Investitorët më të pasur në SHBA

  • 13 October 2015 - 20:51
Investitorët më të pasur në SHBA

Pothuajse çereku i 400 njerëzve më të pasur amerikanë, që kanë zënë vend në listën e ‘Forbes’-it, merren me investime dhe financa. Titanët e fondeve, më të mëdhenjtë e kapitalit privat, mjeshtrit e menaxhimit të parave dhe investitorët e mëdhenj e dominojnë këtë listë. Në krye të kësaj liste, pa dyshim është Warren Buffett nga Omaha në Nebraska është personi i dytë më i pasur në Amerikë me pasuri të përgjithshme prej 54.8 miliardë eurosh, pasuri kjo që e bën atë personin e tretë më të pasur në botë. Megjithatë, suksesi kaq i madh i Buffett-it nuk ka pasur të bëjë vetëm me ato që ai i ka blerë, mirëpo edhe me ato që ai ka vendosur që mos i blejë! “Dallimi në mes të njerëzve të suksesshëm dhe njerëzve më të suksesshëm është që këta të fundit thonë ‘jo’ për pothuajse gjithçka”, ka thënë Buffett-i. Gjatë karrierës së tij më shumë se gjashtëdhjetëvjeçare në investime, numri i ideve që janë anashkaluar ose janë refuzuar nga Buffett-i dhe Charles Munger është shumë më i madh sesa numri i ideve që është ndjekur, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Icahn-i po e mbështet Donald Trump-in

Pas Buffett-it, investitori më i pasur është George Soros. Soros-i i ka kaluar investitorët tjerë në këtë listë me një pasuri të përgjithshme prej 21.6 miliardë eurosh, gjë kjo që e bën atë investitorin e dytë më të pasur, personin e gjashtëmbëdhjetë më të pasur në SHBA dhe të njëzetenëntin më të pasur në botë. Reporteri i ‘Forbes’-it, Nathan Vardi, ka shkruar që ndonëse Soros-i nuk i udhëheq më operacionet ditore, ai vazhdon të jetë i përfshirë në menaxhimin e një pasurie të madhe, të cilën e ka akumuluar gjatë kohës kur me shumë sukses e ka menaxhuar ‘Quantum Fund’-in. Në vitin 2016 pritet që i biri i tij ta marrë udhëheqjen e ‘Soros Fund Management’. Jo shumë larg tij gjendet Carl Icahn-i, me një pasuri të përgjithshme prej 18.8 miliardë eurosh, që është investitori i tretë më i pasur në SHBA, personi i 22-të më i pasur në Amerikë dhe personi i 31-të më i pasur në botë. Investimet e Icahn-it zakonisht i pushtojnë ballinat e gazetave ditore, mirëpo kësaj here ai është nëpër ballina për një tjetër arsye. Icahn-i po e mbështet Donald Trump-in dhe shumë adhurues të Icahn-it shpresojnë që ai të bëhet sekretar i Thesarit.

Ray Dalio është amerikani i njëzetenëntë më i pasur

Themeluesi i ‘Bridgewater’-it, Ray Dalio, e menaxhon fondin më të madh në botë, që menaxhon me 136.3 miliardë euro, shumë kjo më e madhe sesa shuma që do të shpenzohet në vitin 2015 për edukim dhe shëndetësi në SHBA. E, me një pasuri të përgjithshme prej 13.5 miliardë eurosh, Ray Dalio është amerikani i njëzetenëntë më i pasur. Listën e pesë investitorëve më të mëdhenj në SHBA e përmbyll Abigail Johnson e ‘Fidelity’-t, që njëherësh është edhe femra e vetme në njëzet investitorët më të pasur në SHBA. Kompania, të cilën ajo e udhëheq, ishte themeluar nga gjyshi i saj, Edward Johnson-i i Dytë në vitin 1946. 24 përqindëshi i aksioneve që Johnson ka në kompani e bëjnë atë personin e 31-të më të pasur në SHBA me një pasuri prej 12.6 miliardë eurosh.

Dhjetë investitorët më të pasur në SHBA:

1. Warren Buffett

Pasuria: 54.8 miliardë euro

Shef ekzekutiv në ‘Berkshire Hathaway’.

2. George Soros

Pasuria: 21.6 miliardë euro

Themelues i ‘Soros Fund Management’

3. Carl Icahn

Pasuria: 18.8 miliardë euro

Themelues i ‘Icahn Capital Management’

4. Raymond 'Ray' Dalio

Pasuria: 13.5 miliardë euro

Themelues i ‘Bridgewater Associates’

5. Abigail P Johnson,

Pasuria: 12.6 miliardë euro

Presidente në ‘Fidelity Investments’

6. James Simons

Pasuria: 12.3 miliardë euro

Themelues i ‘Renaissance Technologies Corp.’

7. Thomas Peterffy

Pasuria: 11.6 miliardë euro

‘Interactive Brokers Group’

8. Ronald Perelman

Pasuria: 10.9 miliardë euro

Shitblerja e aksioneve 

9. Steven Cohen

Pasuria: 10.55 miliardë euro

Themelues i Kompanisë ‘Point72’

10. Stephen "Steve" Schwarzman

Pasuria: 10.3 miliardë euro

Drejtor në ‘Blackstone Group’

(Kosova Sot) 

 

Image
Image
Image
Image
Image