Arsim Bajrami bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

  • 10 October 2015 - 20:05
Arsim Bajrami bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka njoftuar se prof. dr. Arsim Bajrami, anëtar korrespodent i saj, që njëherit është edhe ministër i Arsimit në Kosovë, është pranuar anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Evropës, me seli në Salzburg të Austrisë.

Inaugurimi solemn i prof. Bajramit do të bëhet në Asamblenë e përgjithshme, që do të mbahet më 5 mars 2016, në Salzburg, transmeton lajmi.net.

Anëtar i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës nga Akademia e Kosovës ishte i ndjeri akademik Gazmend Zajmi, ndërsa më pas anëtarë të saj janë zgjedhur Rexhep Ismajli, Hivzi Islami, Edi Shukriu, Nexhat Daci dhe anëtari i jashtëm Muhamedin Kullashi.

Anëtarë të tjerë nga Universiteti i Prishtinës janë Qëndrim Gashi dhe Rafet Rudi, transmeton lajmi.net.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës vlerëson se ky hap dëshmon edhe një herë meritat dhe vlerësimin e lartë që u bëhet shkencëtarëve nga Kosova në suaza ndërkombëtare.