Szábo: Të presësh që gjërat të ndodhin vetë, ky nuk është një opsion

  • 07 February 2016 - 13:06
Szábo: Të presësh që gjërat të ndodhin vetë, ky nuk është një opsion

Hungaria është një ndër të shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Dhe do të jetë ndër të parat që do të votojë ‘për’ lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shengen. Kështu tha zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, zotëri László Szábo.

Për të është hera e parë që vjen në Kosovë dhe përshtypjet për vendin dhe njerëzit e ka ngazëllyer.

“Është vërtetë një qytet fantastik me shumë mundësi. Edhe pse nuk kam dalur jashtë qytetit, kam dëgjuar se ka shumë vende të mira, të cilat mund të ngjallin interesim të madh për turistet në te ardhmen. Prandaj, edhe jam duke shikuar se çfarë lloj mundësish për bashkëpunim mund të kemi ne në mes të dy vendeve tona. Siç dhe mund të dini, Hungaria është një ithtar i madh që Kosova t’i bashkohet BE-së, NATO-s, UNESCO-s. Ju [Kosova] mund të llogarisni në përkrahjen e popullit hungarez”, tha Szábo.

Sipas tij, tash është shumë me rëndësi për Kosovën që të krijohen më shumë vende të reja pune; të forcohet ekonomia; të tërhiqen investime, të zhvillohet turizmi.

“Lajmi i mirë është se të dy qeveritë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në ekonomi se fundmi, prandaj kjo do të hap një kapitull të ri. Ne besojmë që para fund-vitit, do të jemi në gjendje të kemi Komitetin e Parë të Përbashkët në mes të dy qeverive. Ajo çka ky komitet bën është të ekzaminojë të gjithë sektorët, të gjitha prioritetet e ministrive të ndryshme në qeveri për të parë së çfarë lloj mundësish bashkëpunimi do të jemi në gjendje t’i identifikojmë… Është shumë më rëndësi për Kosovën dhe njerëzit e Kosovës që të krijojnë më shumë vende të reja pune; të forcojnë ekonominë; të tërheqin investime sa më shumë që është e mundur. Keni një vend të mrekullueshëm, prandaj duhet t’i joshni investime dhe jo vetëm investime por edhe njerëz për arsye turistike”, tha zv.ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, në intervistë për KosovaPress

Numri dy i diplomacisë hungareze mendon se toka e Kosovës është e mrekullueshme, dhe njerëzit e vendit duhet ta shfrytëzojnë atë. Ai tha se ushqimin që ka provuar këtu e ka lënë pa fjalë dhe kjo duhet të jetë një ndër arsyet që Kosova duhet të mendoj për format e eksportit në botë, të huajt duhet ta provojnë ushqimin tuaj, porosit Szábo. Ai beson në potencialin që ka Kosova dhe për këtë tregon për përkrahjen që Hungaria po i jep vendit tonë.

“Mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i ujërave të zeza, furnizimi më ujë të pijshëm, krijimi i qyteteve të mençura, të cilat ekonomikisht janë të gjelbërta, dhe në të njëjtën kohë produktive, kontro lli i trafikut ajror, trafikut rrugor, projektet infrastrukturore dhe bashkëpunimi në energji, këto të gjitha janë në listë [të bashkëpunimit Kosova-Hungari] dhe jam shumë i sigurt kur do ta kemi konferencën e parë të përbashkët të dy komiteteve në mes të qeverive tona, ne do t’i diskutojmë të gjitha këto dhe mbase edhe ide të tjera. Qeveria e Hungarisë, javën që shkoi ndau bursa për studentet nga Kosova që të udhëtojnë për në Hungari për të studiuar në universitetet hungareze në fusha të ndryshe të shkencës. Shumica e këtyre studenteve do studiojnë bujqësinë, të cilën ne e bëjmë shumë mirë, por do të këtë edhe në shkencë ku unë besoj që do të mund të japim kontributin tonë”, tha ai.

Duke kujtuar se si edhe vendi i tij gati 20 vjet më parë ka kaluar momente të vështira, ai tha se njerëzit këtu duhet të punojnë dhe të angazhohen për të mirën e vendit,“…sepse të presësh që gjerat të ndod hin vetë ky nuk është një opsion”, porositi Szábo.

“Kriteret e BE-së janë shumë të vështira, prandaj unë besoj që përmirësimi i ekonomisë, madje edhe përmirësimi i vetëbesimit të Kosovës është shumë me rëndësi, sepse ju keni një vend shumë të mrekullueshëm që ofron shumë mundësi. Rregulloret dhe ligji duhet të zbatohen për t’u siguruar se ky proces nuk ndërpritet. Bashkimi Evropian është këtu për të ndihmuar dhe ju duhet të kërkoni atë lloj ndihme, sepse të presësh që gjerat të ndodhin vetë ky nuk është një opsion”, tha ai.

Në fund të intervistës, zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë gjithnjë duke kujtuar që zhvillimi ekonomik është parësor për një vend që kërkon integrim evropian, tha se Kosova duhet të duhet rritur fuqitë e mira të vendit dhe të mbahet qetësia për të qenë një lojtar i rëndësishëm dhe konkurrues në Bashkimin Evropian. “Dhe ju [Kosova] duhet të siguroheni që ju përpunoni mallra më mirë se sa vetëm t’i shisni ato, duhet ta rrisni vlerën e shtuar nga njerëzit e Kosovës, duhet të përmirësoni industrinë dhe mbrojtjen e mjedisit, e cila është një detyrë shumë më rëndësi po ashtu. Natyrisht që ju duhet edhe të shikoni cilat janë fuqitë tuaja në mënyrë që të mund të mbroni anën tuaj të mirë para Bashkimit Evropian dhe që akoma të mbani qetësinë që ju duhet për të qenë një lojtar i rëndësishëm dhe shumë konkurrues në BE”, përfundoj Szábo.


(Kosova Sot)