Humori i Qeverisë për “Trepçën”, 15 mijë euro për Strategjinë

  • 08 February 2016 - 17:37
Humori i Qeverisë për “Trepçën”, 15 mijë euro për Strategjinë

Muharremaj: Qeveria e Kosovës është joserioze

Sipas Selmanit, ky kryeministër, i cili e ka shkelur Kushtetutën, nuk pritet që  do të bëjë Projektligjin dhe Strategjinë e “Trepçës”

Bazuar në njoftimet e drejtuesve të Komisionit për Tregti dhe Industri të Kuvendit të Kosovës, anëtarët e Grupit punues të Kuvendit për kombinatin “ Trepça, janë duke punuar në mënyrë që sa më parë të ketë strategji kombëtare dhe një Projektligj për kombinatin që dikur ishte krenaria e ekonomisë së Kosovës. Mirëpo, sipas ekspertëve të ekonomisë dhe deputetëve të opozitës, me vetëm 15 mijë euro para që i ka ndarë në fund të javës së kaluar Qeveria e Kosovës nuk mund të pritet se do të krijohet ndonjë strategji kombëtare dhe ligj si duhet për kombinatin ’Trepça”. Sipas opozitës dhe analistëve, nuk ka fije dyshimi se kjo vonesë e miratimit të ligjit dhe strategjisë zhvillimore po ndodh pasi ndikimi i Serbisë në politikëbërje dhe miratim të ligjeve në Kosovë edhe pas pavarësisë e sidomos tash pas bisedimeve në Bruksel është shumë i madh. Eksperti i fushës së minierave, prof. Dr. Shyqri Kelmendi, dikur edhe zëvendësdrejtor i kombinatit, thotë se nuk është pjesë e asnjë grupi për “Trepçën” dhe për këtë arsye nuk e di se çka po ndodh. 

Loja politike

Kryetari i Komisionit për Tregti dhe Industri, dr. Muhamet Mustafa thotë se Qeveria e Kosovës ka krijuar ekipe të caktuara për hartimin e Projektligjit për “Trepçën” në kuadër të vetë Qeverisë, por shton se është Agjencia Kosovare e Privatizimit që duhet ta kryejë procesin e fizibilitetit për studimet ekzistuese dhe ripërtëritjen  e të dhënave në bazë të tregut dhe teknologjisë . “ Kuvendi i Kosovës është duke u marrë me studimin e përvojave ndërkombëtare në kuadër të ristrukturimeve dhe përvojave të vendeve të tjera të  ngjashme sikurse që është kombinati “Trepça” dhe që janë me rëndësi nacionale”, është shprehur ai. I pyetur  se a është pengesë, përkatësisht se a ndërlidhet ndryshimi i Projektligjit dhe Strategjisë për “Trepçën” me themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (Asociacioni), deputeti Mustafa thotë se  kjo nuk është aspak e vërtetë dhe nuk ka lidhje fare me “ Zajednicën”. Ndërsa, anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik nga PDK-ja, Raif Qela shpreson se Qeveria sivjet do të mund të hartojë Strategjinë dhe Projektligjin për “Trepçën”, sepse Kuvendi është në pritje të këtij Projektligji për ta rregulluar statusin e gjigantit metalurgjik.  (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)