Marine Le Pen fiton Çmimin e Gënjeshtarit në Politikë 2015

  • 07 February 2016 - 10:24
Marine Le Pen fiton Çmimin e Gënjeshtarit në Politikë 2015

Marine Le Pen, udhëheqëse e formacionit të së djathtës ekstreme franceze, Fronti Nacional, ka fituar Çmimin e Gënjeshtarit në Politikë 2015, shkruajnë mediet e huaja. 

Ky çmim është krijuar vitin e kaluar nga studiuesi i shkencave politike, Thomas Guenole, qëllimi i të cilit është që, përmes humorit, të nxisë klasën politike që të gënjejnë sa më pak. 

Guenole, bashkë me një juri tjetër të krijuar nga gazetarë të ndryshëm të vendit, ka vendosur t’ia dorëzojë këtë çmim humoristik Le Pen “për pohimet e saj fals rreth migrimit dhe xhihadizmit”, shkruan në faqen zyrtare të tij, transmeton Republika.info

Vitin e kaluar, që ishte rasti i parë kur Guenole dorëzoi këtë çmim, kishte fituar ish presidenti francez, Nicolas Sarkozy, “për 17 gënjeshtrat e tij të përsëritura gjatë fushatës për rizgjedhjen e presidencës së Unionit për Lëvizje Popullore”, një formacion politik që aktualisht njihet si “Republikanët”. 

(Kosova Sot)