Edhe një skandal në ushtrinë greke: Shqiptarët detyrohen të shajnë kombin e tyre (Video)

  • 29 November 2015 - 23:30
Edhe një skandal në ushtrinë greke: Shqiptarët detyrohen të shajnë kombin e tyre (Video)

Një tjetër skandal në radhët e Ushtrisë greke. Një video e postuar në rrjetet sociale tregon fyerjet dhe sharjet e bëra nga ushtarët grekë për Shqipërinë dhe Turqinë.

Një ushtar shqiptar me inicialet M.DH, i cili është duke kryer detyrimin ushtarak në Greqi për të marrë pasaportën greke, ka treguar se ishte i detyruar të këndonte këngë me tekst kundër bashkëkombësve dhe vendit të tij, raporton Shekulli. Ky poshtërim nga ushtarakët grekë ka ndodhur për arsye se gjatë periudhës së kryerjes së ushtrisë, ushtarët me origjinë nga Shqipëria flasin vetëm shqip.

“Këtu jemi shumë shqiptarë dhe kemi ardhur vetëm për të marrë pasaportën. Por, duke qenë se flasim shqip dhe kemi nevojë për këtë dokument, këta na poshtërojnë duke na vënë të shajmë motrat dhe mamatë tona”, thotë ushtari shqiptar.

Ndërkohë pas kësaj videoja ka reaguar edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në një deklaratë për mediat, kjo parti dënon thirrjet raciste e ksenofobe në ushtrinë greke.

“Videoja që qarkullon në media, rrëfen se ky është akt i organizuar i oficerëve grekë dhe jo veprime të veçuara. Ministria e Jashtme duhet të kërkojë dënimin e këtyre sjelljeve të institucionalizuara të ushtrisë greke dhe të ngrejë çështjen në strukturat e NATO­s, si një çështje që cenon virtytet dhe misionin e aleancës”, theksohet në deklaratën e PDIU-së.