Djaloshi që mundi paragjykimet bën master në SHBA

  • 07 February 2016 - 10:33
Djaloshi që mundi paragjykimet bën master në SHBA

Sfidat në jetë tejkalohen vetëm me vullnet të fortë

Fati e deshi që si ri Korabi të ketë një shëndet më ndryshe se bashkëmoshatarët

I gjendur mes paragjykimeve për personat me aftësi të kufizuara dhe krizës së përgjithshme në shoqërinë kosovare, djaloshi 24-vjeçar, Korab Vranovci, të lë gojëhapur me vullnetin që e karakterizon dhe këmbëngulësinë që t'u shkojë gjërave deri në fund. I flaktë për të dhënë një kontribut më të madh në rritjen e forcimit të shtetit, Korabi ia ka mësyrë edhe një sfide të re për të përfunduar studimet e shkallës master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

Rasti i një djaloshi nga Ferizaj dëshmon më së miri se vullneti i fortë mund secilën barrierë në jetë. I gjendur mes paragjykimeve për personat me aftësi të kufizuara dhe krizës së përgjithshme në shoqërinë kosovare, djaloshi 24-vjeçar, Korab Vranovci, të lë gojëhapur me vullnetin që e karakterizon dhe këmbëngulësinë që t'u shkojë gjërave deri në fund. Fati i jetës deshi që ai qysh i vogël të preket nga një sëmundje në këmbën e majtë dhe të ketë një shëndet më ndryshe se bashkëmoshatarët, por ecja e tij në jetë asnjëherë nuk u ndal nga pengesat me të cilat përballet kjo kategori në Ferizaj e kudo në Kosovë. "Rrugëtimi im si një fëmijë me një gjendje shëndetësore pak më ndryshe vërtet ka qenë i gjatë e me plot sfida, por mua kurrë nuk më shkon mendja që të them për diçka në jetë se do ta lërë në gjysmë. Jam kureshtar për botën, për njohuritë e reja, prandaj dua t'u shkoj ambicieve deri në fund", thotë Korabi qysh në fjalët e para kur nis të shpjegojë arritjet e lakmueshme në karrierë e në profesion.

 

Mori guximin të përballej me një botë plot paragjykime

I vogël ishte kur nisi t'i bënte terapitë fizikale në Shoqatën e personave me aftësi të kufizuara "Handikos", ku e mori edhe guximin të përballej me një botë plot paragjykime. Tregon se ka punuar shumë në fushën e rinisë dhe ka fituar përvoja të ndryshme, ku edhe është befasuar që nuk është parë me një sy ndryshe, ngase ka dëgjuar shpesh se kategoria e këtyre personave shpesh jetojnë të izoluar. "Që nga viti 2008, kur u angazhova në sektorin e rinisë, kam pasur përvoja të ndryshme, por më ka ardhur mirë kur idetë e mia janë vlerësuar mirë nga njerëzit kompetentë, para anës sime të aftësisë së kufizuar dhe në këtë rast kjo më ka dhënë zemër të vazhdoj edhe më tutje", thotë Korabi, i cili sapo ka përfunduar studimet për Gjeografi Aplikative në Universitetin e Prishtinës.

 

Vetëdijesimi po ec ngadalë

Ndonëse ka arritur të realizojë synimet e tij, për të kryer studimet dhe për të gjetur edhe punën në një kompani marketingu, Korabit i vjen keq që në këtë situatë po gjendet thuajse i vetëm. E ka shoqëruar gjatë e po vazhdon ta shoqërojë paragjykimi që po u bëhet të tjerëve se nëse ke një aftësi pak më të kufizuar në trup nuk je edhe i mençur sa duhet...(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)