Politikani më i fuqishëm i Nju Jorkut dënohet për ryshfet

  • 01 December 2015 - 16:28
Politikani më i fuqishëm i Nju Jorkut dënohet për ryshfet

Njëri nga politikanët më të fuqishëm të Nju Jorkut, është dënuar për marrje ryshfeti duke shkaktuar kështu tërmet në atë shtet, dhe duke nxitur opinionin publik për thirrje për reformim të sistemit që ka një histori të gjatë të korrupsionit.

Dje gjykata e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Dhomës së Ulët të Nju Jork-ut, Sheldon Silver, mbi akuzat se për shërbime të ndryshme kishte marrë ryshfet katër milionë dollarë, transmeton lajmi.net.

Demokrati Silver, ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit të Parlamentit në janar të këtij viti, pasi ishte arrestuar nga policia.

Për dy dekada me radhë, Silver ka qenë njëri nga tre politikanët më të rëndësishëm në shtetin e Nju Jorkut, së bashku me kryetarin e Senatit dhe guvernatorin me të cilët kishte negociuar buxhetin dhe marrëveshjet tjera.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo dhe pasardhësi i Silver në krye të Parlamentit Karl Hist, kanë deklaruar se dënimi tregon se nevojiten rregulla më të forta etike.

Pas arrestimit të Silver janë propozuar kufizime të mandatit, të ardhurave tjera të zyrtarëve, rregulla të reja për financim të fushatës dhe masa tjera.

Nga viti 2000 në Nju Jork, 30 zyrtarë kanë humbur postet e tyre për shkak të akuzave penale ose pretendimeve për veprime të papranueshme. Nënkryetari i Senatit, Tomas Libus është dënuar javën e kaluar me arrest shtëpiak, për faktin se kishte gënjyer FBI-në. Ish-udhëheqësi i Senatit, Dean Skelos, i cili bashkëpunoi me Silver-in, aktualisht është nën procesin gjyqësor nën akuzat për zhvatje.