Greqia nis patrullimet nga ajri në kufirin jugor me Shqipërinë. “Diçka po ndodh”!

  • 27 November 2015 - 18:00
Greqia nis patrullimet nga ajri në kufirin jugor me Shqipërinë. “Diçka po ndodh”!

Që prej datës 18 nëntor, helikopterë të Ushtrisë greke patrullojnë kufirin jugor me Shqipërinë, në kuadër të masave të lajmëruara nga ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos, “për të shtuar ndjenjën e sigurisë te banorët e zonës”.

Fluturime janë kryer në të gjithë fshatrat që përfshihen në zonën e Janinës, por edhe brenda në qytet.

Defencenews raporton se pilotët janë këshilluar të kryejnë fluturime në lartësi të ulët, në zonat kufitare me Shqipërinë.

Detyra i është i ngarkuar Divizionit të VIII-të të Lëvizshëm që mbulon këtë zonë. Patrullime të tilla janë urdhëruar të kryhen edhe në kufirin me Maqedoninë.

Po ashtu, Greqia ka vendosur të rrisë prezencën e saj ushtarake në kufijtë e saj me Shqipërinë e Maqedoninë, duke shtuar grupet e patrullimit në pikat e saj kufitare.

Nuk dihet nëse këto masa kanë të bëjnë me sinjalizime për akte të mundshme apo me pritjen e një vale të re refugjatësh nga Lindja, por gazeta Hellas Force shkruan në titull se: “Diçka po ndodh”.