Hetohet ‘3-përqindëshi’, “Vendlindja thërret” i paprekshëm

  • 20 November 2015 - 07:31
Hetohet ‘3-përqindëshi’, “Vendlindja thërret” i paprekshëm

Kontributi financiar i qytetarëve të Kosovës u shpërdorua nga administratorët abuzivë

Dyshohet se dhjetëra miliona euro përfunduan në xhepat e politikanëve të sotëm

Një prokuror vendës dhe një ndërkombëtar janë duke ndërmarrë veprime hetimore, duke përfshirë edhe intervistimin e dëshmitarëve, në rastin e ngritur nga veprimtari i LDK-së, Musa Daka. Por, asnjë veprim hetimor nuk është ndërmarrë për fondin tjetër, “Vendlindja thërret"

Zbardhja e mënyrës së shpenzimit të parave që qytetarët e Kosovës i grumbulluan në formë të kontributit për shtetin, në vitet  90-ta, vazhdon të mbetet një mister i madh, ndërsa në opinionin publik është krijuar një bindje e madhe se këto fonde janë abuzuar skajshmërisht nga përgjegjësit e menaxhimit të tyre. Përveç një inicimi të hetimit për keqpërdorimin e fondit të ‘3-përqindëshit’ nga kryeministri aktual, Isa Mustafa, që është bërë në prokurori nga veprimtari i LDK-së, Musa Daka, deri më tani askush tjetër nuk ka marrë kurajën për të iniciuar hetim, qoftë për fondin 'Vendlindja thërret' qoftë edhe për fondin e ‘3-përqindëshit’. Për fondin “Vendlindja thërret” nuk ka asnjë inicim në procedurë hetimore. Në interesimin tonë se çfarë po bën Prokuroria e shtetit në hetimin e këtyre fondeve, është konfirmuar vetëm procedura hetimore për fondin që e ka menaxhuar Isa Mustafa, që në periudhën e luftës ishte vartës i kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit, derisa ata që me gjasë e abuzuan fondin ‘Vendlindja thërret’ nuk po trazohen fare nga drejtësia.“Rasti për të cilin keni pyetur (fondi 3%) është duke u hetuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës nga një prokuror vendës dhe nga një prokuror ndërkombëtar. Prokurorët janë duke ndërmarrë veprime hetimore, duke përfshirë edhe intervistimin e dëshmitarëve. Në këtë fazë hetimore ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, tha për ‘Kosova Sot’ zëdhënësja e Prokurorisë së shtetit, Liridonë Kozmaqi. Ajo as që i është referuar faktit që ka nevojë hetimi edhe për Fondin ‘Vendlindja thërret’...  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)