Molliqaj: Kadri Veseli është njeri i kontrabanduar

  • 13 October 2015 - 21:47
Molliqaj: Kadri Veseli është njeri i kontrabanduar

Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kryeparlamentari Kadri Veseli është njëri i sjellur në Kuvend për t’i shërbyer koalicionit qeverisës.

“Kadri Veseli është i kontrabanduar brenda Kuvendit”, ka deklaruar Molliqaj.

“Mendoj që parlamenti është përgjegjës, kryetari i Kuvendit është përgjegjës, normalisht ky kryetar duhet të jetë i rreshtuar përkrah deputetëve, ky nuk është kësisoj”.

Molliqaj tha se ka një konsensus të përgjithshëm kundër marrëveshjeve me Serbinë, dhe ata pak analistë që kanë mbetur pa i mbështetur, janë njerëz të afërt me pushtetin.

“Nëse e shohim pak kanë mbetur që po e përkrahin opozitën edhe pak analistë, vetëm ata që kanë interesa financiare me qeverinë. Ka një konsensus goxha të gjerë shoqëror kundër marrëveshjeve, mund të ketë dallim në veprime dhe strategji por përkrahja qëndron”.

Kurse, për pozitën, Molliqaj tha në Zona B të Klan Kosovës  se, nuk ka më çfarë të debatohet me ta.

“Cili është kuptimi i një debate nëse palët janë të qartë për dallime. Sot kur ata thonë që nuk tërhiqen nuk ka kuptim debati. Kryetari i Kuvendit është duke i shërbyer shumë skenarit të Thaçit dhe Mustafës. Nuk kemi kompromis me këto marrëveshje dhe dita ditës do të vazhdojmë edhe te Qeveria”.