Glauk Konjufca: Pushteti ushtroi dhunë dhe terror sot në selinë e VV-së

  • 28 November 2015 - 20:34
Glauk Konjufca: Pushteti ushtroi dhunë dhe terror sot në selinë e VV-së

Pas lirimit të selisë së Vetëvendosjes nga policia, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca ka mbajtur konferencë për media.

“Ndodhem këtu në hollin e selisë së VV-së, pasi që policia na lejoj të hyjmë dhe pas atyre ngjarjeve tronditëse që patët rastin ta shihni edhe vet. Pra diku prej orës 3 pasdite deri tash selia u mbajt e bllokuar. Kjo nuk ndodh në asnjë vend evropian çfarë kanë bërë sot. Të përdorësh policinë si mjet politik për të shkaktuar dhunë, për t’i arrestuar mbi 100 aktivistë dhe deputet, kjo nuk mund të quhet tjetër përveç se një terror dhe për këtë duhet të mbahet përgjegjëse qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje sipas tij, policia ka hyrë në selinë e VV-së me pushkë automatike duke ua drejtuar aktivistëve, duke i përplasur ata për tokë, duke përdorur dhunë.

“I kanë kapur për flokësh edhe aktivistet femra. Kjo tregon se nuk ishte thjeshtë qëllimi për arrestimin e Albin Kurtit”, ka thënë ai.

Bashkë me të në konferencë janë paraqitur edhe Ahmet Isufi i AAK-së dhe Bilall Sherifi i Nismës për Kosovën.