Historia po vdes bashkë me dëshmitarët

  • 29 November 2015 - 16:41
Historia po vdes bashkë me dëshmitarët

Haziri: Lajmi u shpërnda rrufeshëm në qytet

Rrumbullak pas 46 vjetësh që ky flamur u ngrit në Vlorë, si për koincidencë, pati fatin gati të njëjtë të ngritjes edhe në Ferizaj. Në rrethana okupimi, kur nuk kishte guxim të kërkohej e drejta për mësim e veprim shqip, valëvitja e një flamuri kombëtar konsiderohej vetëm si një ëndërr

Historia e ngritjes së flamurit në rrethana okupimi gjithmonë është mbresëlënëse, e dhimbshme, por edhe triumfale. Edhe pas shumë vjetësh të ngritjes së flamurit për herë të parë në Shqipëri shqiptarët kudo që janë karakterizohen me ndjenja patriotizmi, pa harruar edhe sakrificën e bërë për këtë ditë. Herët ndodhi në Shqipëri ngritja e këtij flamuri, por gati 40 vjet më vonë ndjenja të njëjta po përjetoheshin edhe në Kosovë. Rrumbullak pas 46 vjetësh që ky flamur u ngrit në Vlorë, si për koincidencë, pati fatin gati të njëjtë të ngritjes edhe në Ferizaj. Në rrethana okupimi, ku nuk kishte guxim të kërkohej e drejta për mësim e veprim shqip, valëvitja e një flamuri kombëtar konsiderohej vetëm një ëndërr për shumëkënd, por jo edhe për disa atdhetarë  guximtarë që kishin vendosur ta thyenin akullin e mbajtjes së flamurit kombëtar deri atëherë vetëm në gji.

Plakat e puthnin flamurin kuqezi

Ramadan Haziri, njëri nga veprimtarët dhe ish të burgosurit politikë të asaj kohe, e ka të freskët në mbamendje gjithë veprimin e bërë atë ditë, ku dëshira për këtë simbol shpirtëror e mundi frikën nga regjimi i atëhershëm. Iniciatorë për vendosjen e këtij flamuri kuqezi ishte aktori tashmë i ndjerë, Ismail Rama, bashkë me një qytetar tjetër, dëshmitë e të cilit ruhen vetëm në arkivat e mediave lokale. Dëshmitë, edhe pse të pakta, ruhen me fanatizëm vetëm me iniciativa private. Shumë fakte janë thënë e vazhdojnë të thuhen vetëm nëpër tubime, por të përmbledhura nuk mund të gjenden, sepse për këtë nuk u kujdes askush deri më tani. "Në 28 nëntorin e vitit 1968, rreth orës 10:00 paradite, u takova me Mejdi Avdiun. I thoshim ne Mejdi Sherreti, i cili më tha se e kishte bërë gati një flamur dhe do ta vendoste në mbrëmje. Shkova e pashë, por nuk m’u duk i përshtatshëm se ishte edhe pa yll dhe mund të na dënonin edhe më shumë. Iu rrekëm punës dhe bëmë një flamur tjetër, të cilin e vendosëm në mbrëmje në dritaren e çajtores "Skënderbeu”, jo larg kishës katolike në Ferizaj. Flamurin e vendosi Ramadan Haziri, ku më pas reagimet ishin nga më të ndryshmet dhe për çudi nuk shkoi shumë e na e lejuan vendosjen e flamurit kudo”, shpjegonte sa ishte gjallë aktori Ismajl Rama. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)