Zbardhen arsyet: Ky është skenari i nëntokës kriminale për koalicionin VV-LDK

  • 24 December 2019 - 13:13
Zbardhen arsyet: Ky është skenari i nëntokës kriminale për koalicionin VV-LDK

“Përveç frikës nga ndjekja dhe fshesa për pastrimin e institucioneve të kapura nga krimi, është edhe egoja e pakufishme për pushtet e partnerëve ajo që po e pengon krijimin e institucioneve të reja të shtetit. Paaftësia për arritjen e shpejtë të marrëveshjes dhe sjellja kontraverse e LVV-së dhe LDK-së ndaj njëra-tjetrës, e cila më shumë po ngjante janë rivalitet sesa partneritet politik, e ka trimëruar akoma më shumë nëntokën kriminale, e cila tashmë është shumë afër arritjes së qëllimit për çuarjen e sërishme të vendit në zgjedhje, mundësi kjo e artë për shpëtim nga drejtësia dhe për vazhdimin e sundimit despotik ndaj një popullate të përulur përballë korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Koha e mbajtjes së seancës së parë inauguruese të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, po numëron orët e fundit.

Kurse nëntoka kriminale, sipas analistëve politikë do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta pamundësuar realizimin e marrëveshjes Vetëvendosje- LDK, për ta sabotuar atë pikërisht nga frika e ballafaqimit me drejtësinë, pasi paralajmërimet që vijnë nga të dy taborret politike që pritet ta bëjnë qeverinë e re, janë serioze kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve mafioze të cilat e kanë kapur shtetin tash e dy dekada.

Deputetja dhe ish kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ka deklaruar se në rast të qeverisjes, LVV-LDK, do t’i hetojnë të gjithë zyrtarët, që nënkupton një Vetting gjeneral, duke filluar nga sistemi i drejtësisë, ku përfshihen Policia dhe shërbimet sekrete, meqë sipas saj, ky është thelbi i zhvillimit të një vendi.

“Ne duam një rishikim të të gjithë zyrtarëve, i cili përfshin sistemin gjyqësor dhe sistemin e sigurisë, d.m.th policinë dhe shërbimet sekrete. Si rezultat, nëse krijojmë një sistem gjyqësor që është i lirë dhe i pavarur nga ndikimi politik dhe kriminal, nëse kemi një forcë policie dhe një shërbim inteligjence që janë profesionistë dhe të pavarur, atëherë unë besoj se kemi bërë ndryshimin më të madh në historinë e vendit tonë. Është parakushti për gjithçka tjetër, qoftë zhvillimi ekonomik, shëndetësia apo arsimi”, ka thënë Osmani.

Image
Florim Zeqa

Bazuar në këtë deklaratë, publicisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Florim Zeqa konsideron se është pikërisht frika nga ndjekja dhe fshesa për pastrimin e institucioneve të kapura nga krimi, ajo që e ka penguar deri më tani krijimin e këtij koalicioni, dhe do të bëjnë çmos edhe në ditët në vijim për ta pamundësuar atë.

“Prononcimet sporadike të zonjës Vjosa Osmani nuk janë në përputhje me fuqinë e saj elektorale. Për aq sa është prezent në media Albin Kurti duhet të ishte edhe Vjosa Osmani. Për aq sa ka fuqi politike Albin Kurti për arritjen e koalicionit qeverisës, duhet të kishte edhe Vjosa Osmani nga LDK. Sikur ta kishte lirinë e shprehjes Vjosa Osmani në LDK siç e ka Albin Kurti në LVV, që moti do ta kishim të gatshëm koalicionin qeverisës. Mirëpo liria e kufizuar e shprehjes dhe mungesa e takimeve të drejtpërdrejta të Vjosës me Albinin, kanë bërë që roli i Vjosës në vendimmarrje të jetë aq i vogël dhe i papërfillshëm, sa që ajo të mos pyetet për asgjë në LDK. Madje, vetëm një takim krejt i rastësishëm në Kuvendin e Kosovës, i kushtojë Vjosës me linçim nga Agim Veliu dhe disa zyrtarë të lartë të LDK-së. Prandaj, Vjosa Osmani për t'u dëshmuar se është e aftë të drejtojë institucione kredibile shtetërore dhe të bëj ç’kapjen e shtetit nga bandat partiake, se pari duhet ta ç’kap partinë e saj nga klanet dhe grupet e interesit, nga urithët e nëntokës dhe klientelat e bandave kriminale që ditën thirren në rugovizëm, ndërsa natën bëjnë biznese të pista me nëntokën kriminale dhe mafio-oligarkët ekonomik”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, frika nga përballja me ligjin ndërlidhet edhe me egon për ruajtjen e pushtetit kriminal, prandaj i pengon nëntokës kriminale koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.

“Përveç frikës nga ndjekja dhe fshesa për pastrimin e institucioneve të kapura nga krimi, është edhe egoja e pakufishme për pushtet e partnerëve ajo që po e pengon krijimin e institucioneve të reja të shtetit. Paaftësia për arritjen e shpejtë të marrëveshjes dhe sjellja kontraverse e LVV-së dhe LDK-së ndaj njëra-tjetrës, e cila më shumë po ngjante janë rivalitet sesa partneritet politik, e ka trimëruar akoma më shumë nëntokën kriminale, e cila tashmë është shumë afër arritjes së qëllimit për çuarjen e sërishme të vendit në zgjedhje, mundësi kjo e artë për shpëtim nga drejtësia dhe për vazhdimin e sundimit despotik ndaj një popullate të përulur përballë korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përfundon analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)