Rrëfimi tronditës i babait të 25 vjeçares shqiptare të vrarë në Londër

  • 09 February 2016 - 08:00
Rrëfimi tronditës i babait të 25 vjeçares shqiptare të vrarë në Londër

Vijon të mbetet e mbuluar me mister vrasja e shqiptares 25-vjeçare Elidona Demiraj, e cila u qëllua me thikë nga bashkëshorti i saj Arben Rexha, mbrëmjen e 31 janarit në banesën e tyre në periferi të Londrës. Në përpjekje për të ndihmuar në zbardhjet e të vërtetës së vrasjes së vajzës së tij, Halil Demiraj ka rrëfyer gjithçka di për jetën bashkëshortore të Elidonës dhe zënkat që ajo ka pasur në ditët e fundit të jetës së saj me 31-vjeçarin Arben Rexha apo Lulzim Qeleposhin, identiteti i tij të vërtetë.

Halil Demiraj rrëfen se në tre ditët e fundit të jetës, nga komunikimet që kishte pasur me të, e bija nuk i ishte dukur entuziaste si gjatë 3 muajve të martesës së saj. Më 28 janar, në shtëpinë e çiftit do të riparohej sistemi i gazit. Por po në atë ditë, Elidona u kishte thënë prindërve se do të ndërronin shtëpinë pasi qiraja kishte qenë e jashtëligjshme. Atë ditë bashkëshorti i saj kishte biseduar në shtëpi, me 3 persona të panjohur ndër të cilët njëri ishte prezantuar si punonjës policie. Halil Demiraj thotë se Elidona kishte dëgjuar fshehurazi bisedën e tyre, çka bashkëshortit nuk i kishte pëlqyer. 

Papritur, atë ditë Elidona u kishte thënë prindërve se Arbeni i kërkonte të ndaheshin pa asnjë justifikim. Këtë ua kishte konfirmuar edhe ai vetë në telefon, me arsyetimin se ajo e kishte fyer. Pasi Elidona largohet, të nesërmen Arbeni i përgjërohet papritur të kthehet dhe pas një bisede ajo pranon.

Në postimin e tij në Facebook, Halil Demiraj thotë se herën e fundit që e kishte parë të bijën ishte data 31 janar, kur ata po përgatisnin plaçkat për të lëvizur nga banesa. Çifti thotë ai dukej jo vetëm i pajtuar por edhe i lumtur, por Rexha dyshon se ajo mund të ketë qenë nën presion. Ky ishte edhe komunikimi i fundit i saj me familjarët dhe më pas sipas të atit, telefonat kanë qenë të mbyllur, shkruan abc.

Arben Demiraj u arrestua në vendngjarje pasi kishte goditur për vdekje me thikë në fyt bashkëshorten. Fqinjët thonë se kishin dëgjuar të bërtitura në banesë atë mbrëmje. Arben Rexha do të qëndrojë në burg në vijim të hetimeve deri më datën 1 mars, kur do të dalë para Gjykatës së Lartë. Ndërsa trupi i 25-vjeçares nga Tropoja pritet të rikthehet në atdhe në përfundim të procedurave të autopsisë.

(Kosova Sot)