kemi buxhetuar nëpërmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve. Programi Qeverisës katërvjeçar parasheh që deri në fund të mandatit të kemi të paktën dyfishimin e rritjes ekonomike, që në parametra real do të thotë edhe dyfishim të vendeve të reja të punës.

Për të arritur përmbushjen e nevojave reale të popullatës për vende pune, është dashur një reformë rrënjësore e politikave ekonomike dhe fiskale, dhe kjo është pikërisht puna kryesore që kemi bërë në fillim të këtij mandati.

Qeveria ka arritur që agjendën ekonomike ta shndërroj edhe në agjendë legjislative dhe ekzekutive. Janë dhjetëra ligje dhe vendime që janë miratuar, disa janë në procedurë të miratimit në Qeveri dhe Kuvend, si dhe një pjesë tjetër në proces të draftimit në Qeveri, që kanë për qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ne kemi identifikuar saktë dhe qartë se cilët janë sektorët që do të jenë prioritarë në agjendën tonë të punësimit dhe zhvillimit. Sektori privat do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm që krijimi i një vendi pune në sektorin e bujqësisë ka çmimin më të ulët, nga 10 deri në 20 mijë euro, varësisht nga nënsektori i bujqësisë. Për këtë arsye dhjetëra miliona euro janë investuar sivjet në këtë sektor dhe shumë më tepër do të shpenzohen në vitet në vijim, për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, për ta bërë atë më konkurrent dhe për të gjeneruar vende pune.

Një sektor tjetër i rëndësisë së veçantë është energjia dhe minierat. Ne jemi në negociata me një konzorcium të fuqishëm që drejtohet nga një kompani amerikane, për ndërtuar kapacitetet tona të reja energjetike. Nëpërmes këtij investimi do të krijohen mijëra vende pune dhe vendi ynë do të bëhet faktor energjetik në rajon. Pasuritë tona minerare do të shfrytëzohen për të gjeneruar të hyra për qytetarët tanë. “Trepça” dhe shumë kompani të tjera minerare, nëpërmes politikave të favorshme ekonomike, do të tërheqin investime të jashtme dhe do të bëhen gjeneratorë të zhvillimit.

Vendi ynë ka kapacitete të fuqishme turistike, siç është Brezovica, mandej kemi resurse të fuqishme në Alpet Shqiptare, në vargmalet e Sharrit, etj dhe të gjitha këto kapacitete po punojmë që t’i aktivizojmë, me qëllim zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Resursi ynë kryesor zhvillimor është popullata e re dhe e kualifikuar. Ne jemi duke punuar për një ndërlidhje ndërmjet sektorit të arsimit dhe tregut të punës, dhe këtu rëndësi të posaçme po u japim shkollave profesionale, për t’i dhënë një injeksion zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si sektori më i fuqishëm që krijon vende pune.

Jemi shumë të vetëdijshëm se asnjë vend në tranzicion, siç është Kosova, nuk mund të zhvillohet pa investime të jashtme. Për të nxitur investimet e brendshme dhe të jashtme, ne kemi bërë një reformë rrënjësore fiskale, për të ulur koston e investimeve dhe për ta bërë vendin atraktiv për kapitalin e jashtëm. Gjatë vizitave që kam bërë jashtë vendit, kam marrë premtime nga kompani shumë serioze ndërkombëtare për të investuar në Kosovë dhe efektet e këtyre investimeve në zhvillim dhe punësim do të duken qartë në vitin në vijim dhe vitet e mëpastajme.

Të nderuar qytetarë, për të financuar koston e zhvillimit dhe punësimit neve na nevojitet një luftë më e ashpër kundër evazionit fiskal. Një studim i vitit të kaluar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare ka treguar se rreth 33% e ekonomisë së Kosovës është joformale. Përkthyer në shifra, kjo i bie që 400 deri në 500 milionë euro nuk arkëtohen gjatë vitit nga arka e shtetit. Prandaj, siç e keni parë edhe ju në praktikë, ne kemi filluar një betejë të pakompromis kundër evazionit fiskal, me ata që dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe prishin balancat e ekonomisë së tregut të lirë, nëpërmes ekonomisë informale. Edhe pse kjo këmbëngulësi e jona po has në rezistencë nga grupet e interesit, ne jemi këmbëngulës që me përkrahjen e qytetarëve, nëpërmes rregullit fiskal, të kemi më shumë buxhet për të investuar për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Për fatin e saj të keq, Kosova po i kalon dy faza të tranzicionit njëkohësisht. Tranzicioni i parë ishte rikuperimi nga pasojat shkatërrimtare të luftës dhe tranzicioni i dytë është kalimi në ekonominë e tregut dhe rritja e kapaciteteve konkurruese.

Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës kërkon konsensus të përgjithshëm politik dhe shoqëror dhe i tejkalon dallimet ideologjike dhe etnike. Aktualisht jemi para dy proceseve të mëdha dhe shumë të rëndësishme që do të kenë efekte pozitive në agjendën tonë zhvillimore. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, do të jetë nxitje për investime të jashtme në Kosovë, sepse MSA tregon se vendi ynë ka përqafuar rregullat e ekonomisë së tregut të lirë, ku dominon ai që është më konkurrent. Sinjali i dytë pozitiv do të jetë marrja e rekomandimit pozitiv për heqjen e vizave. Bizneset tona kanë vuajtur nga pamundësia e lëvizjes së lirë në tregjet e BE dhe me heqjen e vizave do të hapen shumë mundësi për partneritete me një treg të mbi 500 milionë konsumatorëve.

Krahas nënshkrimit të MSA-së, Bashkimi Evropian nëpërmes fondeve të Instrumentit të para-anëtarësimit (IPA), do të shpenzojë deri në vitin 2020, mbi 600 milionë euro në Kosovë, që kanë për qëllim rritjen e kapaciteteve konkurruese.

Duke marrë për bazë reformat tona të brendshme ekonomike e strukturore, por edhe përkrahjen nga BE, SHBA dhe vendet e tjera mike, Kosova ka një perspektivë të qartë zhvillimore. Është në interesin tonë të angazhohemi fuqishëm për të krijuar parakushtet për tërheqjen e investimeve. Koalicioni qeverisës që unë drejtoj ka përgjegjësinë kryesore në këtë aspekt. Ne do ta kryejmë punën tonë, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës dhe në harmoni me rregullat ndërkombëtare e në partneritet të ngushtë me miqtë tanë. Por, konsensusi nacional për këtë është i domosdoshëm sepse krijon stabilitet të vendit. Përpjekjet për të na zhvendosur nga këto prioritete përmes agjendave politike, e dëmtojnë interesin e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës sepse na marrin shumë kohë dhe energji. Por, ne jemi të vendosur të mos devijojmë nga përgjegjësitë që kemi marrë për ta udhëhequr vendin tonë drejt të ardhmes prosperuese euro-atlantike. I.M