Arrestohet prokurori i Prokurorisë së Fierit

  • 27 November 2015 - 17:23
Arrestohet prokurori i Prokurorisë së Fierit

Mëngjesin e së premtes është arrestuar prokurori i Prokurorisë së Fierit, Petrit Vukaj, i dyshuar për “korrupsion pasiv”.

Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se shtetasi Petrit Vukaj, në përmbushje të funksioneve të tij, nëpërmjet ndërhyrjes korruptive të disa personave, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënim e shtetasit Elton Xhemali, i paraburgosur për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ngjarje e ndodhur në datë 31.03.2015, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, me pasojë vdekjen e qytetarit Përparim Bizhga, Shef i Rendit në Policinë e Delvinës, pasagjer në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Xhemali.

Në bazë të veprimeve hetimore është konstatuar se shtetasi Elton Xhemali, nëpërmjet vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir Nelollari, synon që të shmangë dënimin me burgim për veprën që i atribuohet.

Për të arritur qëllimin e tyre, shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kontaktojnë me prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, i cili, në bazë të veprimeve të tij proceduriale, dukshëm ka marrë përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në këmbim të parave, e cila, sipas të personave të përfshirë është 300 mijë lekë të reja.

Pas ndërhyrjes së dyshuar korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës 07.10.2015 në gjykatën e Fierit, kërkon “dënimin me 2 vjet burgim për të pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim prove”. Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e cila vendos “dënimin me 18 muaj burgim”, por duke mos pranuar kërkesën e prokurorit për pezullimin e dënimit.

Ky vendim i gjykatës rezulton se nuk ka kënaqur aspak të pandehurin Elton Xhemali, të cilit, i vëllai Arjan Xhemali dhe polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë të prokurori dhe ai do të dilte nga paraburgimi. I pandehuri Elton i kërkon dy personave të tjerë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit Petrit Vukaj, pasi ai (prokurori) nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.

Shtetasit Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë tentuar të qetësojnë të pandehurin Elton Xhemali, duke i bërë të ditur Elton Xhemalit se prokurori e ka bërë punën e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij.

Në vijim të hetimit, nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, fillimisht është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit Elton Xhemali, Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari, për veprën penale të “korrupsionit aktiv të prokurorit”.

Ndërkohë, po me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, në datë 26.11.2015, gjykata vendos masën e sigurisë “arrest me burg” për prokurorin Petrit Vukaj, transmeton Top Channel.