Arrihet marrëveshja Vetëvendosje-LDK, ja çka ndodh me Presidentin

  • 24 December 2019 - 18:05
Arrihet marrëveshja Vetëvendosje-LDK, ja çka ndodh me Presidentin

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si duket kanë zgjidhur ngërçin lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Burime të “Kosova Sot Online” brenda dy partive, kanë bërë të ditur se marrëveshja është arritur, dhe se nënshkrimi i saj mund të ndodhë sot, apo eventualisht nesër.

Sipas këtyre burimeve, çështja e postit të Presidentit, pozitë kjo që ka bllokuar deri më tani këto dy parti që të arrijnë marrëveshje, është lenë që të diskutohet për më vonë.

“Po është finalizuar e gjithë marrëveshja, me ndarjen e posteve qeveritare. Për postin e presidentit të dy partitë kanë arritur pajtim që kjo çështje të lihet për më vonë, pasi edhe mandati i Thaçit është deri në vitin 2021. Nënshkrimi i marrëveshjes pritet sot, ose me se largu nesër”, ka thënë ky burim për “Kosova Sot Online”.

E një takim mes dy liderëve, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, ishte paralajmëruar që të ndodhë sot.

Poashtu edhe mbrëmë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri kishte paralajmëruar se janë afër nënshkrimit të marrëveshjes me Vetëvendosjen.

“Jemi afër, besoj shumë. Por, palët, si duket, po kanë nevojë edhe më tutje që të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit, duke u koordinuar në mes nesh, në mes dy partive kryesore që do të ndërtojnë koalicion për ndryshimin në Kosovë. Vullneti i të dy palëve është i mirë, që të gjendet zgjidhja dhe të përfundojnë marrëveshjen. Mund të mbetet edhe më vonë zgjidhja e definicionit për Presidentin”, tha mbrëmë Lutfi Haziri.

(Kosova Sot Online)