Albulena Haxhiu policisë: Ejani më arrestoni

  • 13 October 2015 - 23:46
Albulena Haxhiu policisë: Ejani më arrestoni

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu nga një paraqitje televizive i ka bërë thirrje policisë që ta arrestojë. Ajo po jep intervistë në Interaktiv, ku tha se nuk po fshihet.

"Kemi dëgjuar që Policia e Kosovës po kërkon intervistimin tim dhe të Albin Kurtit dhe e them me përgjegjësi të plotë se nuk jemi fshehur nga Policia. Kam vazhduar aktivitetin tim publik dhe i bëj thirrje policisë të më arrestojnë, madje edhe në këtë studio, por mos të bien nën urdhrat e Isa Mustafës”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV'së.

“Dua që Policia të mos i shërbejë Mustafës dhe mos të dorëzohet në marrëveshjet e pranuara nga ai”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka thënë se veprimet e opozitës, për të cilat po hetohet nga Prokuroria e Shtetit, vijnë për të ndalur sjelljet e pozitës dhe kryeministrit Mustafa, të cilin ajo e ka quajtur “mashtrues”.

“Gazi lotsjellës ishte për të ndalur situatën që ata po duan të mbajnë. Ata duan që situata të duket normale, por kjo është situatë e jashtëzakonshme. Kemi injorim të jashtëzakonshëm të këtij kryeministri mashtrues. Ai ka thënë se nuk i tërheqë nënshkrimet, por asnjëherë nuk ka argumentuar pse janë të mira këto nënshkrime. Ai ka vrapuar në televizione se kjo ishte OJQ, por nuk shkuan pak ditë dhe kuptuam se kjo ishte lloj bosnjezimi”, ka shtuar ajo.