AAK: I papranueshëm arrestimi i deputetëve

  • 28 November 2015 - 17:17
AAK: I papranueshëm arrestimi i deputetëve

​ Mbajtja në paraburgim e deputetes Donika Kadaj-Bujupi si dhe arrestimi i sotëm i deputetit Albin Kurti, si dhe shumë aktivistëve të tjerë të VV-së, brenda selisë së tyre, për AAK-në është i papranueshëm dhe nuk ndikon në qetësimin e situatës.

“Tubimi i sotëm madhështor në Prishtinë, ishte një manifestim qytetar i kundërshtimit të dy marrëveshjeve, që përfundoi pa asnjë incident. Ngjarjet e mëpastajme po bëhen me qëllim të zbehjes së një kundërshtimi kaq popullor”, thotë AAK në reagimin e saj.

“AAK kundërshton aksionet e pushtetit për përndjekjen e Opozitës dhe kërkon nga krerët institucionalë, që të mos e instrumentalizojnë policinë e shtetit për qëllime politike”, theksohet më tej në reagim.

AAK thotë se deputetët duhet të jenë të lirë dhe ata nuk mund të arrestohen për shkak të veprimtarisë së tyre politike, “prandaj kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre”.