Lavdrim Muhaxheri ndërron identitet, quhet Boban Depiç

  • 27 November 2015 - 23:31
Lavdrim Muhaxheri ndërron identitet, quhet Boban Depiç

Lavdrim Muhaxheri, kosovari gjëmëmadh nga Kaçaniku që thuhet se është koka e të rekrutuarve shqiptarë në rradhët e ISIS-it, ka ndërruar identitet, ka marrë një emër serb, është pajisur me pasaportë nga një shtet fqinj me Kosovën (por nuk dihet nëse nga shteti serb), si dhe është martuar me një grua dibrane, burri i së cilës është vrarë në Siri.

Ai tashmë quhet Boban Depiç.

Kjo e dhënë vjen nga një burim konfidencial, pjesë e kontigjentit ndërkombëtar të sigurisë së në veri të Kosovës, i cili informon për portalin tesheshi.com. Ky burim, iu referohet të dhënave nga shërbimet e fshehta e të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Madje ai shton se dyshohet që Lavdrim Muhaxheri, gjatë verës që po lëmë pas, për rreth një muaj ka qëndruar në Serbi, pranë kufirit me Kosovën.

Për me tej, burimi informon se një numër i caktuar i shqiptarëve që janë shpallur në media të ndryshme se janë vrarë në Siri, janë gjallë e që vazhdojnë të jetojnë dhe të luftojnë krah Lavdrimit. Sipas tij, këtë e dinë edhe një pjesë e familjarëve të tyre të cilët edhe kanë hapur derë për kryshëndosh.

“Dyshohet se personat që kanë qenë pjesë e grupit terrorist të ISIS-it si B.M (Bekim Mulolli nga Kodra e Trimave, Prishtinë, i deklaruar i vrarë në shtator 2015), H.A dhe V.A (vëllezërit Valon dhe Hashim Aliu nga Zhegra, Gjilan, të deklaruar të vrarë më 27 tetor 2015), B.S (Basri Sulejmani nga Kodra e Trimave, Prishtinë, i deklaruar i vrarë më 19 tetor 2015), të gjithë shokë të ngushtë të Lavdrim Muhaxherit,  janë që të gjithë gjallë”, ka saktësuar burimi, duke shtuar se për këtë janë në dijeni edhe  institucionet shtetërore të sigurisë në Kosovë e Shqipëri.

Për këtë arsye, shton burimi, këto institucione kanë kërkuar që të bëhet kujdes me regjistrimit e  këtyre personave nëlibrat amëz të të vdekurve.

Dhe sipas informacioneve të deritanishme, ende nuk është bërë ndonjë kërkesë për regjistrimin e personave në fjalë në librat amëz të të vdekurave nga ndonjë familjar apo i afërm i tyre, pas shpalljes së vdekur nga mediat.

Burimi shton se  janë shërbime të shteteve jomiqësore me Kosovën ato që përkrahin materialisht dhe financiarisht grupet ekstremiste, si dhe disa pjesëtarë që tashmë janë të identifikuar si terroristë, siç është rasti i Lavdrim Muhaxherit.

“Interesi i shteteve që e rrethojnë Kosovën e që nuk janë miqësore me të, është që sa më shumë Kosovën dhe popullatës e saj ta paraqesin si shtet që rrit terroristë, duke e akuzuar atë nëpër institucionet ndërkombëtare se Kosova është vend burimi i terrorizmit ndërkombëtar”, ka thënë burimi.