Antikorrupsioni gjen shkelje në tenderin e QKUK-së

  • 13 October 2015 - 19:04
Antikorrupsioni gjen shkelje në tenderin e QKUK-së

Diskriminim mes konkurruesve në tenderë

Agjencia Antikorrupsion, duke u bazuar në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, në ushtrimin e funksionit publik, ka kërkuar nga autoritet kontraktues Qendra Klinike Universitare, QKUK që të kthejë në ritenderim tenderin “Furnizimi dhe instalimi i ventilimit të platformës së amfiteatrit në telemjekësi”. Në opinionin e Antikorrupsionit bëhet e ditur se Autoriteti kontraktues Qendra Klinike Universitare, bazuar në nevojën e saj për furnizim  dhe instalim në sistemin e ventilimit në platformën e amfiteatrit në telemjekësi ka paraparë procedurë kuotimi për këtë aktivitet, i cili është publikuar në Komisionin rregullativ të prokurimit publik. Ndërkohë, është shpjeguar më tej se autoriteti kontraktues në lidhje me tenderin në fjalë ka kërkuar dëshmi, që materiali është prodhuar apo dëshmuar së paku në një vend të Bashkimit Evropian, Schengen, Britani e Madhe, Zvicër, SHBA, Kanada, Japoni, Izrael, Turqi.

Favorizimi i operatorëve ekonomikë

Antikorrupsioni  ka potencuar se në dosjen e tenderit kanë përcaktuar vendin e origjinës për pajisjet furnizuese, ku sipas kësaj agjencie ka lënë mundësinë të favorizohen operatorë ekonomikë dhe të diskriminohen të tjerë. Si operator ekonomik shpjegohet me tej në këtë opinion të Antikorrupsionit, se QKUK-ja i është referuar Udhëzimit Administrativ për produkte medicinale të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë, por që sipas Agjencisë nuk janë gjetur elemente që ky udhëzim mbulon edhe furnizimin me pajisje medicinale. “Po ashtu, edhe në dokumentin përshkrimi i materialit dhe punëve është caktuar te rubrika “Prodhuesi”se të gjitha pajisjet duhet të jenë nga EU”, është thënë në këtë opinion, duke bërë e ditur se QKUK-ja, bazuar në këtë dokument, është e obliguar ligjërisht që t’i marrë të gjitha masat e duhura që në aktivitetin e prokurimit mos të ketë kritere jashtë kuadrit të prokurimit publik. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)