Frashër Krasniqi: Opozita është e bashkuar, nuk i komentoj veprimet e Haradinajt

  • 08 February 2016 - 19:03
Frashër Krasniqi: Opozita është e bashkuar, nuk i komentoj veprimet e Haradinajt

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka thënë se konsiderojnë që kriza e krijuar në Kosovë është shkaktuar nga dy persona, Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa dhe marrëveshjeve të tyre që kanë nënshkruar.

Sipas tij kështu ka cilësuar edhe Gjykata Kushtetuese.

“Këta kanë qenë të gatshëm t’i lëshojnë pe Serbisë për bisedime por jo edhe opozitës. Kjo krizë do të zgjidhet me shkarkimin e kësaj qeverie, sepse nuk ka kompromis për sovranitetin e vendit”.

“Nuk mund të ketë zgjidhje me dy persona që kanë qenë të gatshëm që shtetin ta qojnë drejt një sistemi totalitar dhe policor, vetëm për të mbajtur pushtetin”.

Krasniqi ka thënë se nuk dëshiron të komentojë veprimet e liderit të AAK-së Ramush Haradinaj i cili ka shkuar sot në takimin me presidenten Atifete Jahjaga.

Ai ka thënë se protesta e radhës që është paralajmëruar me datën 17 shkurt do të jetë massive dhe më e madhe se e kaluara.

“Revolta kundër qeverisë dhe marrëveshjeve dhe vullnetit të qytetarëve të cilët janë kundër kësaj qeverie, e kalon edhe opozitën”.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se opozita vazhdon të mbetet e bashkuar, njofton Klan Kosova.

“Si opozitë jemi të bashkuar, do të vazhdojë dhe të mobilizojë qytetarë për protestën e 17 shkurtit, e cila do të jetë edhe më e madhe se e nëntë janarit”.

“Opozita po përgatitet fuqishëm që protesta të jetë masvie”. 

(Kosova Sot)