Tenton të vrasë me kazmë bashkëfshatarin

  • 01 December 2015 - 23:50
Tenton të vrasë me kazmë bashkëfshatarin

Një konflikt i hershëm për pronësi për pak sa nuk ka shënuar viktimën e radhës në periferi të kryeqytetit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e hënë, ndërmjet dy fqinjëve banues në fshatin Selitë e Malit, Komuna Zall-Bastar.

Aqif Basha ka goditur me një kazmë në pjesën e kurrizit fqinjin e tij Xhevit Sida. Burime nga komisariati i Policisë nr. 4, bëjnë me dije se, dy shtetasit e sipërpërmendur ndodheshin në konflikt me njëri-tjetrin, për motive pronësie.

Ky konflikt mund të kishte një fund të hidhur për Sidën, nëse aty nuk do të ishin persona të tjerë, të cilët ndërhynë për ndarë palët. 55-vjeçari Xhevit Sida, u dërgua menjëherë në spitalin “Nënë Tereza”, ku pasi mori mjekimin e duhur për plagët e shkaktuara nga goditja me kazmë e fqinjit të tij, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mjekët pohuan për grupin hetimor të komisariatit nr. 4, se, i dëmtuari është goditur me pjesën e mprehtë të kazmës dhe Sida, njërën nga goditjet e ka marrë në brinjë afër krahut të zemrës. Ndaj Aqif Bashës, rëndojnë 3 akuza për vepra penale të “Kanosjes”, “Plagosjes së lehtë” dhe “Vetëgjyqësi”, transmeton Shekulli.